Hajj & Pilgrims Mistakes Albanian | Gabime në të cilat bien disa haxhile

Mistakes in which some Hajji Pilgrims fall Albanian Language | Gabime në të cilat bien disa haxhilerë


Gabime në të cilat bien disa haxhilerë

Muhamed b. Salih El Uthejmin

Përktheu: Driton Lekaj

Source: IslamHouse.com

Parathënie:

Mistakes in which some Hajji Pilgrims fall in Albanian Language | Gabime në të cilat bien disa haxhilerë:

Mistakes in which some Hajji Pilgrims fall Albanian Language Gabime në të cilat bien disa haxhilerë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të Botëve dhe lavdërimi e shpëtimi qofshin mbi pejgamberin tonë Muhamedin, vulën e profetëve si dhe mbi familjen e shokët e tij dhe të gjithë ata që udhëzohen me udhëzimin e tij deri në ditën e Gjykimit, e më pas:

Allahu i lartësuar ka thënë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (El Ahzab: 21) 
 
Dhe ka thënë qoftë i lartësuar: “Pra besoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson Allahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.” (El Araf: 158)
 
Dhe ka thënë: “Thuaj: "Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” ( Ali Imran: 31)

Dhe ka thënë: “E ti pra mbështetu në Allahun se me të vërtetë ti je në të drejtën e sigurt.” (En Neml: 79) dhe thotë: “Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos iluzione, e si po ia ktheni shpinën (të vërtetës)?” (Junus:32)
  
Atëherë, çdo gjë që e kundërshton udhëzimin e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) dhe metodologjinë e tij është e kotë dhe devijim, si dhe nuk i pranohet atij që e vepron, sikur që ka thënë Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të): “Kush e vepron një vepër e cila nuk përputhet me çështjen tonë, ajo është e refuzuar.”  d.m.th. refuzohet nga ai që e vepron dhe nuk pranohet prej tij.
   
Disa muslimanë, Allahu i udhëzoftë, i bëjnë disa vepra që lidhen me adhurimet por, që nuk janë të mbështetura në librin e Allahut dhe synetin e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) e sidomos në haxh, ku dhe janë shtuar ata që japin fetva pa dije, sa që pozita e muftisë, te disa njerëz, i ngjan një tregu të volitshëm për të fituar famë dhe autoritet. Si rezultat i kësaj është devijimi i vetes dhe të tjerëve, e kjo edhe është aktuale. Është obligim për muslimanin që të mos marr përsipër dhënien e fetvasë vetëm se me dije e cila do t’i shërbente si argument para Allahut të lartësuar. Kjo, sepse ai është në pozitën e kumtuesit nga Allahu dhe flet në emër të Tij. Le të kujton para fetvasë fjalën e Allahut për Pejgamberin e tij (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të): “Sikur të trillonte ai (Muhamedi) për Ne ndonjë fjalë! Ne do ta kapim atë me fuqinë Tonë. E pastaj do t'ia këputnim atij arterien e zemrës. E askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij.” (El Hakka: 44- 47)
  
Dhe fjalën e Allahut të lartësuar: “Thuaj: "Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të hapëta ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t'i mvishni Allahut shok pa pas për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për Allahun atë që nuk e dini se është e vërtetë.” (El Araf: 33) 
   
Shumica e gabimeve që i bëjnë haxhilerët rezultojnë nga kjo – kam për qëllim: dhënien fetva pa dije – si dhe nga pasimi i verbër që njerëzit e thjeshtë ia bëjnë njëri tjetrit, pa argument. 
   
E ne – me ndihmën e Allahut – do të sqarojmë veprat që janë në pajtim me synetin por, në të cilat ndodhin shpesh gabimet, duke tërhequr vërejtjen gjithashtu edhe për gabimet. E lusim Allahun që të na jep sukses dhe që në këtë të ketë dobi për vëllezërit  e tonë muslimanë, e Ai është Bujar dhe Fisnik.


Ihrami dhe gabimet në të    
   
Është vërtetuar në hadithin e shënuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerët, të cilin e transmeton Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dytë) se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) e ka caktuar si mikat për medinasit - Dhul Hulejfen, për banorët e Shamit - Xhuhfen, për banorët e Nexhdit - Karnul Menazil dhe për ata të Jemenit, - Jelemlemin dhe ka thënë: “Ato janë  vendkalime për ta (njerëzit e vendeve të përmendura më lartë)  dhe për ata që kalojnë nëpërmjet tyre, po që nuk janë banorë të tyre, e që synojnë të kryejnë haxhin apo umren.”
   
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka transmetuar se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të): “E ka caktuar si mikat  (vendkalim)  për banorët e Irakut, Dhate Irk.” 
   
Është vërtetuar në hadithin që e ka shënuar Buhariu dhe Muslimi, e që e transmeton Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dytë) se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Banorët e Medinës e thonë telbijen prej Dhul Hulejfes, banorët e Shamit nga Xhuhfeja, ndërsa banorët e Nexhdit nga Karni.”   
  
Këto mikate të cilat i ka përcaktuar Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) janë kufij fetar të përcaktuar nga Ligjvënësi dhe nuk i lejohet askujt që t’i ndryshojë, t’i cenojë në çfarëdo mënyre apo t’i kalojë ato pa ihram për atë që dëshiron ta kryej haxhin apo umren, ngase nëse ndodh kjo llogaritet si tejkalim i padrejtë i kufijve të Allahut, i cili thotë: “Kush i tejkalon dispozitat e Allahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.” (El Bekare: 229), gjithashtu Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë në hadithin e Ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me ata dy): “Banorët e Medines e thonë telbijen prej Dhul Hulejfes, banorët e Shamit nga Xhuhfeja ndërsa banorët e Nexhdit nga Karni.”     
  
