Islam & 3 Principles Albanian | Tre parimet dhe argumentet

The three 3 Principles and arguments Albanian language | Tre parimet dhe argumentet e tyre | About Islam

Muhamed b. Abdulvehab 

Përktheu :  Lulzim Blaka
Redaktoi :  Enes Goga & Mehdi Goga

Parathënie

The three 3 Principles and arguments in Albanian language | Tre parimet dhe argumentet e tyre | About Islam:

The three 3 Principles and arguments Albanian language Tre parimet dhe argumentet e tyre about Islam

Muhamed ibën Abduluehabi, botës islame ia dhuroi një trashëgimi origjinale, e veprat e tij, janë ato që me fjalë të shkurtëra e pa filozofi e kanë përmbledhur tërë Besimin e Pastër Islam. E për këtë besim kanë nevojë shumë muslimanët e sotshëm, të cilët përballë sprovave me të cilat sot përballet Populli i Muhamedit, janë gjendur shumë të hutuar e në një vakum shpirtëror. Ky hutim  e vakum, janë pa dyshim rezultat i asaj se muslimanët e kanë harruar qëllimin e jetës së tyre që ia qartëson Islami. I kanë harruar porositë e Kuranit dhe Sunnetit, e kanë harruar trashëgiminë e të parëve të tyre, të cilët me po këtë Kuran e Sunnet, që i kemi ne sot, e kanë sunduar botën me shekuj të tërë, me Drejtësinë e Përsosur Islame.


Muhamed ibën Abdulvehabi ka filluar një punë madhështore, e mund të themi edhe historike. Ka shkundur pluhurin që me shekuj zuri vend në trurin e pastër islam, nga shumësia e sekteve e përçarja në grupe të ndryshme. Ai e bëri të qartë se bota islame është zhytur thellë në errësirat e politeizmit dhe është larguar nga thelbi i fesë islame, e thelbi i saj është ajo në të cilën kanë thirrur të gjithë të dërguarit: La ilahe il-lall-llah (Nuk meriton kush të adhurohet përveç Allahut të Vetëm). Ai e bëri të qartë se sektet e shumta kontribuan në  dërgimin e muslimanëve në katastrofë, e ajo katastrofë është mbyllja e dyerve të ixhtihadit (studimit dhe mendimit të lirë të dijetarëve), e po këto sekte i hodhën muslimanët në thellësirat e injorancës që u shfaq në trajta të ndryshme e sidomos në trajtën e imitimit të verbër. Kështu, një shoqëri në të cilën mungonte mendimi i lirë dhe kreativiteti, ra në fund të pusit dhe u bë pre e mall për pazar nga armiqtë e saj. E fatkeqësia e tretë që i kaploi muslimanët është ndalja e Xhihadit, e Muhamedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, na ka paralajmëruar se kur ta lëjmë xhihadin do të na pushtojnë e sundojnë armiqtë tanë me padrejtësi e me nënçmim. Muhamed ibën Abdulvehabi, ngriti lartë shpatën dhe pendën dhe filloi çrrënjosjen e shirkut nga Gadishulli Arabik, Atdheu i Islamit, e këtë rrugë  pas tij e vazhduan dijetarët e luftëtarët e shumtë. Kështu Muhamed ibën Abdulvehabi  pastroi Qaben e Shenjtë dhe Xhaminë e Pejgamberit nga fëlliqësitë e shirkut, hapi rrugën që pasardhësit e tij më vonë të themelojnë shtetin e Arabisë Saudite në baza të Teuhidit e me ligjin e Sheriatit.

