Islam & Prophetic Orders Albanian | Porosi Urdhërimet Profetike

Prophetic Orders, Messages and Commandments Albanian language | Porosi Urdhërimet Profetike - About Islam


Abdul Kader El Arnauti

Përktheu : Rijad Misini

Source: IslamHouse.com

POROSI PROFETIKE
Nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut sal-laAllahu alejhi ue sel-lem prej fjalëve të tij universale, mbi të qofshin paqja, shpëtimi dhe përshëndetjet tona.

Prophetic Orders, Messages and Commandments in Albanian language | Porosi Urdhërimet Profetike - About Islam:

Prophetic Orders, Messages and Commandments Albanian language Porosi Urdhërimet Profetike About Islam

Titulli i librit në original: El-vassaje el-nebevvije

Titulli: Porosi profetike

I mblodhi dhe i komentoi: Abdulkadër Arnauti

Përktheu: Rijad Misini

Redaktor gjuhësor: Arian Koçi

Faqosja & Kopertina: PLAKU DeSiGn  Bashkim Svirca

HYRJE

Lavdia i takon Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga të këqijat e shpirtrave tanë dhe nga të ligat e punëve tona. Atë që Allahu e udhëzon, ska kush që mund ta fusë në humnerë dhe atë që Allahu e humb, nuk ka kush që mund ta udhëzojë. Dëshmojmë se askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, Të Vetmit, i Cili nuk ka shok, dhe dëshmojmë se Muhammedi është robi dhe i Dërguar i Tij.

“O ju që keni besuar, frikësojuni Allahut me një frikë të njëmendtë dhe kurrsesi mos vdisni ndryshe përveç se duke qenë muslimanë. (Ali Imran 3, 102)

O ju njerëz, frikësojuni Zotit tuaj i Cili iu ka krijuar juve prej një vete të vetme dhe ka krijuar nga ajo çiftin e saj, e prej atyre të dyve u shtuan shumë burra dhe gra. Dhe kini frikë Allahun që me Emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, sepse Allahu është Mbikëqyrës mbi ju. (En-Nisa 4, 1)

O ju besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni fjalë të drejta. Ai ua përmirëson juve gjendjet dhe punët tuaja, e ai që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka arritur një fitore të madhe. (El-Ahzab 33, 70-71)

Bishr Ibn Harith el-Hafi el-Mervezi el-Bagdadi, i cili vdiq më 227 sipas kalendarit hixhri, thonte: O ju pronarët e hadithit: Jepeni zekatin e hadithit, nga çdo dyqind hadithe pesë hadithe. Dhe unë, robi i nevojshëm për Allahun e Lartë e të Fortë, AbdulKadr Arnauti, i mblodha në këtë shkresë të shkurtër pesë hadithe prej fjalëve gjithëpërfshirëse të të Dërguarit të Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) që vlejnë të jenë zekat i dyqind haditheve me një komentim të shkurtër. Ndoshta Allahu i Lartësuar do të na e bëjë të mundshme leximin dhe studimin e saj, si dhe punën me atë që gjendet në të, që të jetë mësim në jetën tonë, dritë në Ditën e Kijametit, argument dhe dëshmi për ne te Zoti ynë atë ditë kur nuk do të vlejë pasuria e as fëmijët, përveç vajtja tek Allahu me zemër të pastër.

Dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Shërbyesi i Sunetit profetik. 

Abdulkadër Arnauti.

HADITHI I PARË

Transmeton Muadh Ibn Xhebeli (RadijAllahu anhu), i cili ka thënë:

Më ka porositur i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) me dhjetë fjalë dhe tha: Mos i shoqëro Allahut askë në adhurim (mos i bë shirk), edhe nëse vritesh dhe digjesh; dhe kurrsesi mos u bë i padëgjueshëm ndaj prindërve të tu, edhe nëse të urdhërojnë të dalësh dhe të ndahesh nga familja dhe pasuria jote; dhe assesi mos e le namazin e obligueshëm me qëllim, ngase ai i cili e lë pa falur namazin që e ka farz me qëllim, mbrojtja e Allahut ndaj tij tanimë është larguar; dhe kurrsesi mos e pi verën, ngase ajo është kreu i çdo të keqeje; dhe të kesh kujdes nga mëkati, sepse mbi mëkatin lëshohet hidhërimi i Allahut; dhe mos ik prej frontit të luftës, edhe nëse shkatërrohen të gjithë njerëzit; dhe kur ti godasë njerëzit vdekja prej mortajës, duke qenë ti në mesin e tyre, qëndro (mos ik prej saj e ta mbartësh atë edhe në vende të tjera sh.p.); dhe furnizoje familjen tënde nga mundësitë e tua; dhe mos e ngre prej tyre thuprën (rrahi sh.p.) për shkak të edukimit dhe bëji ata të kenë frikë nga Allahu.

Shpjegimi i hadithit të Muadh Ibn Xhebelit (RadijAllahu anhu):

POROSIA E PARË: Mos i shoqëro Allahut askë, edhe nëse vritesh dhe digjesh

Ndërsa në veprën e Buhariut: El-edebul-mufred qëndron: Mos i shoqëro Allahut asgjë, edhe nëse copëtohesh dhe digjesh...

I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) filloi porositjen e Muadh Ibn Xhebelit (RadijAllahu anhu) duke e ndaluar atë ti bëjë shirk Allahut të Lartësuar, ngase shirku (ti shoqërosh Allahut në adhurim diçka përveç Tij) është mëkati më i madh. Allahu i Lartësuar thotë në porosinë e Lukmanit dhënë birit të tij:
O biri im, mos i shoqëro Allahut diçka në adhurim, vërtetë shirku është padrejtësi e madhe. (Lukman 31, 13) 

Thotë Allahu i Lartësuar:

Allahu nuk fal atë që Atij ti shoqërohet diçka në adhurim dhe ia falë përveç asaj atij që Ai dëshiron.  (En-Nisa 4, 48)

Dhe ai që i bën shirk Allahut ka shpifur një mëkat të madh. (En-Nisa 4, 48)

Gjithashtu thotë:

Dhe ai që i shoqëron Allahut edhe diçka tjetër tashmë ka humbur në një humnerë të largët. (En-Nisa 4, 116) 

Gjithashtu thotë:

Ai që i shoqëron diçka Allahut në adhurim tashmë ia ka bërë atij Allahu haram Xhenetin (ia ka ndaluar) e vendbanimi i tij është zjarri, dhe për zullumqarët nuk ka ndihmtarë. (El-Maide 5, 72) 

Gjithashtu, i Lartësuari thotë:

Ai që i bën shirk Allahut është sikurse të bjerë dhe të përplaset nga qielli e ta rrëmbejë shpendi ose sikur ta përplasë era e stuhishme në ndonjë vend të humbur. (El-Haxh 22, 31) 

E pasi i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) u pyet se cili mëkat është më i madhi, tha: Ti bësh Allahut shok, kurse Ai ty të ka krijuar. Ndërsa, në një hadith të vërtetë, të cilin e transmeton Muslimi, qëndron se si një grua nga beni Israilët (të bijtë e Jakubit (alejhi selam)) e afruan ta hedhin në zjarrin e hendeqeve të tyre, në mënyrë që të largohet nga feja e saj se përndryshe do ta djegin, ndërsa ajo mbante foshnjen që i dhimbsej po të hynte në zjarr. Por Allahu i Lartësuar e bëri foshnjen që ti flasë nënës: Oj nënë, duro, sepse ti je në hakk (në rrugë të drejtë).

Po ashtu ngjarja e Ibrahimit (alejhi selam), të cilin populli i tij e ekspozoi para zjarrit:
 
Ata thanë: Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, në qoftë se e bëni një gjë të tillë!  Ne thamë: O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin! (El-Enbija 21, 68-69)

Nga Habbab Ibn Eretti (RadijAllahu anhu) transmetohet se ka thënë:
 
U ankuam tek i Dërguari i Allahut, derisa ishte i mbështetur tek një rrobë e tij në hijen e Qabes, dhe i thamë: A nuk po kërkon ndihmë (Allahut) për ne? A nuk po lutesh për ne? E i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) tha: Ka pasur para jush të tillë kur merrej njeriu dhe i hapej atij një gropë në tokë e pastaj e futnin në të dhe e përshkonin trupin e tij me krehër të hekurt, me gjithë mishin dhe ashtin e tij, dhe kjo nuk e shmangte atë nga feja e tij. Pasha Allahun, gjithsesi Allahu do ta plotësojë këtë çështje (Islamin), saqë kalorësi do të udhëtojë prej Sanasë e deri në Hadremeut dhe nuk do ti frikësohet askujt përveç Allahut dhe ujkut për delet e tij, por ju po nguteni.
(Buhariu në Sahihun e tij)

E ti bësh shirk Allahut do të thotë tia kushtosh të drejtat e Allahut dikujt tjetër përveç Tij, që është padrejtësi dhe shpifje e kulluar.