E ky është lajm në kuptim të urdhrit.
   
E Ihlal d.m.th.: Ngritja e zërit kur të shqiptohet telbija, e kjo nuk ndodh vetëm se pas bërjes së nijetit. Prandaj, bërja nijet nga këto vendkalime është obligim për atë që synon haxhin apo umren kur të kalon përmes tyre apo pranë tyre qoftë përmes rrugëve tokësore, ajrore apo detare.
 
Po që se vjen nëpër rrugë tokësore zbret te mikati, nëse rruga kalon nëpër të, apo nëse nuk kalon nëpër të zbret te vendi që është në të njëjtin drejtim me të.  Kur  të zbret, vepron atë që duhet ta bëjë kur ta bëjë nijetin (ihramin) si: pastrimi, parfumosja e trupit, veshja e rrobave të ihramit dhe pastaj e bën nijetin para se të niset.  
   
E poqëse vjen nëpër det, nëse anija ndalet në vendin që është në të njëjtin drejtim me mikatin, atëherë pastrohet, parfumohet dhe i vesh teshat e ihramit e pastaj e bën nijet para se të niset. E nëse nuk ndalet në vendin që është në drejtim me mikatin, atëherë pastrohet, parfumohet dhe i vesh teshat e ihramit para se anija të kaloj pranë mikatit, e pastaj e bën nijet kur të kalon pranë tij.
   
E nëse udhëton përmes rrugëve ajrore pastrohet para se të hip në aeroplan, ndërsa parfumohet dhe i vesh teshat e ihramit para se të kaloj pranë mikatit e pastaj e bën nijet pak para se të kaloj pranë tij dhe nuk pret gjersa të jetë në një drejtim me të, ngase aeroplani kalon me shpejtësi dhe nuk i jep shans ta bëjë këtë.  Nëse e bën nijetin  më herët - para se të arrij pranë mikatit , në shenjë kujdesi, lejohet dhe nuk obligohet me asgjë.
   
Gabimin që e bëjnë disa njerëz kur udhëtojnë me aeroplan është se ata kalojnë mbi mikatin, apo mbi vendin që është në një vijë me të, e pastaj e vonojnë bërjen e nijetit gjersa të zbresin në aeroportin e Xhides, kjo është në kundërshtim me urdhrin e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe përbën shkelje të kufijve të Allahut të lartësuar.
    
Në sahihun e Buhariut shënohet transmetimi nga Abdullah b. Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) se ka thënë: “Kur janë çliruar këto dy vende – d.m.th. Basra dhe Kufe – i erdhën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe i thanë: “O Udhëheqës i besimtarëve, Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e ka përcaktuar si vendkalim për banorët e Nexhdit, Karnin  por, ai është i shmangur nga rruga jonë e nëse dëshirojmë të shkojmë deri te ai e kemi të vështirë? Ai tha: Shikoni se cili vend gjatë rrugës tuaj është në të njëjtin drejtim me të.”  
  
Kështu që udhëheqësi i besimtarëve, njëri nga kalifët e drejtë, e ka konsideruar mikat vendin që është në një vijë me mikatin për atë që nuk kalon nëpër të. E ai që kalon pranë mikatit përmes transportit ajror është sikurse që ai që kalon pranë tij përmes rrugëve tokësore, nuk ka dallim. 
   
E nëse njeriu bie në këtë gabim dhe zbret në Xhide para se ta bëjë nijet, atëherë ai duhet të kthehet deri te mikati që ka kaluar pranë tij me aeroplan dhe ta bëjë nijetin prej tij! E nëse nuk vepron kështu, shumica e dijetarëve mendojnë se ai duhet të shpaguajë me kurban të cilin do ta therte në Mekë dhe do t’ua shpërndante të varfërve në të, por as nuk ushqehet prej mishit të tij, e as nuk i dhuron diçka ndonjë të pasuri për shkak se ai konsiderohet shpagim.

Tavafi dhe gabimet praktike në të

   
Është vërtetuar se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e ka filluar tavafin nga guri i zi, d.m.th. këndi lindor jemenas në Qabe. Pas gurit ai bënte tavaf rreth tërë Qabesë. Ai bënte reml (ecte me hapa të përshpejtuar) vetëm në tre rrathët e parë dhe vetëm në tavafin që e kryen në fillim të ardhjes së tij në Mekë. 
   
Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e prekte gurin e zi dhe e puthte atë. Ai e preku me dorën e tij dhe e puthi atë,  e preku atë me kërrabën  që e kishte me vete dhe e puthi kërrabën kur ndodhej hipur mbi devenë e tij. Ai gjithashtu ka bërë tavaf i hipur mbi devenë e tij dhe sa herë që kalonte pranë këndit d.m.th. gurit bënte me shenjë kah ai. Gjithashtu është vërtetuar prej tij se ai e prekte këndin jemenas.
   
E ndryshimi i mënyrave të prekjes së gurit – e Allahu e dinë më së miri – është bërë sipas lehtësisë, që do të thotë cila metodë i ka ardhur më e lehtë e ka përdorur. E çdo gjë që ka vepruar qoftë prekja, puthja apo bërja me shenjë drejt tij në të vërtetë është adhurim ndaj Allahut dhe madhërim i Tij e jo për shkak të besimit se guri bën dobi apo dëm. Buhariu dhe Muslimi shënojnë se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) e puthte gurin e zi dhe thoshte: “Unë e di se ti nuk bën dëm as dobi dhe po të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut duke të puthur, nuk do të puthja!”