Vepra të cilën po ua paraqesim është vepër bazë në fushën e besimit islam dhe me të drejtë shumë dijetarë e kanë preferuar që të jetë vepra e parë e cila duhet të lexohet nga librat e besimit. Përfshin në të bazat themelore të Islamit, tre parimet e tij, që Muhamed ibën Abdulvehabi, i qartëson me fjalë të thjeshta dhe i argumenton ato me argumente të shumta nga Kurani dhe Hadithi, si dhe nga fjalët e komentet e dijetarëve islamë. Duke parë rëndësinë e kësaj vepre madhështore, e njëjta mësohet  në shumë vende të botës, në kurset për mësimin e fesë islame, si dhe shpjegohet në shumë xhami në mbarë botën islame. E në Arabinë Saudite, është përfshirë si vepër bazë në lëndën e Tevhidit, për shkollat fillore. E nëse popullit tonë ia ndërtojmë besimin mbi porositë e kësaj vepre madhështore atëherë do të vendosim bazat e shëndosha të një shoqërie islame. E me rëndësi shumë të madhe është që fëmijët dhe rinia jonë të edukohen e ta ndërtojnë besimin e tyre duke filluar nga kjo vepër e madhe, sepse do të jenë një shpresë dhe një garancë e plotë e Islamit në trojet tona. 
Nuk është hera e parë që kjo vepër  përkthehet në gjuhën tonë shqipe. Ky përkthim që po ua paraqesim është nxitur dhe mbikëqyrur nga Drejtoria për Studime Shkencore e Universitetit Islamik të Medinës. Jemi munduar që ti përmbahemi maksimalisht origjinalit në gjuhën arabe, pa bërë asnjë ndryshim në tekst, por, duke bërë aty këtu shpjegime të vogla në fusnota që i kemi parë të nevojshme për lexuesin shqiptar.

Në përkthimin e ajeteve të Kuranit jam mbështetur në veprën Shpjegimi i kuptimeve të Kuranit të Lartë në gjuhën shqipe, të punuar nga një grup përkthyesish pranë shtëpisë botuese Darus- Selam Rijad, Arabia Saudite. Por, aty ku e kam parë të nevojshme i kam bërë disa ndryshime të vogla, për ta qartësuar sa më mirë kuptimin e domethënieve dhe porosive që Allahu i Lartësuar na ka dhënë në Kuran.
Shpresoj nga Allahu i Lartësuar të ma pranojë këtë vepër modeste, të kenë dobi prej saj të gjithë ata që e lexojnë, e të mos mbetë vend në botë ku nuk depërton sa më parë Besimi i vërtetë Islam dhe vlerat e tij.

Në emër të Allahut Bëmirësit të Përgjithshëm Mëshiruesit

Dije, Allahu të mëshiroftë, se e kemi detyrë ti mësojmë katër çështje:

1. Dija, e ajo është njohja e Allahut, njohja e të Dërguarit të Tij dhe njohja e fesë islame me argumente.
2. Ta praktikojmë këtë dije.
3. Të thërrasim në të dhe
4. Të jemi durimtarë para pengesave në këtë rrugë.

Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:  

بسم الله الرحمن الرحيم

“Pasha kohën. Me të vërtetë që njeriu është në humbje të plotë. Përveç atyre që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi, edhe që e këshillojnë njëri tjetrin për të vërtetën, edhe që këshillojnë njëri tjetrin për durim”.

Thotë Shafiu, Allahu e mëshiroftë: Sikur të mos zbriste Allahu argument tjetër për krijesat e Tij përveç kësaj kaptine do tu mjaftonte. Ka thënë Buhariu, Allahu e mëshiroftë: Kaptina e diturisë është para asaj të fjalës dhe veprimit e argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit: 

“Dije pra, se padyshim nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Allahut dhe kërko falje për gjynahin tënd” dhe filloi me diturinë para fjalës dhe veprimit.

Dije, Allahu të mëshiroftë se është detyrë për secilin musliman dhe muslimane ti mësojnë këto tre çështje dhe të veprojnë sipas tyre:

1. Allahu na ka krijuar dhe furnizuar dhe nuk na ka lënë pasdore, por na ka dërguar neve të Dërguarin, e kush e respekton atë do të hyjë në Xhennet, e kush nuk e respekton do të hyjë në zjarr. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“Vërtetë që Ne ju kemi çuar juve të Dërguar për të qenë dëshmues mbi ju, ashtu siç çuam te Dërguar te Faraoni. Por Faraoni nuk iu bind të Dërguarit, kështu që Ne e mbërthyem atë me ndëshkim të ashpër”.

2. Allahu nuk është i kënaqur që ti shoqërojmë Atij në adhurim dikënd tjetër, qoftë ai melek i afërt, apo pejgamber i dërguar. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“Dhe vërtetë që xhamitë janë për Allahun, kështu që mos lutni asnjë tjetër bashkë me Allahun”.

