I want to Repent but Albanian Language | Dëshiroj të pendohem por ...
Muhamed Salih El Munexhid
Përktheu : Ekrem Avdiu
Rishikoi: Omer Musa
Source: IslamHouse.com
PARATHËNIE
I want to repent but Albanian Language Dëshiroj të pendohem por ...:
Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë kërkojmë. Atë që e udhëzon Allahu, ska kush që e humb, e ai që e humb rrugën e vërtetë, ska kush që e udhëzon përveç Allahut. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut. Ai është Një dhe nuk ka ortak. Dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
Allahu i ka urdhëruar të gjithë besimtarët të bëjnë teube (pendim) kur tha: Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim. (Nur: 31) Ai, robërit i ndau në të penduar dhe mizorë, duke mos lënë vend për të tretin, andaj edhe tha: E ata që nuk pendohen janë mizorë. (Huxhurat: 11)
Kjo është koha kur shumica e njerëzve janë larguar nga feja e Allahut. Gjynahet na përshkuan e fesati u përhap aq shumë, sa gati të gjithë i përfshiu diçka nga fëlliqësirat e gjynaheve, përveç atyre që i ruajti Allahu.
Por, deshi Allahu të përhapet Drita e Tij dhe i zgjoi shumë nga të zhyturit në errësirë dhe të koturit në gjumë, që të hetojnë se i kanë lënë pas dore detyrat ndaj Allahut. Ata u penduan për lajthitjet dhe mosdëgjimin dhe i drejt-uan zemrat e tyre kah kështjella e pendimit. Disa të tjerë e braktisën jetën e mërzitshme dhe telashet e saj për ti hyrë rrugës që i nxjerr nga errësira në dritë.
Këta kalorës, gjatë shtegtimit të tyre, hasin në pengesa dhe frikësohen se mos vallë nuk do të arrijnë deri te pendimi. Këto pengesa janë ose të karakterit individual-shpirtëror, ose të karakterit të jashtëm, nga rrethi ku jetojnë.
Kjo ishte edhe arsyeja kryesore për shkrimin e kësaj broshure, duke pasur shpresë se në të do të ketë shpalim për pshtjellimet, sqarim për dyshimet, argument për vendi-met dhe pengesë për shejtanin.
Kjo broshurë përmban një hyrje për rrezikun e pakujdesisë ndaj gjynaheve, pastaj një shpjegim rreth kushteve të pendimit dhe mjekime shpirtërore së bashku me fetva të rëndësishme të përforcuara me argumente nga Kurani, Suneti dhe mendimet e dijetarëve.
Lus Allahun që me këto porosi të kem dobi unë dhe vëllezërit e mi muslimanë. Nga ata do të më mjaftonte një dua e përzemërt ose një këshillë e sinqertë. Allahu na i faltë gabimet të gjithëve!
Autori
VËSHTRIM NË RREZIKUN E ASGJËSIMIT TË GJYNAHEVE
Dije, Allahu të mëshiroftë, se kur Allahu i Madhëruar urdhëroi robërit e Tij që ti pendohen, e bëri kusht që teube-ja të jetë e sinqertë dhe tha:
O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë! (Tahrim: 8)
Allahu na dha afat për tu penduar para se të fillojnë të regjistrojnë Kiramun Katibin (Melekët e regjistrimit). Për këtë Muhammedi alejhi selam tha: Meleku që qëndron në anën e majtë për besimtarin gabimtar ngre lapsin (nuk regjistron) gjashtë orë. Nëse pendohet dhe i kërkon falje Alla-hut, e lëshon lapsin, e nëse jo, i regjistrohet një gabim.
Transmeton Taberaniu dhe Bejhekiu
Por Allahu na jep edhe një afat pas regjistrimit, afat që zgjat deri para momentit të vdekjes.