Gabimet të cilat i bëjnë disa haxhilerë:

Fillimi i tavafit qysh para se të arrij te guri d.m.th. mes tij dhe këndit jemenas. Kjo është prej teprimit në fe nga i cili ka ndaluar Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). Kjo nga disa anë i përngjan ndalesës për t’i parapri Ramazanit me një apo dy ditë agjërim, e që është vepër e ndaluar. Pretendimi i disa haxhilerëve se këtë e vepron për shkak të kujdesit është i papranueshëm! Kujdesi i kërkuar dhe real është në pasimin e rregullave fetare dhe në mostejkalimin e urdhrave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
 
Kryerja e tavafit gjatë turmës së madhe vetëm 
përreth pjesës katrore të Qabes ashtu që hyn nga dera e këndit (të Ismailit) dhe del përmes derës përballë nga ana e djathtë! Ky gabim është i madh dhe nuk i pranohet tavafi atij që vepron kështu. Në të vërtetë ai nuk ka bërë tavafin rreth Qabesë por, vetëm rreth një pjese të saj.

Remli në të shtatë rrathët.
Shtyrja me njëri tjetrin për të arritur deri te guri, për ta puthur atë ashtu që në disa raste çon deri te grindja dhe fyerja. Me këtë rast ndodh përleshja me duar dhe thuhen fjalë ofenduese që nuk janë të hijshme të kryhen në xhaminë e shenjtë të Allahut dhe nën hijen e shtëpisë së Tij, e me këtë pakësohet shpërblimi i tavafit, bile edhe i krejt haxhit, siç thotë Allahu i lartësuar: “Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje.” (El Bekare: 197) Kjo shtyrje në turmë e humb përuljen dhe e bën të harroj përmendjen e Allahut të lartësuar, e këto dyja janë synimet më të mëdha të tavafit.

Bindja e tyre se guri të bën dobi vetvetiu për këtë e sheh se si kur ta prekin atë i fshinë duart e tyre për pjesën tjetër të trupit apo për fëmijët të cilët i kanë me vete, e tërë kjo është injorancë dhe devijim. Dobia apo dëmi janë vetëm prej Allahut. E më herë përmendëm fjalën e udhëheqësit të besimtarëve, Umerit: “Unë e di se ti nuk bën dëm as dobi dhe po të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut duke të puthur, nuk do të puthja!”

Prekja e të gjitha këndeve të Qabesë nga disa 
haxhilerë të cilët ndoshta i prekin të gjitha muret e Qabesë dhe e fshinë trupin e tyre për to, e kjo është injorancë dhe devijim. Prekja me këtë rast është adhurim dhe madhërim ndaj Allahut të lartësuar, prandaj duhet të ndalemi në atë që është transmetuar nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) nuk ka prekur prej Qabesë vetëm se dy këndet e saj jemenase (gurin e zi, e i cili është i vendosur në këndin jemenas lindor dhe këndin jemenas perëndimor). Në musnedin e Imam Ahmedit transmetohet nga Muxhahidi e ky prej Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) se njëherë ai e bënte tavafin së bashku me Muavijen (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili filloi t’i prekte të gjitha këndet, e Ibn Abasi i tha: Ju keni në të Dërguarin e Allahut shembullin më të lartë! E Muavije iu përgjigj: Të vërtetën e ke thënë.

Tavafi dhe gabimet në të shprehur:

Është vërtetuar se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë “Allahu Ekber” sa herë që ka ardhur te guri i zi. Dhe thoshte kur ishte në mes të këndit jemenas dhe gurit të zi: “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr"!” (El Bekare: 201) dhe thoshte: “Në të vërtetë Tavafi rreth Qabesë, Sa’ji mes Safasë dhe Mervas si dhe gjuajtja e gurëve janë ligjësuar për ta përmendur Allahun.”
  
E gabimi që e bëjnë disa njerëz që bëjnë tavaf është veçimi i çdo rrethi prej tij me një dua të posaçme dhe nuk lutet në të me diçka tjetër, sa që nëse e plotëson rrethin para se ta plotësoj duanë e ndërprenë atë qoftë edhe nëse i ka mbetur prej saj edhe një fjalë e vetme; e që më pas të vjen me duanë e re të rrethit i cili vijon dhe e kundërta, nëse e kryen duanë para se ta plotëson rrethin, hesht.
   
Në tavaf nuk është transmetuar nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ndonjë dua e posaçme për secilin rreth. Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Dhe në të – d.m.th. në tavaf – nuk ka ndonjë dhikër të posaçëm të transmetuar nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) as si urdhër i tij, as si fjalë e as si udhëzim i tij por, lutet në të me të gjitha lutjet fetare. Atë që e përmendin disa njerëz prej duasë së posaçme nën ‘mizab’ e të ngjashme me këtë, për të nuk ka bazë.”
  
Për këtë, ai që bën tavaf lutet në të për të mirat e kësaj bote dhe tjetrës dhe e përmend Allahun  e lartësuar me çdo dhikër të ligjësuar si tesbihi, tahmidi, tehlili, tekbiri apo lexim të Kuranit. Prej gabimeve që i bëjnë disa që bëjnë tavaf është se ata marrin disa lutje të shkruara dhe bëjnë dua me to duke mos e ditur kuptimin e tyre. Ndoshta edhe në to ka gabime prej botuesit, të cilat e rrotullojnë kuptimin për njëqind e tetëdhjetë shkallë, gabime të cilat e kthejnë duanë e atij që bën tavaf në dua kundër tij, si pasojë e kësaj ai lutet kundër vetes së tij duke mos e hetuar. Për këtë kemi dëgjuar gjëra shumë të çuditshme. Nëse ai që bën tavaf e lut Zotin e tij për atë që e dëshiron, e dinë dhe e synon kuptimin e tij do të ishte më mirë për të dhe më e dobishme dhe do të ishte më afër pasimit dhe ndjekjes së Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). 
    