3. Ai i cili e respekton të Dërguarin dhe e njëson Allahun, nuk e ka të lejuar të miqësohet me atë që e mohon Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe nëse ai është shumë i afërt i tij. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit: 

“Ti (Muhammed) nuk do të gjesh popull i cili beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, të bëjë miqësi me ata që i kundërvihen Allahut dhe të Dërguarit të Tij, edhe sikur ata të ishin baballarët e tyre, apo bijtë e tyre, apo vëllezërit e tyre, apo të afërmit e tyre. Për të cilët Ai ka shkruar Besimin në zemrat e tyre dhe i ka forcuar me Ruh (dritë, udhëzim të vërtetë) nga Vetë Ai. Dhe ne do ti shtiem ata ndër Kopshte të Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar aty përgjithmonë. Allahu është i Kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ata janë Pala e Allahut. Vërtetë! Është Pala e Allahut që do të jenë ngadhënjyesit”.

Dije, Allahu të drejtoftë në respektimin e Tij, se rruga e pastër e pasuesve të Ibrahimit është ta adhurosh Allahun Një, të jesh i sinqertë në fenë e Tij. Me këtë i urdhëroi Allahu të gjithë njerëzit dhe për këtë edhe i krijoi siç thotë i Lartësuari: 

“Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhindet, veçse që të më adhurojnë vetëm Mua”, e kuptimi i “të më adhurojnë vetëm Mua” është: të më njësojnë. E gjëja më e madhe për të cilën ka urdhëruar Allahu është Njësimi, e ai është të veçuarit e Allahut në adhurim. E më e madhja prej të cilës na ka ndaluar është shirku, e ai është lutja e dikujt tjetër përveç Tij. Argument është Fjala e të Lartësuarit:

“Adhuroni Allahun dhe mos i vini Atij shok në adhurim”.

TRE PARIMET

E nëse të thuhet ty : "Cilat janë tre parimet që njeriu është i obliguar ti njohë?" Thuaj: "Ta njohë robi Zotin e tij, fenë e tij dhe të Dërguarin e tij, Muhammedin sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem."

PARIMI I PARË

E nëse të thuhet ty: "Kush është Zoti yt?" Thuaj: "Zoti im është Allahu i Cili më zotëron mua dhe zotëron tërë botët me të mirat e Tij, Ai është i Adhuruari im, e nuk adhuroj askënd tjetër përveç Tij." Argument për këtë është Fjala e të Lartësurit:

“Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e botëve”, dhe çdo gjë përveç Allahut përbën një botë e unë jam një nga ajo botë.

E nëse të thuhet ty : " Si e njohe Zotin tënd? Thuaj: "Me shenjat dhe me krijesat e Tij, e prej shenjave të Tij janë: nata, dita, dielli e hëna, e prej krijesave të Tij janë: shtatë qiejt dhe shtatë tokat, çdo  gjë që ka në to dhe çdo gjë që ka mes tyre." Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“Dhe nga Shenjat e Tij janë nata dhe dita edhe dielli e hëna. Mos u bini në sexhde as diellit e as hënës, por bini në sexhde vetëm ndaj Allahut i Cili i krijoi ato, nëse jeni vërtetë që adhuroni Atë”.  Dhe Fjala e të Lartësuarit:

“Pa dyshim që Zoti juaj është Allahu i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë Ditë dhe pastaj u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh. Ai sjell natën si mbulesë të ditës dhe secila duke synuar tjetrën pandërprerë, dhe Ai krijoi edhe diellin, edhe hënën, edhe yjet të nënshtruar ndaj Urdhrit të Tij. Pa dyshim që i Tij është Krijimi dhe Komandimi. I Shenjtëruar qoftë Allahu, Zoti i të gjitha botëve”.

Zoti është Ai që meriton adhurimin. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

 “O njerëz! Adhuroni Allahun, Zotin tuaj, i Cili ju krijoi ju dhe ata që qenë para jush, që të mund të bëheni të përkushtuar. I cili e ka bërë tokën vend pushimi për ju dhe qiellin me kube si mbulesë duke dërguar që andej ujë për të prodhuar fruta si furnizim për ju. Atëherë pra, mos i vini shokë Allahut (në adhurim) kur ju e dini (se vetëm Ai ka të drejtë të adhurohet e askush tjetër)”. 