Është fatkeqësi që shumica e njerëzve nuk shpresojnë tek Allahu dhe as që dëshirojnë të jenë të ndershëm, andaj edhe i bëjnë gjynah Allahut ditë e natë. Një grup tjetër është zënë me asgjësimin e gjynaheve. Të tillët i sheh tek i asgjësojnë disa gjynahe të vogla, duke thënë për shembull: Çdëmton një shikim apo një përshëndetje me një femër të huaj?! Ata zbaviten duke shikuar lakuriqësi nëpër revista dhe filma, saqë disa prej tyre, pasi kuptojnë se një çështje është haram, pyesin pa u brengosur fare: Sa të këqija ka në të? A është gabim i madh apo i vogël? Nëse vërtet e ke vërejtur një gjendje të tillë, atëherë krahaso këtë gjendje dhe dy urtësitë vijuese të shënuara në Sahihun e Imam Buhariut, Allahu e mëshiroftë:
1) Transmetohet se Enesi (radijAllahu anhu) ka thënë: Ju jeni duke bërë disa punë që në shikimin tuaj janë më të imta se qimja, kurse ne, në kohën e Pejgamberit alejhi selam, i kemi llogaritur se janë shkatërruese.
2) Transmetohet se Abdull-llah ibni Mesudi (radijAllahu anhu) ka thënë: Besimtari i sheh gabimet e veta sikur të jetë ulur nën një bjeshkë, nga e cila ka frikë se mos po i bie mbi kokë, ndërsa gjynahqari i sheh gabimet e veta sikur një mizë, e cila kalon kah hunda e tij, e ai e tremb (me dorën e tij) dhe e largon.
A thua këta gjynahqarë e vërejnë rrezikun e çështjes në fjalë kur lexojnë hadithin e Muhammedit aljehiselam Mjerë ju nëse i asgjësoni gjynahet! Ai që i asgjëson gjynahet është si shembulli i një grup njerëzish të cilët (gjatë rrugës) zbresin në një luginë. Çdonjëri prej tyre sjell nga një krande, derisa grumbullojnë aq sa mund ta pjekin bukën e tyre. Nëse një person merret me agjësimin e gjynaheve ato pady-shim do ta shkatërrojnë atë. Sipas një transmetimi tjetër: Mjerë ju nëse i asgjësoni gjynahet! Ashtu ato do ti grumb-ullohen personit dhe do ta shkatërrojnë atë.
Transmeton Ahmedi
Dijetarët kanë theksuar se gjynahu i vogël vjen nga pakësimi i turpit, mosbrengosja, mosfrika ndaj Allahut dhe asgjësimi i vetë gjynahut, kështu që i bashkangjitet gjynahut të madh dhe ngrihet në shkallën e tij. Dijetarët kanë thënë: Gjynahu i vogël nuk trajtohet si i vogël nëse përsëritet, kurse gjynahu i madh nuk trajtohet si i madh nëse kërkohet falje (istigfar). Kujt është në këtë gjendje i themi: Mos shiko në peshën e gjynahut, por shiko kujt po i bën gjynah.
Nga këto fjalë me siguri do të kenë dobi të sinqerta, inshaAllah, ata që i ndiejnë të metat dhe gabimet shpirtëri-sht, e jo ata që janë shfrenuar në marrëzitë e tyre dhe janë këmbëngulës në gabime.
Këto fjalë janë për ata që u besojnë Fjalëve të Allahut:
Njoftoji robërit e Mi se, vërtet, Unë jam Ai që fal shumë dhe jam Mëshirues i madh. Po njoftoji se dënimi Im është dënim i dhimbshëm.
(Hixhr:49-50)
KUSHTET E PENDIMIT DHE PIKAT PLOTËSUESE TË TIJ
Fjala teube (pendim) është fjalë e madhe, me kuptim të thellë e jo si mendon dikush: shprehje me gojë e pastaj vazhdim në gabime. Nëse e vrojtojmë ajetin kuranor: Kër-kojeni falje Zotit tuaj dhe pendohuni (kthehuni) tek Ai. (Hud:3), do të shohim se teubeja është shtesë mbi istigfarin (kërkimi i faljes).
Pasi çështja është mjaft me rëndësi dhe me peshë të madhe, patjetër duhet të ketë kushte. Dijetarët islamë kanë cekur disa kushte të teubes, të mbështetura në ajete dhe hadithe. Ato janë:
I pari: Braktisja e gjynahut menjëherë.
I dyti: Pendimi për gabimin e bërë.
I treti: Zotimi se nuk e përsërit më.
I katërti: Kthimi i hakut atyre që dëmtoi ose kërkimi i faljes.
Disa dijetarë shtojnë edhe disa pika plotësuese për teuben e sinqertë, të cilat do ti citojmë së bashku me disa shembuj:
E para: Lënia e gjynahut të jetë vetëm për Allahun, jo për ndonjë qëllim tjetër, sikur pamundësia për ta bërë ose frika nga fjalët e njerëzve.