Prej gabimeve tjera që i bëjnë njerëzit gjatë tavafit është: bashkohen në një grup me një udhëheqës i cili i udhëheq në tavaf dhe ua përcjellë duanë me zë të lartë, e grupi e përcjellë atë me një zë, ashtu që ngritën zërat dhe ndodh kaos si dhe kjo shkakton konfuzion te njerëzit e tjerë sa që nuk dinë se çka janë duke thënë; Përmes kësaj humbet përulja dhe shqetësohen robërit e Allahut në këtë vend të sigurt! Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) kishte dalë njëherë dhe njerëzit faleshin dhe lexonin Kuran me zë të lartë, atëherë Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) tha: “Secili nga ju po i flet Zotit të tij, prandaj mos ta ngritë zërin ndokush më tepër se tjetri gjatë leximit të Kuranit.”
   
Sa mirë do të ishte që ky udhëheqës kur t’i afroheshin Qabesë të ndalet me ta dhe t’u thotë atyre: veproni kësisoj, thoni kësisoj, lutuni nga ajo që e dëshironi dhe e bën tavafin me ta ashtu që asnjëri nga ata të mos gaboj, ta kryejnë tavafin me përulje e qetësi dhe ta lusin Zotin e tyre me frikë dhe shpresë prej asaj që dëshirojnë, dinë dhe e synojnë kuptimin e saj, gjithashtu njerëzit do të shpëtonin nga shqetësimi i tyre.

Dy rekatet pas tavafit dhe gabimet në to

 
Është vërtetuar se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) kur e ka përfunduar tavafin është drejtuar drejt mekamit të Ibrahimit dhe ka lexuar: “Vendin ku qëndroi Ibrahimi pranojeni për vendfaljeje!” (El Bekare: 125) dhe i ka falur dy rekate, e mekami ishte mes tij dhe Qabesë.  Në rekatin e parë ka lexuar fatihan dhe “Thuaj: “O ju jobesimtarë!” (El Kafirun: 1) ndërsa në rekatin e dytë: Fatihan dhe “Thuaj: Ai, Allahu është Një!” (El Ihlas: 1)      
  
*Gabimin që e bëjnë disa njerëz është mendimi i tyre se duhet patjetër të falen këto dy rekate afër mekamit, kështu që grumbullohen dhe i shqetësojnë ata që bëjnë tavafin në ditët e haxhit, si dhe e pengojnë ecjen normale të tavafit; e ky mendim është i gabuar. Dy rekatet pas tavafit mund të falen në çdo pjesë të xhamisë dhe ka mundësi që mekami të jetë mes tij dhe Qabesë edhe nëse është larg prej tij, kështu që mund të falet në brendësi të xhamisë, apo në korridore të saj duke shpëtuar veten dhe të tjerët nga shqetësimi dhe me këtë arrin të falë namazin me përulje dhe qetësi.
  
Kishte me qenë mirë sikur përgjegjësit e Xhamisë së Shenjtë të pengonin ata që i shqetësojnë njerëzit që bëjnë tavaf  pas mekamit dhe afër tij dhe t’ua sqaronin se kjo nuk është prej kushteve  të dy rekateve pas tavafit.
    
* Gjithashtu prej gabimeve që bëhen është se disa që falen pas mekamit, falin  rekate të shumta pa ndonjë shkak, me gjithë nevojën e njerëzve të cilët e kanë përfunduar tavafin për vendin e tyre.
   
* Prej gabimeve është se disa kur i kryejnë dy rekatet pas tavafit, udhëheqësi i tyre ndalet me ta dhe luten me zë të lartë e kësisoj ju pengojnë atyre që falin namaz dhe ua cenojnë të drejtat, ndërsa Allahu i lartësuar thotë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (El Araf: 55)

Ngjitja mbi Safa dhe Merve, duaja mbi to, saji (vrapimi i lehtë) mes dy shenjave dhe gabimet në këtë

 
Është vërtetuar se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) kur u afrua afër Safasë lexoi ajetin: “"Safa" dhe "Merve" janë nga shenjat (për adhurim) e Allahut” (El Bekare: 158) pastaj u ngjit mbi të gjersa e pa Qabenë, u kthye kah kibla, i ngriti duart dhe ka filluar ta falënderoj Allahun, t’i lutej me atë që e donte dhe ta njësonte Allahun e madhëronte Atë si dhe thoshte: “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul Mulku ve lehul Hamdu ve huve ala kul-li shej’in Kadir. La ilahe il-lAllahu vahdehu, enxheze va’dehu, ve nasare abdehu, ve hezemel ahzabe vahdehu.” (Nuk ka zot që meriton adhurimin pos Allahut, i Cili është i pashoq. Vetëm atij i takon sundimi dhe falënderimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo gjë. Nuk ka zot tjetër që meriton adhurimin pos Allahut që është i vetëm. Ai e përmbushi premtimin e Tij, e bëri triumfues robin e Tij dhe i Vetëm i mundi grupacionet.” Kësisoj ka thënë tre herë dhe është lutur mes tyre, pastaj ka zbritur, e kur ka arritur në mes të luginës – e që tash është mes dy shenjave të gjelbra – ka vrapuar gjersa i ka kaluar e pastaj ka ecur deri në Merva dhe mbi Merva ka vepruar atë që e veproi mbi Safa. 
    
* Gabimin që e bëjnë disa njerëz te Sa’ji është se kur të ngjitën mbi Safa dhe Merve drejtohen nga kibleja, marrin tekbir tre herë duke i ngritur duart dhe bëjnë me shenjë sikurse që veprojnë në namaz, e pastaj zbresin. E kjo është në kundërshtim me atë që vepronte Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) Prandaj, ose ta praktikojnë synetin ashtu si është transmetuar, nëse ju lehtësohet, ose ta lënë atë por, të mos shpikin ndonjë vepër që nuk e ka vepruar Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të).
   