Thotë Ibni Kethiri, Allahu i Lartësuar e mëshiroftë: Krijuesi i këtyre gjërave është i Vetmi që meriton të adhurohet. 

Llojet e adhurimeve që na ka urdhëruar Allahu ti kryejmë, siç është Islami, Imani dhe Ihsani, e prej tyre lutja, frika, shpresa, mbështetja, dëshira, nënshtrimi, ndrojtja, dorëzimi, kërkimi i mbrojtjes dhe ndihmës, prerja e kurbanit (sakrifica), zotimi dhe adhurime të tjera me të cilat na ka urdhëruar Allahu, të gjitha janë vetëm për Allahun. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“Dhe vërtetë që xhamitë janë për Allahun, kështu që mos lutni asnjë tjetër bashkë me Allahun”.

Ai që ndan diçka prej tyre për dikënd tjetër përveç Allahut, ai është mushrik e qafir. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit: 

“Dhe kushdo që lut në vend të Allahut çdo Zot tjetër për të cilin nuk ka asnjë provë, atëherë llogaria e tij është vetëm te Zoti i tij. Vërtetë që qafirët nuk do të kenë kurrë sukses”. E në hadith thuhet: “Lutja është thelbi i adhurimit”, e argument për lutjen është Fjala e të Lartësuarit:

“Dhe Zoti juaj thotë: M’u lutni mua, Unë do t’ju përgjigjem. Me të vërtetë se ata të cilët e përbuzin adhurimin ndaj meje, ata pa dyshim që do të hyjnë në Xhehennem me poshtërim!”

Argumenti për frikën është Fjala e të Lartësuarit:

“…kështu që mos ju frikësoni atyre aspak, por m’u frikësoni vetëm Mua, nëse jeni besimtarë të vërtetë”.

Argumenti për shpresën është  Fjala e të Lartësuarit:

“… kushdo që shpreson për Takimin me Zotin e tij, le të punojë mirësi e drejtësi dhe të mos i bashkojë askend për shok në adhurim Zotit të tij”.

Argumenti për mbështetjen është  Fjala e të Lartësuarit:

“Dhe vini shpresat tuaja vetëm tek Allahu, nëse jeni besimtarë”;

“Dhe kushdo që mbështetet e vë shpresat tek Allahu, atëherë Ai do t’i mjaftojë atij plotësisht”.

Argumenti për dëshirën dhe nënshtrimin është Fjala e të Lartësuarit:

“Ata vërtetë që ishin që nxitonin të bënin punë të mira dhe gjithnjë na luteshin Neve me shpresë dhe frikë dhe gjithnjë nënshtroheshin ndaj nesh”.

Argumenti për  ndrojtjen është  Fjala e të Lartësuarit:

“Kështu që mos iu druani atyre,  por druajuni vetëm prej Meje”.

Argumenti për dorëzimin është Fjala e të Lartësuarit:

“Dhe dorëzohuni te Zoti juaj dhe nënshtrojuni vetëm Atij…”.

Argumenti i kërkimit të ndihmës është Fjala e të Lartësuarit:

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë”. E (argument) nga hadithi: “E kur të kërkosh ndihmë, kërko vetëm prej Allahut”.

Argumenti i kërkimit të mbrojtjes është Fjala e të Lartësuarit:

“Thuaj: Kërkoj mbrojtje prej Zotit të njerëzve, Mbisunduesit të njerëzve”.

Argumenti i kërkimit të ndihmës dhe mbrojtjes është Fjala e të Lartësuarit:

“(Përkujtoni) kur ju kërkuat ndihmë te Zoti juaj dhe Ai u përgjigj…”.

Argumenti për prerjen e kurbanit (sakrificës) është Fjala e të Lartësuarit:

“Thuaj: Sigurisht falja ime, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka asnjë shok e të barabartë me Të dhe për këtë unë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem vullnetit të Tij si musliman”.  E (argument) nga Sunneti: “Allahu e ka mallkuar atë i cili prenë (kurban) për dikënd tjetër përveç Allahut”.

Argumenti për zotimin është Fjala e të Lartësuarit:

Ata (janë të cilët) përmbushin zotimet (e tyre) dhe kanë frikë një Ditë, e keqja e së cilës do të jetë e përhapur sheshit”.