POROSIA E DYTË:  dhe kurrsesi mos u bë i padëgjueshëm ndaj prindërve të tu, edhe nëse të urdhërojnë të dalësh dhe të ndahesh nga familja dhe pasuria jote

Allahu i Lartësuar thotë për të drejtën e prindërve:

E nëse ata përpiqen që ti të më shoqërosh dikë Mua e për të cilën gjë ti nuk ke dituri, atëherë mos iu nënshtro atyre dhe shoqëroji ata në këtë botë me mirësi. (Lukman 31, 15)

Gjithashtu thotë:
 
E nëse ata përpiqen që ti të më bësh shirk Mua gjë për të cilën nuk ke dituri, mos i dëgjo ata, tek Unë është kthimi juaj e Unë do tju lajmëroj për atë që ju keni vepruar. (El-Ankebut 29, 1)
I Lartësuari gjithashtu thotë në kapitullin el-Enam 6, 151, në dhjetë porositë:
 
Thuaj: Ejani tua lexoj se çka ua ka ndaluar juve Zoti juaj: që Atij asgjë të mos i shoqëroni dhe me prindër mirë të silleni. Dhe është përsëritur porosia në Kuran me Fjalën e Tij  i Lartësuar është Ai: Dhe e kemi porositur njeriun për dy prindërit e tij. I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë në hadithin që e transmeton Ebu Bekrete (RadijAllahu anhu), i cili ka thënë:

Ka thënë i Dërguari i Allahut: A dëshironi tju tregoj për mëkatet më të mëdha? Këtë e përsëriti tri herë, kurse ne i thamë: Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut. E ai tha: Ti bësh Allahut shirk dhe padëgjueshmëria ndaj prindërve.
(Buhariu dhe Muslimi)
 
Ka thënë gjithashtu i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) për të drejtën e prindit: Ti dhe pasuria jote jeni të babait tënd.
POROSIA E TRETË:  dhe assesi mos e lë pa e falur namazin e obligueshëm me qëllim, ngase ai që e lë pa e falur namazin, që e ka farz, me qëllim, mbrojtja e Allahut ndaj tij tanimë është larguar
 
Qëllimi i kësaj porosie është përkujdesja dhe ruajtja e namazit të obligueshëm, d.m.th. që është farz. E sa të shumta që janë porositë për namazin në Kuran dhe Sunet!

Allahu i Lartë thotë:

Fale namazin, vërtetë namazi ndalon nga e keqja dhe e shëmtuara dhe përmendja e Allahut është më e madhja, e Allahu e di se çka veproni.” (El-Ankebut 29, 45)
 
Pra, qëndrueshmëria dhe vazhdimësia në namaz e bën namazliun pronar të një personaliteti të fortë e të qëndrueshëm, të cilin varfëria nuk e trondit dhe pasuria nuk e bën kryeneç.

Ka thënë i Lartësuari:
 
Urdhëroje familjen tënde të falë namazin, edhe ti vetë bëhu i qëndrueshëm në zbatimin e tij, Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty e as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), e ardhmëria e mirë i takon atij që ruhet (nga mëkatet). (Taha 20, 132)

Thotë i Lartësuari:

Vërtetë, namazi është obligim për besimtarët në kohë të caktuar. (En-Nisa 4, 103)

Thotë i Lartësuari:
 
Kujdesuni rregullisht për namazet, e edhe për namazin e mesëm (atë të ikindisë) dhe ngrehuni për Allahun në falje (të namazeve) plot respekt. (El-Bekare 2, 238)

Ka thënë i Lartësuari:
 
O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë (për problemet e jetës) me durim dhe namaz, se vërtetë Allahu është me durimtarët. (El-Bekare 2, 153)

Thotë i Lartësuari: 

Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet e jetës) me durim dhe namaz, ndonëse vërtetë ajo është e vështirë, por jo edhe për ata që ia kanë frikën Allahut. (El-Bekare 2, 45)

Muhammedi (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem), kur e mundonte ndonjë gjë, strehohej në namaz. Ai ka thënë: 

Marrëveshja midis nesh dhe midis tyre është namazi, pra ai që e braktis ka bërë kufr (ka rënë në pabesim). 

Namazet e obliguara janë pesë, e ky hadith, i cili porosit për namazin, vë në citat faktin se ka larguar mbrojtjen e Allahut nga vetja kush e lë namazin me qëllim.

POROSIA E KATËRT:  dhe kurrsesi mos e pi verën

Allahu i Lartësuar e ka ndaluar verën, ajo është nëna e të gjitha të këqijave, e edhe i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) e ka ndaluar pirjen e saj. Vera është ajo që e turbullon mendjen dhe e kaplon atë, çfarëdo lloji qoftë. Gjithashtu edhe hashashi, opiumi dhe të tjera pije dhe ngrënie që e mbërthejnë mendjen dhe e kaplojnë atë, edhe nëse atyre u ndryshohen emrat, kurse i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka paralajmëruar se do të vijë një kohë kur verën do ta quajnë me emra të tjerë, ashtu siç jemi ne dëshmitarë të një kohe të atillë sot. Prandaj, çdo pije dehëse është verë dhe çdo verë është haram, edhe nëse ajo është pak, ngase, nga e shumta e asaj që të bën të dehesh, edhe e pakta është haram.

Allahu i Lartësuar thotë:
 
O ju që keni besuar, ska dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetave (për fall dhe prognoza) janë vepra të ndyra të djallit. Prandaj, largohuni nga ato që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër përveçse nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi midis jush, tju largojë nga të përmendurit e Allahut dhe nga namazi. Pra, a po i jepni fund?!! (Maide 5, 90-91)

E Muhammedi (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) tashmë e ka mallkuar verën, pirësin e saj, shërbyesin, shitësin, blerësin e saj, atë që e ha fitimin nga ajo, shtrydhësin, atë për të cilin shtrydhet, bartësin dhe atë për të cilin bartet. Vera i prish mendjet, shkakton sëmundjet, armiqësinë dhe urrejtjen dhe largon nga përmendja e Allahut dhe nga namazi. A thua vallë, a nuk duhet braktisur kur në të gjenden të gjitha këto të këqija?

POROSIA E PESTË: dhe ruaju nga mëkati, sepse mbi mëkatin lëshohet hidhërimi i Allahut

Ruaju e mos bjer në mëkat, mos e bë atë, ngase rreziku nga mëkati është i madh; d.m.th. këmbëngulësia e kryeneçësia në të dhe moslargimi prej tij. Megjithatë, njerëzit nuk janë të mbrojtur dhe të ruajtur nga mëkati, ndërsa i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë, e më të mirët prej gabimtarëve janë ata që pendohen.

Gjithashtu ka thënë:

Vërtetë Allahu i ka bërë të detyrueshme disa obligime, prandaj mos i humbni ato, i ka caktuar disa kufij, e mos i shkelni ato: i ka ndaluar disa gjëra, e mos i praktikoni ato dhe ka heshtur për disa të tjera si mëshirë ndaj jush e jo nga harresa, pra mos i hulumtoni ato. 
(Hadithi është hasen.)

Pra, mbi mëkatin ndaj Allahut bie hidhërimi i Allahut, dënimi dhe mallkimi i Tij. Thotë Allahu i Lartësuar:

Ata që e mohuan të vërtetën nga beni Israilët u mallkuan me gjuhën e Davudit dhe të Isaut, birit të Merjemes, kështu, sepse ata kundërshtuan, ishin mëkatarë dhe e tepruan, nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që e punonin. Sa e keqe është ajo që ata e vepronin. (El-Maide 5, 78-79)

E pasi mëkati dhe e keqja u përhapën në mesin e tyre, u zhduk urdhërimi në të mirën dhe ndalimi nga e keqja, ata i kaploi dënimi i ashpër, hidhërimi dhe mallkimi i Allahut.

Allahu i Lartësuar e ka mbivlerësuar këtë umet me Fjalën e Tij:

Ju jeni populli më i mirë që është nxjerrë për të mirën e njerëzve, urdhroni për punë të mira dhe ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun. (Ali Imran 3, 110)

I Lartësuari thotë:

E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur (nga mëkati), Ne do tua hapnim atyre bereqetet nga qielli dhe toka, mirëpo ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam ata për atë që e punuan. (El-Araf 7, 96)

Pra, imani dhe devotshmëria janë shkak i hapjes së dyerve të begative nga qielli dhe toka, ndërsa mëkati dhe arroganca hapin dyert e çdo të keqeje dhe trazire, fakt që stimulon kujdes të madh nga mëkatet në këtë umet dhe na nxit që të mos hutohemi nga ato begati që i kemi në duart tona, por të jemi falënderues për to dhe të mos mashtrohemi pse Allahu ua ka hapur pabesimtarëve dyert e çdo gjëje, ngase ata kanë vetëm këtë botë, kurse në ahiret i pret dënim i ashpër.5
E nuk ka gjë të cilën Allahu i Lartë e ka bërë haram e të mos jetë shkatërrim për shoqërinë dhe umetin dhe që në ndalesën e saj të mos ketë urtësi të shumta.

Allahu e ka ndaluar zinanë (marrëdhëniet e paligjshme seksuale, kurvërinë) për ti ruajtur prejardhjet dhe për ta pastruar shoqërinë nga amoraliteti, e ka ndaluar akuzimin e grave të ndershme me amoralitet për ta ruajtur nderin, e ka ndaluar të bërjen me sy dhe ofendimin, ironinë dhe talljen, për ta nderuar burrërinë e njeriut, e kështu që shoqëria të mbesë e pastër, e gjithashtu e ka ndaluar ngrënien e pasurive të njerëzve pa të drejtë, kamatën, kumarin etj.
Allahu i Lartësuar e ka hapur derën e pendimit tërësisht, ka bërë që avdesi ti lajë mëkatet, që namazet ti shlyejnë ato mëkate që bëhen në mes tyre, e po ashtu umren deri në umre, xhumanë deri në xhuma, i ka bërë shlyrëse të mëkateve që bëhen në mes tyre, ashtu siç është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem).
  