* Prej gabimeve që bëjnë disa haxhilerë është se ata vrapojnë mes Safasë dhe Mervas gjatë gjithë ecjes mes Safasë dhe Mervas, e kjo është në kundërshtim me synetin. Sa’ji me vrapim të lehtë kryhet mes dy shenjave, ndërsa ecet në pjesën e mbetur të tij. Në të shumtën e rasteve që ndodh ky gabim ose ndodh për shkak të injorancës së atij që e vepron apo nga dëshira e shumë njerëzve për t’u ngutur dhe për ta kryer sa më shpejt sajin, e nga Allahu kërkojmë ndihmë. 

Qëndrimi në Arafat dhe gabimet që ndodhin në të

Është vërtetuar se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka qëndruar ditën e Arafatit në Nemire gjersa ka anuar dielli prej Zenitit, pastaj ka hipur mbi devenë e tij dhe më vonë ka zbritur dhe ka falur drekën dhe ikindinë duke i bashkuar në kohën e drekës, me një ezan dhe dy ikamete. Pastaj ka hipur në devenë e tij gjersa ka arritur në Arafat, në një pjesë të tij. Aty ka qëndruar në këmbë dhe ka thënë: “Unë jam ndalur këtu por, Arafati i tëri është vendqëndrim.” Ai vazhdoi të qëndronte në këmbë i kthyer drejt kibles dhe me duar të ngritura duke e përmendur Allahun dhe lutur Atë gjersa ka perënduar dielli dhe u fsheh disku i tij, e më pas u nis për në Muzdelife.
 

Mistakes in which some pilgrims fall into Albanian Language | Gabime në të cilat bien disa haxhilerë


Gabimet të cilat i bëjnë disa haxhilerë:

Disa haxhilerë zbresin jashtë kufijve të Arafatit
 
dhe mbesin në vendqëndrimet e tyre gjersa të perëndon dielli, e pastaj nisen prej Arafatit për në Muzdelife, realisht pa qëndruar në Arafat. Ky është gabim i madh që si pasojë e humb haxhin, ngase qëndrimi në Arafat është shtyllë e haxhit, e që pa të haxhi nuk është i saktë.  
   
Ai që nuk qëndron në Arafat në kohën e përcaktuar për qëndrim në të, atëherë nuk ka haxh për shkak të fjalës së Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Haxhi është (qëndrimi në) Arafat. Ai që vjen në Arafat në natën e Muzdelifes para se të del dielli, veçse e ka arritur qëndrimin në Arafat.” Këtë gabim trashanik e shkakton mashtrimi i njerëzve me njëri tjetrin; ngase disa prej tyre zbresin para se të arrij në Arafat dhe nuk hulumton për shenjat që precizojnë kufijtë e tij; Kësisoj njeriu ia humb vetes haxhin dhe mashtron të tjerët. 
   
Kishte me qenë shumë mirë sikur organet kompetente të haxhit t’u shpallin njerëzve përmes një mjeti që i informon të gjithë, në gjuhë të ndryshme, dhe të sigurohen që përgjegjësit për haxhin ua tërheqin vërejtjen  haxhilerëve, ashtu që njerëzit të jenë syçelë për adhurimet e tyre dhe ta kryejnë haxhin e tyre në mënyrën më të mirë dhe të pranuar.

Disa haxhilerë nisen prej Arafatit para se të 
perëndoj dielli e kjo është e ndaluar (haram) për shkak se bie ndesh me synetin  e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i cili kishte qëndruar gjersa ka perënduar dielli dhe është fshehur disku i tij. Gjithashtu largimi prej Arafatit para se të perëndoj dielli është prej veprave të kohës së injorancës.

Disa të tjerë drejtohen drejt kodrës, kodrës së 
Arafatit gjatë lutjes edhe pse kibleja është mbrapa shpinave të tyre apo në të djathtë e të majtë të tyre, e kjo është në kundërshtim me synetin. Synet është të drejtohemi drejt kibles, sikurse që ka vepruar Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të)

Hedhja e gurëve dhe gabimet në këtë

Është vërtetuar se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka gjuajtur Xhemretul Akabe e që është xhemreja më e largët por, që është më afër Mekës, me shtatë guralecë në paraditen e ditës së Bajramit dhe merre tekbir pas hedhjes së çdo guraleci. Çdo guralec prej tyre është sikurse gurët e vegjël që përdoren për ‘hadhf’ apo pak më të mëdha se kokrra e humusit. Në sunenin e Nesaiut transmetohet nga Fadl b. Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) – se ai ishte hipur mbrapa Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) nga Muzdelife deri në Mina- e ai ka thënë: “Ka zbritur – d.m.th. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) – në luginën e Muhassirit dhe ka thënë: “Mblidhni guralecë që hedhen si ‘hadhf’, me të cilët gjuhen xhemret.” dhe ka shtuar: Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka aluduar me dorën e tij, sikurse njeriu kur gjuan guralecë (që i ka vendosur mes gishtit të madh dhe atij tregues). 
   
Në Musnedin e Imam Ahmedit transmetohet nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) më ka thënë në mëngjesin e Akabes , gjersa ishte hipur mbi devenë e tij: “Mblidh disa guralecë për mua” Ia mblodha atij disa guralecë që ishin të madhësisë së guralecëve të ‘hadhfit’, e ai i vendosi në dorën e tij dhe tha: “Përdorni guralecë të ngjashëm me këta”, e përsëriti dy herë dhe e ngriti dorën e tij, pastaj tha: “Largojuni ekstremizmit, ngase në të vërtetë ata para jush u shkatërruan për shkak të ekstremizmit në fe.”
   