PARIMI I DYTË

Njohja e fesë islame me argumente

Ajo (feja islame) është dorëzimi ndaj Allahut duke e njësuar Atë, nënshtrimi me respekt ndaj Tij, largimi prej shirkut dhe pasuesve të tij. Ajo ka tri shkallë: Islami, Imani dhe Ihsani. Çdo shkallë ka pjesët përbërëse të saj.

Shkalla e parë - Islami

Islami i ka pesë pjesë përbërëse: Të dëshmuarit se nuk meriton kush adhurim përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i tij (Shehadeti), falja e Namazit, dhënia e Zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut.

Argumenti i shehadetit është Fjala e të Lartësuarit:

“Allahu dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij, (dëshmojnë) edhe melekët, edhe ata që kanë mend e që dinë, Ai e mban Krijimin e Tij në drejtësi të plotë. Nuk meriton kush të adhurohet përveç Atij, i Gjithëfuqishmi, më i Urti”. Domethënia e shehadetit: Nuk meriton kush adhurim përveç Allahut të Vetëm. La ilahe (Ska Zot tjetër)  shpreh mohimin e të gjithëve që adhurohen përveç Allahut, il-lall-llah (përveç Allahut) shpreh pohimin e adhurimit për Allahun e Vetëm, që ska shok në adhurimin e Tij, ashtu siç nuk ka shok në Zotërimin e Tij. Komenti i kësaj sqarohet në Fjalën e të Lartësuarit:

“Dhe (kujto) kur Ibrahimi i tha babait të tij dhe popullit të tij: ‘Me të vërtetë unë jam i pafajshëm nga çfarë ju adhuroni, në vend të Atij, (unë adhuroj vetëm Atë, Allahun) i Cili më krijoi mua dhe padyshim që Ai do të më udhëzojë mua’”.

Gjithashtu Fjala e të Lartësuarit:

“Thuaj: O ithtarë të librave të parë! Ejani te një fjalë që është e drejtë dhe e përbashkët mes nesh dhe jush: Që të mos adhurojmë askënd përveç Allahut, që të mos i vëmë shokë Atij në adhurim, dhe që asnjë prej nesh të mos marrë të tjerë për zot përveç Allahut. Pastaj, në qoftë se ata largohen, thuaju: Dëshmoni për ne se jemi muslimanë”.

Argumenti i dëshmisë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut është Fjala e të Lartësuarit:

“Vërtetë që ju ka ardhur juve një i Dërguar (Muhamedi) nga vet ju. Ai pikëllohet nëse juve ju bie ndonjë lëndim a vështirësi. Ai është i merakosur dhe i dëshiruar për ju, për besimtarët ai është që ndjen shumë dhe i mëshirshëm”. Domethënia e dëshmisë se Muhamedi është i dërguar i Allahut: respektimi i tij në atë që na urdhëroi, pranimi i asaj që na lajmëroi dhe largimi nga ajo që na ndaloi, dhe mos ta adhurojmë Allahun ndryshe veçse me çfarë ai e ligjësoi.

Argumenti i namazit, zekatit dhe komentimi i Njësisë, është Fjala e të Lartësuarit:

“Dhe ata nuk u urdhëruan për tjetër, veç se ajo që duhet të adhuronin vetëm Allahun dhe të mos adhuronin tjetër përveç a përkrah Tij, të adhuronin Atë me besim të vërtetë dhe me përkushtim të plotë, edhe të kryenin faljen e detyruar të namazit e të jepnin zekatin. Dhe kjo është feja e drejtë, e vërtetë”.

Argumenti i agjërimit është Fjala e të Lartësuarit:

“O ju që keni besuar! Ju është urdhëruar juve edhe agjërimi, siç u qe urdhëruar edhe atyre përpara jush me qëllim që të mund të bëheni të devotshëm”.

Argumenti i haxhit është Fjala e të Lartësuarit:

“Dhe haxhi është një detyrë që njerëzit i detyrohen Allahut për ta kryer, ata të cilët munden të përballojnë shpenzimet. Dhe kushdo që nuk beson atëherë Allahu është më i pasuri, nuk ka nevojë për askënd në mbarë gjithësinë”.