Allahu i Madhërishëm thotë: 

Nëse largoheni nga ato mëkate të mëdha prej të cilave jeni të ndaluar, Ne do tua falim juve të tjerat mëkate dhe do tju fusim në një vend të ndershëm. (Nisa 4, 31)

Dhe ka bërë kryerjen e veprave të mira shlyrëse të veprave të këqija. Mëkati është trazirë në tokë, ndërsa ilaçi i tij është shpejtimi për të bërë teube dhe kërkimi i vazhdueshëm i faljes. Allahu i Lartësuar thotë:

Unë u thashë atyre: Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtetë fal shumë, Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ua shumon pasurinë dhe fëmijët, ju furnizon me kopshte dhe me lumenj. (Nuh 71, 10-12)

Ai, i Lartësuari, po ashtu thotë:
 
E ti kërkoni falje Zotit tuaj dhe pendohuni tek Ai, se Ai do tju mundësojë përjetime të mira deri në një afat të caktuar dhe çdo punëmiri i jep mirësinë e merituar. (Hud 11, 3)

POROSIA E GJASHTË:  dhe mos ik prej frontit të luftës, edhe nëse shkatërrohen të gjithë njerëzit

Kjo nënkupton të kesh kujdes e të mos ikësh nga fronti i luftës, e domethënia e ndalesës së rreptë nga kjo ikje është të nxitja dhe stimulimi i Ligjvënësit për qëndrueshmëri në skeletin e ushtrisë, edhe po që se ushtria është e fortë dhe armiku i dobët. Dhe qëndrueshmëria në arenën e betejës dhe luftimit për atë i cili ndodhet në vijë të luftës, kjo është farz për këdo, ndërsa Suneti (udhëzimi profetik) ka ardhur me paralajmërim dhe tërheqje të vërejtjes prej ikjes nga fronti. Ka thënë i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem):

Largohuni prej shtatë gjërave shkatërrimtare dhe prej atyre gjërave përmendi edhe zbrapsjen ditën e frontit 
(Buhariu dhe Muslimi në veprat e tyre autentike nga Ebu Hurejra)

Por, ikja është e llojllojshme; ka ikje të cilën e pason sulmi kundër armiqve, e kjo është një prej llojeve të luftimit taktik, e lufta është tërheqje dhe sulm; ka ikje për shkak të bashkangjitjes me ndonjë grup për tu shumuar me ta apo për ti forcuar numerikisht. Kurse lloji i tretë është objekt i ndalesës dhe i paralajmërimit e ai lloj është ikje pa kthim, ikje që vjen nga disfata dhe dështimi shpirtëror i dezertuesit, e të tillin Allahu e ka kërcënuar me hidhërim të Tij. E sa përfundim i keq që është!
Allahu i Madhërishëm i ka sqaruar këto tri lloje në Fjalën e Tij:

O ju që keni besuar! Kur të ndesheni me të pabesët (pabesimtarët) në front, mos ua ktheni shipnën! E ai që atë ditë ua kthen shpinën atyre përveç atij që me taktikë kthehet për ti luftuar ose për tiu bashkangjitur një grupi tjetër, i tilli është kthyer me hidhërim nga Allahu dhe vendi i tij është xhehenemi e sa përfundim i keq që është ai! (El-Enfal 6, 15-16)

POROSIA E SHTATË:  dhe kur ti godasë njerëzit vdekja prej mortajës, duke qenë ti në mesin e atyre, qëndro (mos ik prej atij vendi e ta bartësh atë edhe në vende të tjera sh.p.)

Domethënia e vdekjes në këtë hadith është mortaja dhe epidemia, ndërsa në një transmetim të Ahmedit ka ardhur shprehja: vdekja e shpeshtë. Ka ardhur një ndalesë e tillë nga i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) prej ikjes nga mortaja dhe epidemia dhe mosshkuarjes atje ku janë të përhapura, ndërsa Muadh Ibn Xhebeli (RadijAllahu anhu) ka vdekur prej mortajës që ishte përhapur në Amvas, në vitin e tetëmbëdhjetë sipas kalendarit hixhrik.

Në sahihajn (dy veprat autentike të Buhariut dhe Muslimit) transmetohet nga Abdullah Ibn Abbasi (RadijAllahu anhu) se Umer Ibn Hattabi ka dalë për në Sham6, deri kur erdhi te vendi i quajtur Serg, ku e takuan atë prijësit e ushtrive  Ubejde Ibn Xherrahu dhe shokët e tij, dhe e lajmëruan se epidemia e mortajës kishte rënë në Sham. Ibn Abbasi tha: Më tha mua Umeri: Mi thirr muhaxhirët e parë. I thirra ata e ai i konsultoi e u tregoi se mortaja ka rënë në Sham, kurse ata u kundërshtuan në mendime pastaj i thirri ensarët, e edhe ata u kundërshtuan, derisa erdhi Abdur-Rahman Ibn Aufi (RadijAllahu anhu) i cili kishte munguar për disa nevoja të tijat, dhe tha: Unë rreth kësaj çështjeje kam dituri. E kam dëgjuar të Dërguarin (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë:

Kur të dëgjoni se mortaja ka rënë në ndonjë vend, mos shkoni atje, e nëse ajo ka rënë në ndonjë vend e ju gjendeni në të, atëherë mos dilni prej atje për të ikur nga ajo! Umeri e falënderoi Allahun e Lartësuar dhe u kthye.
 (Buhariu dhe Muslimi)

POROSIA E TETË:  dhe furnizoje familjen tënde nga mundësitë e tua

Të shpenzosh për familjen është boshti i jetës dhe përpjekjes dhe peshojat në raport me të janë midis teprimit dhe mangësimit, e mu për këtë i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) tha në këtë porosi: Shpenzo për familjen tënde nga mundësia jote. E ai që i përmbahet kësaj metode nuk e ndalon familjen e tij nga pasuria e tij e as që shpenzon pa masë e as që e ngarkon veten e tij përtej mundësisë së tij, e kjo metodë gjendet në Librin e Allahut të Lartësuar: 

Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren dhe janë të matur. (El-Furkan 25, 67)

Thotë Allahu i Lartësuar:

Dhe mos shpenzo tepër, se ata që shpenzojnë tepër janë vëllezër të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të tij. (El-Isra 17, 26-27)

Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë:

Ai që është i pasur, le të shpenzojë sipas mundësisë së vet, e ai që është ngushtë nga pasuria, le të japë nga ajo që i ka dhënë Allahu, e Allahu nuk e ngarkon askë, vetëm aq sa i ka dhënë, e pas vështirësisë Allahu do ta sjellë lehtësim. (Et-Talak 65, 7)

E po që se ai mangëson në shpenzim për familjen e tij, i tilli është koprrac, kurse për gruan e tij lejohet që të marrë nga pasuria e tij pa lejen e tij atë që i mjafton asaj dhe fëmijëve të saj me mirësi. Të shpenzosh për familjen tënde është sadaka. Ka thënë i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem):

Atë që ti e shpenzon duke kërkuar dhe shpenzuar me të Fytyrën e Allahut, ti për të do të shpërblehesh, madje edhe ajo kafshatë që e vendos në gojën e gruas tënde është sadakë.  
(Buhariu dhe Muslimi nga Sad Ibn Ebi Vekkasi) 
Ai (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë gjithashtu:

Kur njeriu të shpenzojë për familjen e tij diçka duke e llogaritur tek Allahu shpërblimin, ajo për të shkruhet sadaka. 
(Buhariu dhe Muslimi nga Ebi Mesud el-Bedriu)

Ai (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) gjithashtu ka thënë:
 
Një dinar që e ke shpenzuar në rrugën e Allahut, një dinar që e ka shpenzuar për të liruar një rob, një dinar që e ke dhënë lëmoshë për ndonjë varfnjak dhe një dinar që e ke shpenzuar për familjen tënde, shpërblimin më të madh e ka ai dinar që e ke shpenzuar për familjen tënde. 
(Muslimi nga Ebu Hurejra)

Pra, furnizimi i familjes është sadakaja më e vlefshme në shpërblim dhe çdo njeriu që shpenzon sipas mundësisë së tij i takon shpërblimi i mundësisë së tij, kurse ai që gjen ngushtësi, le ta lexojë Fjalën e të Lartësuarit:
E pas vështirësisë, Allahu do të sjellë lehtësim. (Et-Talak 65, 73)

dhe:
Ne do ti furnizojmë ata dhe juve. (El-Isra 17, 31)
 
E sikur umeti ta merrte për parim këtë porosi, do të shpëtonte nga qorrsokaku i borxheve dhe i kamatës.

Këto janë mësimet e larta të Islamit të vendosura nga i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) në peshojën e ekonomisë së shëndoshë me pak fjalë:  dhe furnizoje familjen tënde nga mundësitë e tua.