Umu Sulejman b. Amr b. El As (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: E kam parë të Dërguarin e Allahut duke e gjuajtur Xhemretul Akabe nga brendësia e luginës ditën e Bajramit dhe ai thoshte: “O ju njerëz! Mos e vritni njëri tjetrin! Nëse e gjuani xhemren, atëherë gjuani atë me guralecë të madhësisë atzre qëpërdoren për ‘hadhf’.”  
   
Në sahihun e Buhariut transmetohet nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dytë) se: “Ai e gjuante xhemren e poshtme me shtatë guralecë dhe merrte tekbir pas çdo guraleci të gjuajtur, pastaj ecte para gjersa largohej nga turma dhe qëndronte gjatë i drejtuar nga kibleja, i ngrinte duart dhe lutej. Pastaj e gjuante xhemren e mesme dhe merrte anën e majtë gjersa lirohej nga turma dhe qëndronte gjatë i drejtuar nga kibleja, i ngrinte duart dhe lutej. Pastaj e gjuante xhemretul akabe nga brendësia e luginës por, nuk qëndronte tek ajo dhe largohej. Ai thoshte se kështu e kam parë të Dërguarin e Allahut duke vepruar.” 
   
Ahmedi dhe Ebu Davudi transmetojnë nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Në të vërtetë Tavafi rreth Qabesë, Sa’ji mes Safasë dhe Mervas si dhe gjuajtja e gurëve janë ligjësuar për ta përmendur Allahun.”

Gabimet të cilat i bëjnë disa haxhilerë janë:

1. Bindja e tyre se patjetër gurët duhet t’i marrin nga Muzdelife. Ata e lodhin veten e tyre duke i mbledhur ato natën dhe duke i marrë me vete në ditët e Minas, sa që ndonjëri nga ata nëse i humbin gurët e tij pikëllohet me një pikëllim të madh dhe kërkon nga shokët e tij që t’i dhurojnë atë që ju ka tepruar nga gurët e Muzdelifes ...  
 
Prej asaj që sqaruam më herët u bë e ditur se kjo vepër nuk ka bazë në traditën e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe se ai e kishte urdhëruar Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të dytë) që t’ia mblidhte guralecët ndërsa ai qëndronte në devenë e tij. Dhe ajo që kuptohet është se ky qëndrim ka qenë te xhemreja ngase, nuk është transmetuar se ai ka qëndruar diku tjetër pasi që është nisur nga Muzdelife më herët, si dhe kjo është koha kur nevojiten, përndryshe nuk do ta urdhëronte t’i mblidhte përderisa nuk ka nevojë për to dhe nuk ka arsye për t’i bartur.

2.  Bindja e tyre se ata kur gjuajnë gurët e gjuajnë shejtanin (djallin), për këtë edhe i emërtojnë si shejtana vendet e gjuajtjes dhe thonë: E gjuajtëm shejtanin e madh apo të voglin apo e gjuajtëm babanë e shejtanëve, e kanë për qëllim gjuajtjen e xhemres së madhe - xhemretul akabe. Si dhe shprehje të tjera të ngjashme të cilat nuk përkojnë me këto rituale. I sheh gjithashtu se si ata i gjuajnë guralecët fuqishëm, me vrull, të shoqëruar  me britma, fyerje dhe ofendim të këtyre shejtanëve sipas tyre. Sa që kemi parë një person se si ngjitej mbi të dhe e godiste atë me nalle apo gurë të mëdhenj me nervozizëm dhe i emocionuar, edhe pse  guralecët që i gjuanin njerëzit e godisnin ai e godiste atë më me nervozizëm dhe ashpërsi ndërsa njerëzit përreth tij qeshnin, ishte si një skenë e një drame komike. Këtë e kemi parë para se të ngritëshin urat  dhe shtyllat e xhemreve. Tërë kjo është e ndërtuar mbi këtë bindje se haxhilerët e gjuajnë shejtanin, e për këtë nuk ka bazë të saktë që mund të mbështetemi në të. 
  
Ti tashmë e ke kuptuar urtësinë e ligjësimit të gjuajtjes së xhemerateve e që është për ta përmendur Allahun. Për këtë Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) merrte tekbir pas çdo guraleci të gjuajtur.
 
3. Gjuajtja e xhemerateve me gurë të mëdhenj dhe me këpucë (nalle), këpucë (çizme) dhe copë druri. Ky është gabim i madh dhe  bie ndesh me atë që e ka ligjësuar Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) për umetin e tij përmes veprës dhe urdhrit të tij.   

Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) vetë ka gjuajtur me guralecë të madhësisë së atyre që përdoren për ‘hadhf’ dhe ka urdhëruar umetin e tij të gjuajnë me guralecë të ngjashëm duke ua ka tërhequr vërejtjen nga ekstremizmi në fe. Shkaku i këtij gabimi të madh siç u përmend është bindja e tyre se ata e gjuajnë shejtanin.
 
Nisja për xhemerat me ashpërsi dhe vrull , të pa përulur ndaj Allahut të lartësuar dhe  të pamëshirshëm ndaj robërve të Tij. Kështu që me këtë vepër i shqetësojnë myslimanët dhe i dëmtojnë ata si dhe ndodh ofendimi dhe përleshja, që e shndërron këtë adhurim dhe këtë vend në një skenë të ofendimit dhe përleshjes. Me këtë, e devijon atë nga urtësia për të cilën është obliguar dhe nga tradita së Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). Nga Kudame b. Abdil-lah b. Ammar transmetohet se ka thënë: “E kam parë Pejgamberin (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ditën e Bajramit se si e gjuante Xhemretul Akabe, i hipur mbi një deve me ngjyrë të çelët, dhe njerëzit e as nuk goditnin, as nuk largonin dhe as nuk shtynin haxhilerët e tjerë.”