Shkalla e dytë- Imani (Besimi)
Ai i ka mbi shtatëdhjetë degë, më e larta është fjala La ilahe il-lall-llah, e më e ulta është largimi i pengesave nga rruga, e turpi është degë e imanit.

Pjesët përbërëse të tij janë gjashtë: Të besosh në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe në Përcaktimin, i mirë apo i keq qoftë. Argument për këto gjashtë pjesë përbërëse janë fjalët e të Lartësuarit:

“Nuk është mirësia, të ktheni ju fytyrën tuaj drejt lindjes apo perëndimit, por mirësia është (cilësi e atij) i cili beson në Allahun, në Ditën e Fundit, në melekët, në Librin dhe pejgamberët”.

“Me të vërtetë që Ne e kemi krijuar çdo gjë me kader (përcaktim)”.

Shkalla e tretë – Ihsani (Mirësia)

Ka vetëm një pjesë përbërëse: Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh Atë, e nëse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty. Argument janë fjalët e të Lartësuarit:

“Sigurisht që Allahu është me ata që i frikësohen Atij dhe që janë bëmirës”,

“Dhe mbështetu e vari shpresat tek i Gjithëfuqishmi, Mëshirploti, i Cili të sheh ty kur ti ngrihesh, dhe lëvizjet e tua mes atyre që bien në sexhde. Vërtetë që Ai, vetëm Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri”.

“As ti (o Muhamed) nuk bën ndonjë vepër, as nuk këndon ndonjë pjesë nga Kur’ani dhe as ju (njerëz) nuk bëni ndonjë vepër (të mirë ose të keqe), veç se Ne jemi Dëshmues mbi ju, kur ju e kryeni atë”.

E argumenti nga Sunneti është hadithi i njohur i Xhibrilit: “Transmetohet nga Umer ibn Hattabi r.a. se ka thënë: "Një ditë ishim duke ndenjur tek i Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, kur erdhi një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zeza. Në të nuk shfaqeshin shenja të udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njohnim. U ul pranë Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, duke i mbështetur gjunjët e vet në gjunjët e tij, i vendosi duart e veta në kofshën e tij dhe tha: "O Muhammed, më trego ç'është Islami?" I Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem tha: "Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguar i Allahut, ta kryesh namazin, ta ndash zekatin, ta agjërosh ramazanin, ta vizitosh Ka'bën, nëse ke mundësi ta bësh këtë!" Ai tha: "Të vërtetën e the". Ne u çuditëm po e pyetën dhe po e vërteton. Ai tha: "Më trego, ç'është imani?" (Pejgamberi) Tha: "Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e fundit dhe të besosh në të caktuarit e Tij; të të mirës dhe të keqes". Tha: "Të vërtetën e the". Tha: "Më trego ç'është ihsani?" (Pejgamberi) Tha: "Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty". Tha: "Më trego ç'është çasti (i fundit, dita e shkatërrimit)?" (Pejgamberi) Tha: "Për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga ai që pyet". Tha: "Më trego mbi shenjat e tij?" (Pejgamberi) Tha: "Kur robëresha të lindë zonjushë; kur të shihen barinjtë kembëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e godinave të mëdha". Pastaj shkoi, kurse unë mbeta një kohë. Pastaj (i Dërguari) tha: "O Umer, a e di kush ishte pyetësi?" Thashë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri ". Tha: "Vërtet ishte Xhibrili, erdhi t'ua mësojë fenë tuaj".”

PARIMI I TRETË

Njohja e të Dërguarit tuaj, Muhamedit alejhis selam

Ai është Muhammedi, i biri i Abdullahut, i biri i Abdulmutalibit, i biri i Hashimit. Hashimi është prej fisit Kurejsh, Kurejshët janë arabë, e arabët janë prej pasardhësve të Ismailit, birit të Ibrahim Halilit, paqja e shpëtimi i Zotit qoftë për të dhe për të Dërguarin tonë. Ka jetuar 63 vite, prej tyre 40 vite para dërgimit dhe 23 vjet si i dërguar (nebij dhe resul). U shpall i dërguar, Nebij, me fjalën “Lexo”, e u shpall i dërguar, Resul, me kaptinën “El Muddethir”. Vendlindja e tij është Mekka, ku e dërgoi Allahu për të tërhequr vërejtjen nga shirku dhe të thërrasë në Teuhid. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“O ti (Muhamed) i mbështjellë. Ngrihu dhe tërhiq vërejtjen. Dhe Zotin tënd madhëro. Dhe rrobat e tua i pastro. Dhe larg nga idhujt qëndro! Dhe mos jep gjë me qëllim që të kesh më shumë. Dhe ji i duruar për Hir të Zotit tënd”.