POROSIA E NËNTË:  dhe mos e ngre prej tyre thuprën (rrahi), që ti edukosh

Në këtë porosi i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka vënë një metodë pedagogjike për edukimin e fëmijëve, e edukimi i fëmijëve është prej qëllimeve më të larta të ligjit islamik, ngase edukata është titull i moralit fisnik. E Allahu i Lartësuar e ka lavdëruar Lajmëtarin e Tij, Muhammedin (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem), me Fjalën e Tij:

E ti vërtetë je në një shkallë madhështore të ahlakut.(Kalem 68, 4)

Sëkëndejmi, nuk është habi që i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) të interesohet në porosinë e tij dhënë Muadhit për edukimin e fëmijëve me shkop.

Edukata fisnike është më e mirë se prejardhja fisnike. Ka thënë poeti:

Ji bir i kujt të dëshirosh dhe edukatë përfito.
Të mjafton e falënderuara e saj nga prejardhja.

Ahlaku i të Dërguarit (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) është Kurani, d.m.th. stolisej me edukatat e tij, i jetësonte urdhrat e tij dhe largohej nga ndalesat e tij. Ai ka urdhruar që ta varim thuprën atje ku e shohin anëtarët e shtëpisë dhe thonte: Vareni thuprën ku e shohin shtëpiarët. E tëra kjo si frikësim për ta dhe edukim, e Islami e ka miratuar dënimin me goditje për fëmijët si edukim e jo për ti munduar. Islami i refuzon metodat pedagogjike moderne, të cilat e ndalojnë goditjen  edhe atë që nuk lëndon  që ia kanë humbur prindit kontrollin mbi fëmijët dhe mësuesit mbi nxënësit, e rezultati i kësaj është emancipimi i familjes dhe i fëmijëve. Gjithashtu, në hadithin e të Dërguarit (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem), ka ardhur: Urdhëroni fëmijët tuaj me namaz duke qenë ata të bijtë e shtatë viteve dhe rrihini ata për të duke qenë ata të bijtë e të dhjetave, dhe ndajini ata në shtretër. Kuptimi i rrahjes është goditja që nuk lëndon, nuk gërvish e as plagos, porse qëllimi është frikësimi që ta ndiejnë fajin. Edhe gruaja e padëgjueshme dhe kryelartë, e cila dëshiron rrënimin e strukturës dhe mirëkuptimit të familjes, tilla këshillohet së pari e më pastaj izolohet në shtrat, e pastaj, po që se nuk i bën dobi këshilla e as leçitja, rrihet me goditje që nuk e lëndojnë, nuk e gërvishin, e as plagosin, që ta ndiejë gabimin e saj edhe kaq, kurse goditja vjen në shprehje atëherë kur të gjitha aspektet edukative të tjera nuk bëjnë punë. Kjo që ti bësh të kuptojnë dhe që secili prej tyre ta ndiejë fajin e vet. Kurse, në ndonjë çështje të përgjithshme, i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Mos i rrihni robereshat e Allahut! Këto janë çastet e përdorjes së shkopit në dorën e burrit për edukim dhe alternativë e fundit që përdoret prej metodave të përmirësimit.

POROSIA E DHJETË:  dhe bëji ata ta kenë frikë Allahun.

Kjo është porosia e fundit prej porosive të të Dërguarit (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem), të cilat ia dha Muadhit dhe shokëve të tjerë të tij dhe të gjithë muslimanëve, dhe fryt i metodologjisë islame si tërësi në të gjitha ligjdhëniet e tij. Ai i cili mund të arrijë me fëmijët e tij në një shkallë të atillë që ata tia kenë frikën Allahut të Lartësuar e jo ti frikësohen babait të tyre, as sundimtarit e askujt prej njerëzve, edukatori i tillë ka arritur me ta kulmin e edukatës me Allahun e Lartësuar dhe me të gjithë njerëzit, ngase druajtja nga Allahu i Madhërishëm bëhet mbikëqyrësi dhe shoqëruesi i tyre në fshehtësi dhe prani të njerëzve, kështu që kurrë nuk do të hapërojnë kah mëkati ndaj Allahut dhe assesi nuk do ta nëpërkëmbin ndonjë prej të drejtave të njerëzve. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

Dhe për atë që iu druajt Madhërisë së Zotit të tij ka dy xhenete. (Er-Rahman 55, 46)

Po ashtu tha:

Dhe ai i cili ia pat frikën Madhërisë së Zotit të tij dhe e ndaloi veten e tij nga epshi, për të Xheneti do të jetë vendbanimi i tij. (En-Naziat 79, 40)

Kjo porosi e të Dërguarit (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) dhënë Muadhit (RadijAllahu anhu) dhe të tjerëve e portretizoi metodologjinë madhështore jo vetëm për Muadhin, por për të gjithë muslimanët.

Dhe lutja jonë e fundit është: I tërë falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

HADITHI I DYTË

Transmeton Ebu Dherr el-Giffari (RadijAllahu anhu), i cili thotë: Më ka urdhruar miku im i dashur (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem)  me shtatë gjëra:

- Më ka urdhëruar që ti dua varfnjakët dhe të jem i afërt me ta;
- Më ka urdhëruar që të shikoj tek ai që është më poshtë se unë (në aspekte materiale), e të mos shikoj tek ai që është në pozitë më të lartë se unë;
- Më ka urdhëruar që ti mbaj lidhjet farefisnore edhe nëse ata ma kthejnë shpinën;
- Më ka urdhëruar që të mos i lyp kurrkujt asgjë;
- Më ka urdhëruar që ta them të vërtetën, edhe nëse është e hidhur;
- Më ka urdhëruar që të mos i frikësohem për Allahun qortimit të qortuesve dhe më ka urdhëruar që ti shpeshtoj këto fjalë La haule ve la kuvvete il-la bil-lah, sepse ato fjalë janë thesar ndër Arsh. 
(Hadithi është hasen.)

Shpjegimi i hadithit të Ebi Dherr el-Giffarit (RadijAllahu anhu):
 
POROSIA E PARË: Më ka urdhëruar që ti dua varfnjakët dhe të jem i afërt me ta  
Kjo e ka domethënien e bamirësisë ndaj tyre, derdhjen e mirësisë për ta, ngushëllimin e tyre, vizitimin dhe hulumtimin e gjendjeve të tyre, ndërsa Ebu Dherri (RadijAllahu anhu) e zbatoi këtë dhe jetonte me varfnjakët, afrohej pranë tyre, ulej me ta dhe tregohej modest pranë tyre, mu ashtu siç e porositi atë i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem). Me këtë porosi edhe Allahu i Lartësuar e porositi të Dërguarin e Tij (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) në Kuran dhe i tha:

Dhe bëje të durueshme veten tënde më ata që e thërrasin Zotin e tyre në mëngjes dhe mbrëmje duke e dëshiruar Fytyrën e Tij dhe mos i hiq sytë e tu prej atyre e të dëshirosh bukurinë e kësaj bote, e as mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, e puna e tij është në humbje dhe teprim. (Kehf 18, 28)

Domethënë, bëhu me të tillët, me të dobëtit, nevojtarët dhe durimtarët të cilët e thërrasin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje duke e dëshiruar Fytyrën Tij. Mos e lako shikimin tënd kah dikush përveç tyre, prej pronarëve të pasurisë dhe pozitave, të cilët i ka mashtruar jeta e kësaj bote dhe punët e tyre janë në humnerë. Muhammedi (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: 

Vërtetë Allahu e ndihmon këtë umet me të dobëtit e tij, me lutjen e tyre, namazin e tyre dhe sinqeritetin e tyre. 
(Hadithi është sahih)
 
Gjithashtu ka thënë: Më dëshironi dhe më kërkoni me të dobëtit, ngase ju me të vërtetë ndihmoheni dhe ju vjen furnizimi me të dobëtit e tuaj. 
(Hadith kudsij)

POROSIA E DYTË:  më ka urdhëruar që të shikoj tek ai që është më poshtë se unë (në aspekte materiale), e të mos shikoj tek ai që është në pozitë më të lartë se unë...