Lënia e qëndrimit për dua pas gjuajtjes së xhemres së parë dhe të dytë, ditëve të teshrikut. Ti veçse e ke kuptuar se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) qëndronte i drejtuar nga kibleja me një qëndrim të gjatë, i ngrinte duart dhe lutej gjatë. Arsyeja pse njerëzit e kanë lënë këtë qëndrim është injoranca  e tyre për synetin apo dëshira e shumë njerëzve për t’u ngutur dhe të lirohen prej adhurimit. Sa mirë do të ishte sikur haxhiu t’i mësonte dispozitat e haxhit para se ta kryente haxhin me qëllim që ta adhuroj Allahun syçelë dhe ta realizoj pasimin e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). Nëse një njeri udhëton drejt një vendi do ta shohësh se si pyet për rrugën e tij gjersa të arrij atje, pas një dëftimi që i është bërë, e si është puna me atë që dëshiron ta ndjekë një rrugë që e dërgon te Allahu dhe xheneti i Tij!? A nuk është meritore që të pyet për të, para se ta ndjek atë, që të arrij gjer te qëllimi?!
 
Gjuajtja e të gjithë gurëve përnjëherë: e ky është gabim i madh. Dijetarët kanë thënë se nëse i gjuan gurët përnjëherë me një grusht kjo nuk i llogaritet vetëm se një gurë i vetëm. Është obligim që guralecët t’i gjuajë një nga një sikurse që ka vepruar Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të).

Përmendja e lutjeve të ndryshme gjatë hedhjes së guralecëve e të cilat nuk janë transmetuar nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), si fjala e tyre: “O Zot na bëj ne të kënaqur me Allahun, të hidhëruar në shejtanin” e ndoshta e thotë këtë ndërsa e lë tekbirin i cili është transmetuar nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). Më meritore është të përkufizohemi në atë që është transmetuar nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) pa shtuar asgjë e as pa pakësuar. 

Mospërfillja e faktit që gurët duhet t’i gjuajnë vetë por, i sheh se si i obligojnë të tjerët të gjuajnë në vend të tyre edhe pse kanë mundësi ta bëjnë këtë por, këtë e bëjnë që ta kursejnë veten nga mundimi i tollovisë dhe vështirësia e veprës. Kjo është në kundërshtim me atë që ka urdhëruar Allahu i lartësuar që të kryhet haxhi, ku thotë: “E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut” (El Bekare: 196)  Është obligim për atë që ka mundësi të gjuaj, që këtë ta bëjë vetë dhe ta përballoj vështirësinë dhe lodhjen, ngase haxhi është një lloj i xhihadit që në të ka vështirësi dhe mundim. Haxhiu duhet t’ia ketë drojën Zotit të tij dhe t’i plotësoj ritet e haxhit të tij ashtu siç ka urdhëruar Allahu i lartësuar, sipas mundësisë.

Tavafi i lamtumirës (El Veda’) dhe gabimet në të

Është shënuar te Buhariu dhe Muslimi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) ka thënë: “Njerëzit janë urdhëruar që riti i fundit për ta të jetë tavafi rreth Qabes, e nga kjo janë amnistuar gratë me menstruacione.” 

E sipas transmetimit të Muslimit ka thënë: “Njerëzit pas haxhit shkonin në çdo anë atëherë, Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) tha: “Mos të largohet askush gjersa të mos jetë Qabeja e fundit që i jepet lamtumira (me tavaf rreth saj).” 

Ebu Davudi e ka transmetuar me shprehjen: “Gjersa të jetë riti i tij i fundit tavafi rreth Qabesë.”

Buhariu dhe Muslimi shënojnë hadithin e Umu Selemes (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: ”Iu ankova të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) se jam e sëmurë, e ai më tha: “Bëje tavafin, mbrapa njerëzve, e hipur në deve.” Pastaj e bëra tavafin e i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) falej pranë  Qabesë dhe lexonte: “Pasha Turin. Dhe librin e shkruar në rreshta.” (Et Tur: 1-2), 

Nesai shënon hadithin e saj ku thotë: “O i Dërguar i Allahut, pasha Allahun nuk e kam kryer tavafin e daljes(lamtumirës)? E ai më tha: Kur të fillon falja e namazit t’i kryeje tavafin mbi devenë tënde, mbrapa njerëzve.” 

Buhariu shënon transmetimin e Enes b. Malikut (Allahu qoftë i kënaqur me të) se: “Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e ka falur drekën, ikindinë, akshamin dhe jacinë e më pas është shtrirë që të flejë në Muhasab (vend mes Minasë dhe Mekës), pastaj ka hipur në devenë e tij dhe ka bërë tavaf mbi të.”   

Buhariu dhe Muslimi shënojnë transmetimin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të) se:  “Safijes (Allahu qoftë i kënaqur me të) i kanë ardhur menstruacionet pas tavafit të Ifadas, e Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) tha: A do të na ngujon ajo? Ata i thanë: Ajo veçse e ka kryer tavafin e ifadas, atëherë ai tha: “Atëherë, le të niset pra? 

Në Muvetta shënohet transmetimi nga Umer b. Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ai ka thënë: “Askush prej haxhilerëve të mos niset veçse e ka kryer tavafin rreth Qabesë (lamtumirës), ngase rituali i fundit i haxhit është tavafi rreth Qabes (lamtumirës).” Gjithashtu në të shënon nga Jahja b. Seid se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) e ka kthyer një njeri nga Merr Edh Dhahran e i cili nuk i kishte dhënë lamtumirë Qabesë gjersa e kreu këtë.