Domethënia e ajeteve- 
“Ngrihu dhe tërhiq vërejtjen”: tërhiq vërejtjen nga shirku dhe thërrit në Teuhid. 
“Dhe Zotin tënd madhëro”: madhëroje me Teuhid. 
“Dhe rrobat e tua i pastro”: pastro veprat e tua prej shirkut. 
“Dhe larg nga idhujt (Er ruxhze) qëndro”: Er ruxhz janë idhujt, e largimi nga ata është largimi prej tyre dhe ithtarëve të tyre dhe armiqësia e tyre dhe ithtarëve të tyre.
 
Duke u bazuar në këtë, bëri thirrje në Tevhid dhjetë vite e pas dhjetë vitesh u ngrit në qiell dhe iu bë detyrë falja e pesë namazeve. I ka falur namazet në Mekke tre vjet, e pastaj u urdhërua të shpërngulej në Medine. Shpërngulja (hixhreti) është kalimi prej vendit të shirkut në vendin e Islamit dhe shpërngulja është obligim për këtë popull, prej vendit të shirkut në vendin e Islamit, dhe do të vazhdojë deri kur të bëhet Kijameti. Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit:

“Sigurisht për ata të cilët melekët i marrin në vdekje ndërkohë që po i bënin padrejtësi vetvetes së tyre (duke qëndruar me jobesimtarët, në një kohë kur shpërngulja ishte e detyrueshme), ata (melekët) u thonë: "Në çfarë gjendje ishit?" Ata përgjigjen: "Ne ishim të dobët dhe të shtypur në tokë." (Melekët) U thonë: "A nuk ishte toka e Allahut e gjerë dhe e mjaftueshme për ju për t’u shpërngulur në të?"  Njerëz të tillë do ta gjejnë vendbanimin e tyre në Xhehenem. Sa përfundim i keq! Përveç të dobtëve, burra, gra dhe fëmijë të cilët nuk mund të mendojnë ndonjë rrugëdalje dhe nuk janë në gjendje të drejtohen në rrugën e tyre. Për këta ka shpresë se Allahu do t’i falë. Dhe Allahu është kurdoherë Falës, gjithnjë Falës i Madh”.

“O robërit e Mi që më besoni! Vërtetë që toka Ime është e gjërë. Më adhuroni pra vetëm Mua”.

Thotë Begaviu, Allahu e mëshiroftë: “Shkaku i zbritjes së këtij ajeti janë muslimanët që ende nuk ishin shpërngulur nga Mekka. Allahu i ftoi ata në emër të besimit”.

Argumenti i shpërnguljes nga Sunneti është fjala e tij (Muhamedit), sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Nuk ndërprehet shpërngulja, derisa të ndërprehet pendimi, e nuk ndërprehet pendimi derisa të lind dielli nga perëndimi”.

Pasi u vendos në Medine u urdhërua me ligjet e tjera të Islamit siç janë: Zekati, Agjërimi, Haxhi, ezani, Xhihadi, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja, e të tjera nga ligjet e Islamit dhe pas dhjetë vitesh vdiq, Allahu e begatoftë . Mbeti feja e tij, e  nuk la të mirë e që nuk e udhëzoi popullin në të, e nuk la të keqe e që nuk tërhoqi vërejtjen prej saj. E mira në të cilën udhëzoi është: besimi në një Zot (Tevhidi) dhe çdo gjë që Ai e don dhe është i kënaqur me të. E e keqja nga e cila na tërhoqi vërejtjen është: Shirku dhe çdo gjë që e urren Allahu dhe e refuzon. E dërgoi Allahu tek të gjithë njerëzit dhe e obligoi respektin për të për të dy grupimet: njerëzit dhe xhindët. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“Thuaj (O Muhamed): "O njerëz! Vërtetë që unë jam sjellë tek ju të gjithë si i Dërguar i Allahut"”. E plotësoi Allahu me të Fenë, e argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“Këtë ditë Unë e përsosa fenë tuaj për ju, plotësova Mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin si fe”. 