Kur njeriu shikon tek ai i cili është në pozitë më të lartë në jetën e kësaj bote dhe në zbavitjet e saj, do ti përbuzë begatitë e Allahut ndaj tij dhe shpirti do ti lakmojë dhe do të dëshirojë gërmadhat e kësaj jete kalimtare, mendja e tij do të angazhohet dhe do të përpiqet ti arrijë ato, e që pastaj rrjedhimisht të hyjë në dyert e tyre të ndaluara dhe kështu ta humbë fenë dhe botën e ardhme të tij, kurse nga dunjaja e tij nuk do të vjelë përveç atë që i është caktuar. Muhammedi (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
 
Shikoni tek ai që është më poshtë se ju dhe mos shikoni tek ai që është mbi ju, ngase kjo është më e afërt që të mos i përbuzni begatitë e Allahut. 
(Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra)

Gjithashtu ka thënë:
 
Kur të shikojë dikush prej jush ndokë që është i begatuar me pasuri dhe fëmijë, le të shikojë tek ai që është më poshtë se ai. 
(Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra)

POROSIA E TRETË:  më ka urdhëruar që ti mbaj lidhjet farefisnore, edhe nëse ata ma kthejnë shpinën

Ngase në këtë ka mbetje të lidhjeve të dashurisë dhe mëshirës ndër akrabatë. Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) dhe e pyeti: O i Dërguar i Allahut, unë kam farefis me të cilët i mbaj lidhjet, kurse ata më shkëpusin, u bëj mirë e ata më bëjnë keq, jam i butë me ta, kurse ata më shqetësojnë dhe janë të ashpër me mua. I Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: 
Nëse vërtetë është ashtu siç thua, atëherë është sikur ti tu frysh shkrumb dhe hi të zjarrtë dhe vazhdimisht me ty është një ndihmës nga Allahu kundër tyre, derisa të vazhdosh kështu. 
(Muslimi në Sahihun e tij nga Ebu Hureja)

Kurse Esmaja (RadijAllahu anha), e bija e Ebu Bekr Siddikut (RadijAllahu anhu), transmetohet të ketë thënë:

Erdhi tek unë nëna ime duke qenë idhujtare në kohën e të Dërguarit (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) dhe kërkova prej tij fetva e i thashë: Ka ardhur tek unë nëna ime të më kërkojë diçka kurse ajo është me idhujtarinë e saj. A ti jap dhe ti mbaj lidhjet me të? E ai më tha: Po, mbaji lidhjet me të. 
(Buhariu dhe Muslimi)

Në këtë hadith ka argument se lidhjet mbahen edhe me farefisin pabesimtar, me pasuri e të ngjashme, ashtu siç mbahen me farefisin besimtar.

E sa të shumta që janë ato hadithe në të cilat Muhammedi (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka porositur për mbajtjen e lidhjeve farefisnore! Ai (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
 
Farefisi është i varur tek Arshi dhe thotë: Ai i cili më mban dhe më vazhdon, atë Allahu e mbajtë dhe e vazhdoftë, e ai i cili më ndërpren, atë e ndërpreftë Allahu! 
(Buhariu dhe Muslimi nga Aishja)

Ai (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) gjithashtu ka thënë:

Ai që i beson Allahut dhe Ditës së Fundit, le ti mbajë lidhjet farefisnore. 
(Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra)
 
Gjithashtu ka thënë:

Ai i cili dëshiron ti shtohet rizku dhe ti zgjatet jeta, le ti mbajë lidhjet farefisnore. 
(Buhariu dhe Muslimi nga Enesi)

Prandaj, është obligim për njeriun që ti mbajë lidhjet e rrethit të tij familjar, edhe nëse ata i ndërprejnë ato, ngase i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Nuk është mbajtës i lidhjeve shpërblyesi, por mbajtës i lidhjeve është ai i cili, kur farefisi i tij i ndërpren, i vazhdon lidhjet. 
(Buhariu dhe Muslimi nga Abdullah Ibn Amr Ibn As)

Ai gjithashtu ka thënë:

Lëmosha dhënë varfanjakut ësthë sadaka, ndërsa sadakaja dhënë ndonjë të afërmi është dy herë sadaka: mbajtje lidhjesh dhe sadaka. 
(Tirmidhiu nga Abdullah Ibn Omeri, ndërsa hadithi është hasen)

Ai gjithashtu ka thënë:

Nuk hyn në xhenet shkëputësi. d.m.th. shkëputësi i lidhjeve. 
(Buhariu dhe Muslimi nga Xhubejr Ibn Matami)

POROSIA E KATËRT:  më ka urdhëruar që të mos i lyp askujt asgjë

Sdo mend se shpirtrat krenarë e shohin lypjen ndaj tjetërkujt përveç Allahut si nënçmim dhe poshtërim. Thotë Allahu i Lartësuar:

Ai i cili i frikësohet Allahut, atij Ai i gjen rrugëdalje dhe e furnizon atë prej kah as nuk e llogaritë, e ai i cili Allahut i mbështetet, atij Ai i mjafton. (Et-Talak 65, 2-3)

Pra, ai që mbështetet tek Allahu, atij Ai i mjafton dhe e pavarëson nga poshtërimi i lypjes.

Thotë i Lartmadhërishmi:

Nëse Allahu të sprovon me ndonjë të keqe, askush smund ta largojë atë pos Tij, po nëse të prekë me ndonjë të mirë, ska kush që mund ta pengojë dhuntinë e Tij, e me atë të mirë e godet kë të dojë prej robërve të Tij.  (Junus 10, 107)
 
Muhammedi (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) i ka thënë të birit të xhaxhait të tij, Abdullah Ibn Abbasit (RadijAllahu anhu):

Kur të kërkosh, kërko vetëm prej Allahut dhe kur të kërkosh ndihmë, kërko ndihmë vetëm prej Allahut.
 
Transmeton Thevbani (RadijAllahu anhu), i cili thotë:

Ka thënë i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem): Kush ma garanton mua një gjë, unë po ia garantoj atij Xhenetin? Thashë: Unë. E ai tha: Mos kërko prej njerëzve asgjë. Kështu, ndodhte që Thevbanit (RadijAllahu anhu) ti binte kamxhiku duke qenë i hipur në kafshë e nuk i thonte askujt: Ma jep, - derisa të zbriste dhe ta merrte vetë. 
(Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi dhe Ibn Maxhe, ndërsa hadithi është sahih.)
 
Allahu i Lartësuar dëshiron prej robit të Tij që ai Atij ti kërkojë. Kur ti kërkosh njeriut dhe ta kesh përsëritur kërkesën tënde, ai prej teje mërzitet dhe largohet.

Thotë poeti:

Ti, bijve të Ademit mos u kërko
Kërkoj Atij, dyert e të Cilit të mbyllur nuk kanë
Allahu hidhërohet nëse Atij nuk i kërkon
E kur bijve të Ademit i kërkon
Neveriten dhe i hidhëron

POROSIA E PESTË:  më ka urdhëruar që ta them të vërtetën, edhe nëse është e hidhur
Ta thuash të vërtetën është e hidhur. Atë nuk mund ta gëlltitë askush përveç pronarëve të shpirtrave besimtarë. Për muslimanin është e domosdoshme që ta thotë të vërtetën, porse kur ta thotë, patjetër lypset urtësi, e sidomos për ata që ftojnë tek Allahu i Lartë. I Lartësuari thotë:

Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe me këshillë të bukur dhe polemizoji ata me atë që është me e mira. (En-Nahl 15, 125)

Allahu i Madhërishëm ka marrë besën prej dijetarëve që ata të thërrasin në rrugën e Allahut të Lartësuar dhe të mos e fshehin diturinë. Thotë i Lartësuari:

Dhe kur Allahu mori zotimin prej atyre që iu pat dhënë libri: Që gjithsesi tua sqaroni atë njerëzve, e të mos e fshehni - por ata e lanë pas dore atë për pak përfitime të kësaj jete, e sa punë të keqe që përfituan! (Ali Imran 3, 187)
 
Nuk u lejohet thirrësve që të thërrasin me vrazhdësi dhe ashpërsi. Allahu i Lartësuari i ka thënë të Dërguarit të Tij (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem):

Nga mëshira që Allahu ty ta dhuroi, ti ishe i butë ndaj tyre, e sikur të ishe i vrazhdë e zemër-ashpër, ata do të shkapërderdheshin prej teje. (Ali Imran 3, 159)

Prandaj, thirrja në rrugën e Allahut të Lartësuar kër-kon durim dhe butësi me njerëzit, derisa të gjesh veshë që dëgjojnë, përndryshe kurrë nuk do të të pranojnë.

POROSIA E GJASHTË:  më ka urdhëruar që të mos i frikësohem për Allahun qortimit të qortuesve...

Kur besimtari thotë të vërtetën, urdhëron në të mirë dhe ndalon nga e keqja, doemos do të sprovohet në fenë e tij, në veten dhe pasurinë e tij, sepse sprovimi është ai që i dallon burrat, e jo vetëm mendimet dhe fjalët e tyre. Allahu i Lartësuar thotë në porosinë e Lukmanit dhënë birit të tij:

Urdhëro për punë të mira, ndalo nga të këqijat dhe përballo me durim atë që të godet.(Lukman 31, 17)

Ka thënë i Lartësuari:

E atyre (shokëve të të Dërguarit) që njerëzit u thanë: Populli (idhujtarët) është tubuar tju shfarosë, prandaj ua keni frikën!, e ajo atyre vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin dhe thanë: Neve na mjafton Allahu, e sa mbrojtës i mirë që është Ai! (Ali Imran 3, 173)
 
Edhe pse ata zotëronin mundësitë e kësaj bote dhe shkaqet e saj, prapseprapë njerëz janë, të dobët, të nevojshëm, hanë dhe pinë, flejnë dhe kryejnë nevojat fiziologjike, kurse besimtarët nuk u trembën nga ata, por thanë:
 
Neve na mjafton Allahu, e sa mbrojtës i mirë që është Ai. Ishin të bindur dhe besimtarë në këtë, e përfundimi ishte: Dhe u kthyen me begati e mirësi të mëdha nga Allahu pa i gjetur kurrfarë e keqe. (Ali Imran 3, 174)

Allahu i Lartësuar thotë:

O ju që keni besuar, kush largohet prej jush nga feja e tij, Allahu do ta sjellë një popull që Ai e do atë dhe ata e duan Atë, janë modestë e të butë ndaj besimtarëve, por të ashpër dhe të fortë kundër kafirave, luftojnë në rrugën e Allahut e as që i frikësohen qortimeve të qortuesve. Kjo është dhuratë dhe begati e Allahut që ia jep kujt të do. Allahu është i Gjerë dhe i Dijshëm. (El-Maide 5, 54)

POROSIA E SHTATË:  dhe më ka urdhëruar që ta shpeshtoj fjalën La haule ue la kuvvete il-la bil-lah, sepse këto fjalë janë thesar ndër Arsh.