Gabimet të cilat i bëjnë disa haxhilerë:

1. Zbritja e njerëzve nga Mina, ditën e nisjes, para se t’i gjuajnë xhemeratet, ashtu që e kryejnë tavafin lamtumirës e pastaj kthehen deri në Mina dhe i gjuajnë xhemeratet, e prej aty udhëtojnë për në vendet e tyre. Kjo nuk lejohet, ngase është në kundërshtim me urdhrin e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) që vepra e fundit e haxhinjve të jetë tavafi lamtumirës. Ngase, ai që i gjuan guralecët pas tavafit lamtumirës e ka bërë gjuajtjen e xhemerateve veprën e  tij të fundit e jo tavafin rreth Qabesë. Gjithashtu, Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) nuk  e ka bërë tavafin lamtumirës vetëm se  pasi i ka plotësuar të gjitha ritet e haxhit, dhe ai ka thënë: “Merrni nga unë mënyrën e kryerjes së riteve të haxhit.”

Transmetimi nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) është i qartë se tavafi lamtumirës është riti i fundit i haxhit. Ai që e kryen tavafin lamtumirës e pastaj i gjuan guralecët pas tij, tavafi i tij nuk është i vlefshëm për shkak të kryerjes së tij jo në kohën e duhur, andaj duhet të përsëritet edhe njëherë pas gjuajtjes, e nëse nuk e përsërit, atëherë ai llogaritet se nuk e ka kryer.

2. Qëndrimi i tyre në Mekë pas tavafit lamtumirës dhe si pasojë riti i tyre i fundit nuk mbetet tavafi lamtumirës.   

E kjo është në kundërshtim me atë që ka urdhëruar Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe ia ka sqaruar umetit me veprën e  tij. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka urdhëruar që të jetë riti i fundit i haxhilerëve tavafi lamtumirës dhe ai vet nuk e kishte bërë tavafin lamtumirës vetëm se kur ishte nisur, e kësisoj vepruan edhe shokët e tij.   

Por, dijetarët e lejuan qëndrimin pas tavafit lamtumirës për ndonjë nevojë nëse është domosdoshmëri, sikurse nëse thirret ikameti pas tavafit lamtumirës dhe ai e fal atë apo sillet një xhenaze dhe ai ia fal namazin e xhenazes, apo ka ndonjë nevojë që lidhet me udhëtimin e tij si blerja e disa gjësendeve apo pritja e shokëve të tij, e të ngjashme me këtë.    

Ai që qëndron pas tavafit të lamtumirës pa ndonjë arsye duhet ta përsëris atë.

3. Dalja e tyre nga xhamia pas tavafit lamtumirës nga mbrapa (me fytyrë kah Qabeja) dhe pretendojnë se me këtë madhërojnë Qaben! Kjo është në kundërshtim me synetin bile është prej bidateve nga të cilat na ka tërhequr vërejtjen Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe ka thënë për to: “Çdo bidat është humbje.” Bidat do të thotë: çdo gjë që është shpikur nga besimet apo adhurimet, e që është në kundërshtim me traditën e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe udhëheqësve të drejtë pas tij. 
   
A mendon ky i cili del nga Qabeja nga mbrapa se e madhëron Qabenë më shumë se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), apo mendon se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe udhëheqësit e drejtë pas tij nuk e dinin këtë formë madhërimi të saj?!
    
4. Kthimi i tyre drejt Qabesë, te dera e xhamisë, pas përfundimit të tavafit lamtumirës dhe bërja dua aty sikurse dëshirojnë t’i japin lamtumirën Qabesë. Edhe kjo është prej bidateve sepse, nuk është transmetuar nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e as nga udhëheqësit e drejtë pas tij. Çdo gjë që përmes saj synohet adhurimi ndaj Allahut e që nuk ka ardhur me të sheriati është e kotë dhe e papranuar nga ai që e vepron, për shkak të fjalës së Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Ai që shpikë në këtë çështjen tonë diçka që s’ka të bëjë me të, ajo është e refuzuar”  d.m.th. nuk i pranohet atij që e vepron atë.
    
Ai që i beson Allahut dhe të Dërguarit të Tij duhet që gjatë adhurimit të tij ta pasoj Pejgamberin (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) që të arrij me këtë dashurinë dhe faljen e Allahut, sikurse që thotë Allahu i lartësuar: “Thuaj: "Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” (Ali Imran: 31)  
  
E pasimi i Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) sikurse që vlen për veprat e tij vlen edhe për ato që i ka lënë ai. Kështu që, nëse ekziston shkaku për ta vepruar në kohën e tij dhe ai nuk e ka vepruar, atëherë kjo është argument se prej synetit dhe fesë është mosveprimi i tij dhe nuk lejohet që njeriu ta shpikë edhe nëse i pëlqen atij dhe i përshtatet me epshin e tij, Allahu i lartësuar ka thënë: “E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to.” (El Muminun: 71) dhe Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Nuk beson askush prej juve përderisa epshet e tij të mos ndjekin atë me të cilën jam dërguar.”

E lusim Allahun të na drejtojë në rrugë të drejtë, të mos i devijoj zemrat e tona pasi që i ka udhëzuar dhe të na dhuroj nga mëshira e Tij, e Ai është Dhurues i madh.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe tërë shokët e tij.

Është shkruar më 19 Shaban 1398 h. me lapsin e atij që është i varfër për Zotin e tij: Muhamed Salih El Uthejmin, Allahu e faltë atë, prindërit e tij dhe muslimanët.

Post a Comment

0 Comments