Argument për vdekjen e tij, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është Fjala e të Lartësuarit:

“Sigurisht që ti (Muhamed) do të vdesësh dhe padyshim që edhe ata do të vdesin, pastaj Ditën e Ringjalljes para Zotit tuaj ju do të haheni e do të kundërshtoheni mes njëri tjetrit”.

E të gjithë njerëzit pas vdekjes do të ringjallen e argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“Prej saj (tokës) Ne ju kemi krijuar, dhe në të do t’ju kthejmë ju, dhe prej saj Ne do t’ju nxjerrim ju përsëri edhe njëherë tjetër”.

“Dhe Allahu ju ka nxjerrë (nga dheu) i tokës? Pastaj Ai do t’ju kthejë në të dhe do t’ju nxjerrë prej saj (në ditën e Kijametit)”.

Pas ringjalljes merren në llogari dhe shpërblehen në bazë të veprave të tyre. Argument është Fjala e të Lartësuarit:

“Dhe Allahut i përkasin ç’është në qiej dhe gjithë ç’është në tokë, që Ai t’i shpërblejë ata që bëjnë të keqen me atë që ata kanë bërë dhe që Ai t’i shpërblejë ata që bëjnë të mirën me më të mirën”. E ai që e mohon ringjalljen është qafir, e argument këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“Pretendojnë ata që nuk besuan se ata nuk do të ringjallen më kurrë. Thuaju: "Po! Për Zotin tim! Ju pa asnjë dyshim do të ringjalleni, pastaj ju do të njoftoheni për çfarë punuat dhe kjo është mjaft e lehtë për Allahun"”.

Të gjithë pejgamberët i ka dërguar për të përgëzuar dhe për të paralajmëruar dënimin, e argument është Fjala e të Lartësuarit:

“Të Dërguar si përgëzues dhe si paralajmërues në mënyrë që njerëzimi të mos ketë më arsye për t’u shfajësuar ndaj Allahut pas të Dërguarve”. E i pari prej tyre është Nuhi alejhis selam, e i fundit është Muhamedi s,al-lall-llahu alejhi ue sel-lem, e ai është vula e të gjithë pejgamberëve, e argument se i pari është Nuhi është Fjala e të Lartësuarit:

“Vërtetë Ne të kemi frymëzuar ty, siç frymëzuam Nuhin dhe Pejgamberët pas tij”. Çdo populli Allahu i dërgoi pejgamber, prej Nuhit e deri te Muhamedi, që t’i urdhërojnë ata ta adhurojnë vetëm Allahun Një dhe t’i ndalojnë nga adhurimi i tagutëve. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“Dhe me të vërtetë që Ne kemi çuar te çdo popull të Dërguar (duke shpallur): Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni e rrini larg Tagutit”. Allahu e obligoi për të gjithë robërit e Tij mohimin e Tagutit dhe besimin në Allahun. Thotë Ibnul Kajjimi, Allahu e mëshiroftë: “Domethënia e fjalës Tagut është çdo gjë që robi e kalon me të kufirin e të adhuruarit, të pasuarit dhe të respektuarit. Tagutët janë shumë por kryesorë janë pesë: Iblisi, Allahu e mallkoftë; ai që adhurohet e është i kënaqur me të; ai që i thërret njerëzit që ta adhurojnë; ai që pretendon se e din Diturinë e Fshehtë dhe ai që sundon e gjykon me ligj tjetër nga ai që e zbriti Allahu”. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:

“Nuk ka asnjë detyrim në fe. Vërtetë, Rruga e Drejtë është bërë e qartë nga rruga e gabuar. Kushdo që mohon Tagutin dhe beson në Allahun është kapur për mbajtësin më të sigurtë që nuk thyhet kurrë. Dhe Allahu është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri”.

Kjo është domethënia e fjalës La ilahe il-lall-llah. Thuhet në hadith: “Kreu i çështjes është Islami, shtylla e tij është namazi e kulmi i tij Lufta në Rrugën e Allahut (Xhihadi) ”. 

Allahu është Ai që di më së miri.
Përfundoi sqarimi i tre parimeve.

Post a Comment

0 Comments