Kur misionari që thërret në Allahun e Lartësuar të jetë ngritur me ato punë që u cekën, ai ka nevojë në rrugën e tij për furnizim që ia lehtëson vështirësinë e udhëtimit dhe mundimin e rrugës, që ti bëjë këto gjemba të mbjella në udhën e tij trëndafilë e zambakë. E shpeshtimi i fjalës La haule ue la kuvvete il-la bil-lah ka ndikim të çuditshëm në largimin e mërzive dhe durimin ndaj vështirësive. Ajo e largon dëshpërimin dhe frikën nga zemrat e në vend të tyre sjell qetësinë dhe rehatinë, të cilat shtohen aq sa besimtari i shpeshton këto fjalë që janë thesar ndër Arsh. E për këtë, i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) u ka thënë shumë prej shokëve të tij: Shpeshtojeni fjalën La haule ue la kuvvete il-la bil-lah, ngase ato janë prej thesareve të Arshit.

O All-llah, jepu shpirtrave tanë devotshmëri dhe pastroji ata, vërtetë Ti më së miri i pastron, Ti je Zoti dhe Kujdestari i tyre!

HADITHI I TRETË

Transmetohet nga Ubade ibn Samiti (RadijAllahu anhu), Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem): Mi garantoni mua gjashtë gjëra prej veteve tuaja, unë po ua garantoj xhenetin:

- thoni të vërtetën kur të flitni;
- çoni në vend premtimet tuaja;
- kryeni amanetet (besatimet) tuaja;
- ruani organet tuaja të turpshme;
- ulni shikimet tuaja dhe 
- shmangni duart tuaja.

Shpjegimi i hadithit të Ubade ibn Samitit  (RadijAllahu anhu): 

POROSIA E PARË: Thuajeni të vërtetën kur të flitni 

Sinqeriteti është prej ahlakut në të cilin na ka ftuar Islami dhe është përqendruar i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem). Allahu i Lartmadhërishëm thotë:

O ju që keni besuar, frikësojuni Allahut, dhe bëhuni të sinqertë. (Et-Tevbe 9, 119)

Pra, Allahu i Lartë i urdhëron robërit e tij besimtarë që të jenë të devotshëm, e kjo do të thotë praktikimi me respekt i urdhrave të Allahut të Madhërishëm, largimi nga ndalesat e Tij dhe sinqeriteti në fjalë dhe vepra. I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: 

Përmbajuni sinqeritetit, sepse sinqeriteti çon dhe të udhëzon në mirësi, e mirësia çon në xhenet dhe derisa njeriu të vazhdojë ta thotë të vërtetën dhe ta gjurmojë vazhdimisht, do të shkruhet tek Allahu (siddik) i sinqertë.
(Buhariu dhe Muslimi)

E domethënia e hadithit është: Përmbajuni sinqeritetit në fjalët dhe veprat tuaja, sepse sinqeriteti në fjalë e vepra përmirëson gjendjet tuaja, e Allahu i Lartësuar thotë:

O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta, Ai ua përmirëson punët tuaja dhe ua fal mëkatet, e ai që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka arritur fitore të madhe. (El-Ahzab 33, 70-71)

Nuk ka mundësi të përmirësohet gjendja e muslimanëve përderisa të mos jenë të sinqertë në fjalët dhe veprat e tyre:

Allahu nuk ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata të mos e ndryshojnë veten e tyre. (Er-Rad 13, 11)

Ndërsa sinqeriteti çon dhe udhëzon kah mirësia, e mirësia në Islam është e përmbledhur në një ajet të vetëm e që quhet ajeti i bamirësisë, ku Allahu i Madhërishëm thotë:

Nuk është mirësi ti ktheni fytyrat tuaja kah lindja e perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut dhe, Ditës së Gjykimit, melekëve, Librit (të shpallur nga Allahu), Pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe e shpenzon për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zekatin dhe ata që kur premtojnë i zbatojnë premtimet dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertë dhe mu ata janë të devotshmit. (El-Bekare 2, 177)

Pra, sinqeriteti çon në mirësi dhe në besim, adhurim, ahlak dhe marrëdhënie të mira. E këto çojnë në xhenet. E lusim Allahun e Lartë që të na bëjë prej të sinqertëve në fjalë dhe vepra deri kur të përmirësohet gjendja jonë.
POROSIA E DYTË : çoni në vend premtimet tuaja

Zbatimi i premtimit është prej cilësive të besimtarëve, kurse moszbatimi i tij është prej cilësive të dyfytyrëshave. I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

 Shenjat e munafikut janë tre: kur flet, gënjen, kur premton, nuk zbaton dhe kur ti besohet diçka, tradhton. 
(Buhariu dhe Muslimi)

Ndërsa, shenjat e besimtarit janë: kur flet, thotë të vërtetën, kur premton, e zbaton premtimin dhe kur ti besohet diçka, e çon në vend amanetin. Allahu i Lartë thotë:

Zbatoni premtimin që ma keni dhënë Mua, edhe Unë e zbatoj premtimin Tim, që ua kam dhënë juve. (Bekare 2, 40)

O ju që keni besuar, zbatoni zotimet tuaja (Maide 5, 1)

Çoni në vend premtimet e Allahut kur të besatoheni. (Nahl 16, 91)

Gjithashtu thotë:

Realizoni premtimet, sepse për premtimet do të ketë përgjejgjësi. (Isra 17, 34)

Pra, jemi të obliguar ti zbatojmë premtimet, zotimet dhe porositë, e kjo është prej cilësive të besimtarëve. I Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Nuk ka fe ai që nuk ka besë.
POROSIA E TRETË:  dhe kur tju besohet diçka, kryejeni atë

Allahu i Lartësuar thotë: 

Allahu ju urdhëron që amanetet tua dorëzoni pronarëve të tyre. (Nisa 4, 58)

E kjo përfshin të gjitha amanetet për njeriun, duke filluar nga të drejtat e Allahut të Lartë, siç është namazi, agjërimi, zekati, haxhi, urdhërimi në të mirë, ndalimi nga e keqja e të tjera, e gjithashtu përfshin edhe të drejtat e njerëzve siç janë garancitë e dorëzanitë etj., e i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Nuk ka iman ai i cili njerëzit nuk kanë besim në të.

POROSIA E KATËRT:  ruani organet tuaja të turpshme

Domethënë: Ruani organet tuaja nga zinaja (amoraliteti) dhe nga shkaktarët e tij. I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Kush më garanton mua që do ta ruajë atë që i ka në mes të dy faqeve (gjuhën) dhe atë që e ka në mes të dy këmbëve (organin gjenital), unë po ia garantoj atij xhenetin.

POROSIA E PESTË:  ulni shikimet tuaja

Shikimi është çelësi, e kur besimtari e ndalon shikimin e tij nga ajo që Allahu ia ka bërë haram prej shikimit në femrat e huaja dhe gjërat e tjera që janë haram, ai tanimë e ka ruajtur organin e tij; e kur ai e lëshon shikimin, shikimi do ta shpjerë deri te ajo pas tij, derisa ta shpjerë në zina, e mu për këtë Allahu i Lartë ka thënë:

Thuaju besimtarëve le ti ulin shikimet e tyre dhe le ti ruajnë organet e tyre të turpshme, kjo është më e pastër për ata e Allahu është i informuar në hollësi për atë që ata punojnë. Thuaju edhe besimtareve le ti ulin shikimet e tyre dhe le ti ruajnë organet e tyre të turpshme. (En-Nur 24, 30-31)

Pra, ulja e shikimit i ruan organet e turpshme, ndërsa ruajtja e organeve e ruan fenë, nderin, prejardhjen, gratë dhe fëmijët.

POROSIA E GJASHTË: dhe shmangni duart tuaja

Domethënë: Shmangni duart tuaja nga çdo gjë që Allahu e ka ndaluar prej prekjes së grave të cilat janë të ndaluara, shmangni duart tuaja nga dëmtimi i të tjerëve me gjuhë e me dorë, ngase i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) muslimanin e ka përshkruar kështu: Musliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurtë muslimanët.; kurse besimtarin e ka përshkruar kështu: Besimtar është ai prej të cilit njerëzit janë të sigurtë në gjaqet dhe pasuritë e tyre.; ndërsa muhaxhirin (të shpërngulurin) e ka përshkruar kështu: Muhaxhir (i shpërngulur në rrugën e Allahut) është ai i cili shpërngulet nga ajo që ka ndaluar Allahu.

Prandaj, besimtari nuk dëmton askë, as me dorën e as me gjuhën e tij, duke iu larguar përgojimit, mbartjes së fjalëve, sharjes, ofendimit, shpifjes, mallkimit etj. I Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Besimtari nuk është fyes, mallkues, vullgar, i pahijshëm e as fjalëfëlliqur. Pra, besimtari e shmang gjuhën dhe dorën e tij nga harami, kështu që nuk e godet askë me dorën e tij, nuk vjedh nga pasuritë e të tjerëve, nuk shkul lëvrimet e të tjerëve dhe nuk prek asgjë që Allahu e ka ndaluar. Dhe ky është kuptimi i fjalës së tij: shmangni duart tuaja.

HADITHI I KATËRT

Transmetohet nga Ebu Hurejra (RadijAllahu anhu): Ka thënë i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem): Kush po i merr nga unë këto fjalë e të punojë me to apo tia mësojë dikujt që punon me to? Thashë: Unë, o i Dërguari i Allahut, e ai më mori për dore dhe njehsoi pesë gjëra duke thënë:

- Ruaju nga gjërat e ndaluara, do të jesh njeriu më i devotshëm;
- Bëhu i kënaqur me atë që Allahu ta ka ndarë ty, do të jesh njeriu më i pasur;
- Bëji mirë fqinjit tënd, do të jesh besimtar;
- Dëshiroju njerëzve atë që dëshiron për veten tënde, do të jesh musliman;
- Mos e shpeshto të qeshurit, sepse të qeshurit e shumtë ta vdes zemrën.

Shpjegimi i hadithit të Ebu Hurejrës (RadijAllahu anhu):

Fjala e tij sal-laAllahu alejhi ue sel-lem: Ruaju gjërave të ndaluara, do të jesh njeriu më i devotshëm: Fillimisht, i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) e hapi hadithin e tij në formë të pyetjes: Kush po i merr nga, unë këto fjalë e të punojë me to?, në mënyrë që tua tërheqë vëmendjen njerëzve në ato fjalë të cilat muslimani duhet ti mësojë dhe ti fusë në punë e jo vetëm kaq, porse patjetër duhet që tia mësojë edhe të tjerëve, ngase dituri e dobishme është ajo që dobia e saj kalon te tjetri, e mu për këtë i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) tha: Përcillni nga unë qoftë edhe një ajet. E ky hadith na jep të kuptojmë se muslimani duhet të mësojë vetë dhe ti mësojë të tjerët. Lidhur me këtë i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë me një rast tjetër: 

Ai i cili vjen në xhaminë time, vetëm që të mësojë ndonjë dobi apo tia mësojë dikujt tjetër, ai është në gradën e luftëtarit në rrugën e Allahut. 
(Ibn Maxhe nga Ebu Hurejra)

POROSIA E PARË: Ruaju nga gjërat e ndaluara, do të jesh njeriu më i devotshëm...

Domethënë: Të kesh kujdes e mos bjer në haram, sepse adhurues i Allahut nuk është vetëm ai që falet, agjëron, jep zekatin, e kryen haxhin, urdhëron në të mira dhe ndalon nga e keqja, por adhurues i vërtetë është ai i cili largohet nga gjërat e ndaluara, nga vrasja e atij të cilin Allahu e ka bërë haram të vritet përveçse me të drejtë, nga amoraliteti, pirja e rakisë dhe pijeve dehëse, kamata, kumari dhe ai i cili largohet nga dëmtimi i njerëzve, fyerja e tyre, mallkimi i tyre dhe cenimi i nderit të tyre. Mu për këtë Muhammedi (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) tha: Ruaju nga gjërat e ndaluara, do të jesh njeriu më i devotshëm.
POROSIA E DYTË:  kënaqu me atë që Allahu ta ka ndarë, do të jesh njeriu më i pasur

Këtu, i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) na sqaron faktin se pasuri nuk është të kesh shumë pasuri  e patundshmëri, porse pasuria në botëkuptimin e Islamit është që besimtari të jetë i kënaqur me atë që Allahu ia ka ndarë nga furnizimi i hallallit, e ai me një rast tjetër tha: Nuk është pasuri të kesh shumë mall, por pasuri është pasuria e shpirtit. Duhet që të punohen shkaqet e pastaj të mbështetesh në Allahun. Allahu i Lartësuar thotë:

Ai është që ua bëri juve tokën të përshtatshme, andaj ecni në sipërfaqen e saj dhe hani prej begative të Tij, tek Ai është kthimi. (Mulk 67, 15)

I Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Sikur të mbështeteshit në Allahun përnjëmend, Ai do tju furnizonte ashtu siç e furnizon shpendin, i cili del herët në kërkim i uritur dhe kthehet i ngopur. Prandaj, besimtari i punon shkaqet e pastaj e arrin atë që i është caktuar dhe kënaqet me atë që Allahu i Lartë ia ka ndarë, e pikërisht kjo është pasuria e vërtetë në Islam.

POROSIA E TRETË:  bëji mirë fqinjit tënd, do të jesh besimtar

Ti bësh mirë fqinjit është prej çështjeve me të cilat ka ardhur Islami, ka nxitur në to Kurani dhe ka thirrur në to i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem), i cili ka thënë: 
Xhibrili vazhdimisht po më porosit për fqinjin, saqë mendova se do ta bëj trashëgimtar timin.
 (Buhariu dhe Muslimi)

Allahu i Lartësuar thotë:

Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni në adhurim asgjë dhe me prindërit silluni me mirësi e edhe me të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjin e afërt dhe të largët dhe me shoqëruesin që e ke pranë. (En-Nisa 4, 36)

Sa të shumta janë hadithet që sqarojnë të drejtat e fqinjit dhe se ai që i bën mirë është besimtar i plotë. I Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Ai që i beson Allahu dhe Ditës së Fundit, le ti bëjë mirë fqinjit të tij.
 (Muslimi)

Ai gjithashtu ka thënë:

Ai që i beson Allahut dhe Ditës së Gjykimit, mos ta shqetësojë fqinjin e tij. 
(Buhariu dhe Muslimi)

Gjithashtu ka thënë me një rast tjetër:

 Fqinji më i mirë tek Allahu është ai që është më i dobishmi për fqinjin e tij. 
(Tirmidhiu  sahih)

Ai gjithashtu ka thënë:

Pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun, nuk ka besuar, pasha Allahun, nuk ka besuar! I thamë: Kush, o i Dërguari i Allahut? E ai tha: Ai, prej të këqijave të të cilit nuk është i sigurtë fqinji i tij.
(Buhariu dhe Muslimi)

Prandaj, bamirësia ndaj fqinjit është argument i imanit të plotë, ashtu siç tha i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem): Bëji mirë fqinjit tend, do të jesh besimtar.

POROSIA E KATËRT:  Dëshiroju njerëzve atë që dëshiron për veten tënde, do të jesh musliman
Prej shenjave të muslimanit dhe besimtarit është që të dëshirojë për vëllain e tij besimtar atë që dëshiron për veten e tij, ashtu siç ka thënë i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem): Nuk ka besuar askush prej jush deri atëherë kur tia dëshirojë vëllait të tij të mirën ashtu siç e dëshiron për veten e tij. Prandaj, musliman i plotë është ai i cili ia do të mirën çdo muslimani; Islami dhe imani i tij nuk do të jenë të plotë përderisa të mos jetë i tillë.

POROSIA E PESTË:  Mos qesh shpesh, sepse të qeshurit e tepërt e vdes zemrën

Muslimani duhet të jetë në të shumtën e kohës së tij serioz, të mos qeshë përveçse pak, të mos tallet vetëm se ndonjëherë dhe, atëherë kur të tallet, mos të thotë tjetër veç të të vërtetës. Për këtë, i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Sikur ta dinit atë që di unë, pak do të qeshnit e shumë do të qanit. 
(Buhariu dhe Muslimi)

Ndërsa Lukmani, duke e porositur të birin, tha: O biri im, mos e shpeshto qeshjen pa e parë atë që të bën të qeshësh, mos ec pa ndonjë qëllim e pa nevojë, mos pyet për atë që nuk të intereson, mos e humb pasurinë tënde e ta përmirësosh pasurinë e tjetrit, sepse pasuria jote është ajo që e ke dhënë (për hir të Allahut), kurse pasuria e tjetërkujt është ajo të cilën e ke vonuar. Çudi për atë, i cili është i bindur se ka xhehenem, se si qesh, çudi për atë, i cili është i bindur se vdekja ekziston, se si gëzohet, çudi për atë, i cili është i bindur në caktimet e Zotit, se si lodhet e mundohet, çudi për atë i cili e sheh këtë botë dhe trazirat e saj me banorët e saj, se si është i qetë dhe i sigurtë në të!?

HADITHI I PESTË

Transmetohet nga Ebu Hurejra (RadijAllahu anhu) se i Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Tri gjëra janë shpëtimtare dhe tri gjëra janë shkatërrimtare. Tri shpëtimtaret janë:

- Takvallëku (të kesh frikërespekt) nga Allahu i Lartë në vetmi dhe në prani të njerëzve;
- Të thuash të vërtetën në gëzim dhe në hidhërim;
- Të jesh mesatar në skamje dhe në bollëk;
Kurse tri shkatërrimtaret janë:
- Ti nënshtrohesh koprracisë;
- Të pasosh epshin;
- Të të pëlqejë vetja (të të hyjë vetja në qejf), e kjo është më e rënda prej tyre.

Shpjegimi i hadithit të pestë:

POROSIA E PARË: Shpëtimtaret: Takvallëku (të kesh frikërespekt nga Allahu) kur të jesh vetëm dhe në prani të njerëzve.

Takvallëk është të kesh në hatër frikën nga Allahu fshehtazi dhe haptazi; tia kesh frikën Allahut do të thotë ti bindesh urdhrave të Tij dhe të largohesh nga ndalesat e Tij; të kesh takva do të thotë të ndalesh në kufijtë e Allahut të Lartë. I Dërguari (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Allahu i ka bërë të detyrueshme disa obligime, e mos i humbni ato, dhe ka caktuar disa kufij, e mos i shkelni ato. Rrënja e takvasë gjuhësisht ka kuptimin e ruajtjes, ngase ajo e ruan njeriun nga zjarri. Allahu i Lartë thotë:

O ju që keni besuar, kini frikë Allahun me një takvallëk të njëmendtë dhe mos vdisni ndryshe përveçse duke qenë muslimanë. (Ali Imran 3, 102) 

Abdullah Ibn Mesudi në komentim të këtij ajeti tha:  kini frikë Allahun me një takvallëk të njëmendtë d.m.th. ti bindesh Allahut e të mos bësh mëkat ndaj Tij, ta përmendësh e mos ta harrosh, ta falënderosh e mos ta mohosh. Allahu i Lartësuar thotë:

Frikësojuni Allahut sa të keni mundësi. (Et-Tebagun  64, 16) 

Ai gjithashtu ka thënë:

O ju që keni besuar, frikësojuni Allahut dhe thoni fjalë të drejta, Ai ua përmirëson punët dhe gjendjet tuaja dhe ua falë mëkatet tuaja, e kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij ai ka arritur fitore të madhe.(El-Ahzab 33, 70)

Ai gjithashtu  thotë:

Ai që ia ka dronë Allahut, Ai do ti gjejë atij rrugëdalje dhe do ta furnizojë prej nga nuk e llogaritë fare. (Et-Talak 65, 2)
Ai gjithashtu thotë: 
Nëse keni frikë Allahun, Ai do tju dhurojë udhëzim (për ta dalluar të mirën nga e keqja), do tua mbulojë të këqijat dhe do tua falë mëkatet e Allahu është Dhurues i Madh. (El-Enfal 6, 29)
Pra, takvallëku, me këtë botëkuptim, është një prej gjërave shpëtimare.

POROSIA E DYTË:  të thuash të vërtetën kur të jesh i gëzuar dhe i hidhëruar

Muslimani duhet ta thotë të vërtetën, qoftë edhe kundër vetes së tij, kur është i gëzuar apo i hidhëruar, i kënaqur apo i mërzitur, kështu që, nëse pyetet për ndonjë njeri, ta thotë të vërtetën pavarësisht se a është i hidhëruar ndaj tij apo i kënaqur me të e sidomos në çështjet si martesa, partneriteti, bashkëpunimi me njerëzit në tregti, industri etj., që gjithnjë dhe në çdo situatë ta thotë të vërtetën dhe të mos ndryshojë tek ai e vërteta me ndryshimin e epshit dhe shijes së tij.

POROSIA E TRETË:  mesatarja në skamje dhe bollëk

Të jesh mesatar do të thotë të jesh i ekuilibruar në shpenzime kur të jesh i pasur dhe i varfër, ngase Islami ka ardhur me mes dhe ekuilibër. Allahu i Lartësuar thotë:

Dhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar por, mbajnë mesataren e janë të matur. (El-Furkan 25, 67)

Pra, besimtari duhet të largohet nga teprimi dhe mangësimi dhe duhet të punojë me ekuilibër dhe me mes në çdo punë prej çështjeve të jetës së tij. Sa prej pasanikëve kishin pasuri të mëdha, shpenzuan pa masë dhe mbetën pa pasuri dhe sa prej të varfërve, të cilët edhe atë pak pasuri që e paten, e harxhuan dhe mbetën parazitë në kurriz të njerëzve? Islami erdhi në të gjitha çështjet e tij me mes dhe ekuilibër, pa ekstravagancë dhe pa mangësim.

POROSIA E KATËRT: Prej shkatërrimtareve: ti nënshtrohesh koprracisë

Besimtari nuk është dorështrëngruar e as koprrac. Allahu i Lartësuar thotë:

E kush i ruhet koprracisë së shpirtit të tij, të tillët janë të shpëtuarit. (Et-Tebagun 64, 16)

I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Ruajuni koprracisë, sepse koprracia i ka shkatërruar ata që ishin para jush, saqë i nxiti ta derdhin gjakun e njëri-tjetrit dhe e bënë të lejuar dhe nëpërkëmbën nderin e njëri-tjetrit. 
(Muslimi)

POROSIA E PESTË:  të pasosh epshin

Ta pasosh epshin do të thotë ti ndjekësh ato dhe të anosh pas lakmive dhe pasioneve në çdo gjë. Allahu i Lartësuar thotë:

Mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit Tonë dhe i është dhënë epshit të tij dhe puna e tij është e tepruar.  (Kehf 18, 28)

I Lartësuari gjithashtu thotë:

E kush është më i humbur se ai i cili e pason epshin e vet pa kurrfarë udhëzimi nga Allahu. (Kasas 28, 50)

Ai gjithashtu thotë:

A e ke parë ti atë që duke e ditur epshin e tij e respekton si zot të vetin, atë Allahu e ka humbur, ia ka mbyllur të dëgjuarit dhe zemrën e tij dhe i ka vënë perde mbi të parët e tij. Më thuaj, përveç Allahut, kush mund ta udhëzojë atë? A nuk po mblidhni mend? (El-Xhathije 45, 23)

Allahu i Lartësuar gjithashtu i thotë të Dërguarit të Tij (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem):
Ne të vumë ty në një rrugë të drejtë të fesë, pra ti pasoje atë e mos ndiq dëshirat e të padijshmëve. (El-Xhathije 45, 18)

Mos ndiqni dëshirat e një populli që e ka humbur rrugën, shkaktuan humbjen e shumë të tjerëve dhe që u larguan në tërësi prej rrugës së drejtë. (El-Maide 5, 77)

Dihet se nënshtrimi ndaj epshit ka shkatërruar njerëz dhe vendbanime të shumta dhe i ka kthyer njerëzit prapa për shkak se u hyri vetja në qejf.

POROSIA E TRETË: të të pëlqejë vetja, e kjo është më e rënda prej tyre.

Të të hyjë vetja në qejf dhe të jesh mendjemadh është prej gjërave më shkatërruese. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar thotë:

Atë vend të përjetshëm (xhenetin) e kemi bërë vendbanim të atyre që nuk duan mendjemadhësi e as ngatërresa në tokë e përfundimi i mirë u takon atyre që janë të ruajtur prej mëkateve. (Kasas 28, 83)

Ai gjithashtu thotë: 

Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve dhe mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh që shumë lavdërohet. (Lukman 31, 18)

I Lartësuari gjithashtu thotë: 

Karuni ishte nga populli i Musait dhe u bë arrogant dhe shtypte atë popull e Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri, saqë një grup i fuqishëm mezi bartnin çelësat e pasurisë së tij. E kur populli i vet i tha atij: Mos u kreno aq, sepse Allahu nuk i do të shfrenuarit. E deri te fjala e Allahut: Po Ne atë dhe pallatin e tij e shafitëm në tokë. (Kasas 28, 76)

Pra, ajo që e shkatërroi Karunin është se atij i hyri në qejf vetja dhe arroganca mbi të tjerët. Prandaj Allahu e fundosi në tokë që të jetë mësim për të tjerët deri në Ditën e Kijametit. I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Nuk do të hyjë në xhenet ai që në zemrën e tij ka mendjemadhësi sa grimca e atomit. 
(Muslimi)

Ai gjithashtu ka thënë:

Allahu i Lartësuar ka thënë: Krenaria është kostumi i poshtëm Imi dhe madhështia e lavdia janë pjesa e lartë e kostumit Tim, e ai që më konkurron në to, do ta dënoj.7 
(Muslimi)

I Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem)  gjithashtu ka thënë duke na treguar për gjendjen e një njeriu në kohët e mëparshme, të cilit i kishte hyrë vetja në qejf:

Derisa një njeri ishte duke ecur me kostumet e tij duke i pëlqyer vetja- i kishte krehur flokët dhe mburrej duke ecur-, Allahu e fundosi në tokë. E ai tanimë është duke u valëvitur dhe lëkundur në brendësi të tokës, e kështu do të valëvitet deri në Ditën e Kijametit. 
(Muslimi dhe Buhariu)

Ky është pra përfundimi i mburravecëve dhe i atyre që u ka hyrë vetja në qejf. Kjo është prej gjërave më shkatërrimtare për njeriun, ashtu siç e cilësoi i Dërguari i Allahut (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem). Allahu i Lartë na ruajtë prej mburrjes, pëlqimit të vetes dhe mendjemadhësisë dhe na dhëntë sukses që të jemi modestë, sepse me modesti na ka ardhur Muhammedi (Sal-laAllahu alejhi ue sel-lem) dhe modestia ishte ahlaku (morali) i tij. Ai ka thënë:

Ai që bëhet modest për hir të Allahut, atë Allahu do ta ngrejë lart. 
(Muslimi)

Post a Comment

0 Comments