Shembull: Nuk llogaritet i penduar ai që i braktis gjynahet për pozitë ose autoritet, ose nga frika se mos po largohet nga vendi i punës.
Po ashtu, nuk llogaritet i penduar ai i cili i braktis gjynahet për ta ruajtur shëndetin dhe fuqinë e tij, sikur ai që e lë zinan (prostitucionin) nga frika e sëmundjeve ngjitëse ose pse ia dobëson trupin dhe kujtesën.
Nuk llogaritet i penduar as ai që e lë vjedhjen nga arsyeja se nuk e ka gjetur hyrjen e shtëpisë, se nuk ka pasur mundësi që ta hapë arkën, apo ka pasur frikë nga rojtari a polici.
Gjithashtu, nuk është i penduar ai që e lë marrjen e ryshfetit nga frika se mos dhënësi i tij është nga ndonjë shoqatë që lufton ryshfetin.
Nuk llogaritet i penduar kush e lë pirjen e alkoolit apo marrjen e drogës nga arsyeja se ka mbetur pa të holla.
Po ashtu, nuk llogaritet se është penduar ai që nuk është në gjendje ta bëjë gjynahun nga ndonjë shkak jashtë dëshirës së tij. Shembull: Rrenacaku që e kap ndonjë sëmundje që ia merr gojën; zinaqari që e humb fuqinë për kontakt seksual; vjedhësi që humb duart në ndonjë fatkeqësi. Pra, personat e këtillë patjetër duhet ta pranojnë gjynahun me keqardhje dhe të pendohen për të. Gjithashtu, ti shmangen krejtësisht e pastaj mos të përmallohen apo të dëshpërohen nëse u ikën, prandaj edhe alejhi selami thotë: Pendimi është teube.
Trasmeton Ahmedi dhe Ibni Maxhe
Allahu e konsideron të paaftin, të cilit i bie ndër mend të bëjë një gjynah, njëjtë si bërësin e gjynahut. E ja seç tha Muhammedi alejhi selam: Kjo botë është për katër persona: Një rob të cilin e furnizon Allahu me pasuri dhe dituri, e ai nëpërmjet tyre ia ka frikën Zotit, nga ato u ndan të afërmve dhe e di se edhe Allahu ka në to hak, ky është në pozitën më të nderuar. Dhe një rob të cilin Allahu e ka furnizuar me dituri, por jo edhe me pasuri, e ai thotë me sinqeritet: Sikur të kisha pasuri, do të veproja siç vepron filani. Sipas këtij qëllimi, edhe ky ka shpërblimin e njëjtë me të parin. Dhe një rob të cilin Allahu e ka furnizuar me pasuri, por jo edhe me dituri, e ky e keqpërdor pasurinë e vet pa dituri. Krahas pasurisë nuk ia ka frikën Allahut, nuk u ndan të afërmve dhe nuk e di se edhe Allahu ka në to hak. Ky është në pozitën më të poshtër. Dhe një rob të cilin Allahu nuk e furnizoi as me dije as me pasuri, e ai thotë: Sikur të kisha pasuri, do të veproja siç vepron filani. Sipas qëllimit, edhe ky e ka dënimin e njëjtë me të fundit.
Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu
E dyta: Ta ndiejë të keqen e gjynahut dhe dëmin e tij. Kjo do të thotë se pendimi i vërtetë nuk mund të jetë krahas ndjenjës së kënaqësisë dhe gëzimit kur i kujton gjynahet e kaluara, ose kur lakmon kthimin e tyre në të ardhmen. Ibni Kajjimi në dy librat e tij Ed-dau ved-devau dhe El-fevaid ka cekur dëmet e shumta që sjellin gjynahet. Prej tyre janë: mosarritja deri te dituria, egërsimi i zemrës, vështirësimi i çështjeve, dobësimi i trupit, humbja e respek-tit, largimi i bereqetit, pakësimi i suksesit, ngushtimi i shpir-tit, lindja e problemeve, adaptimi në gjynahe, mosrespekti ndaj Allahut, mosrespekti ndaj njerëzve, mallkimi i kafshëve ndaj tij, veshja e petkut të nënçmimit, vulosja e zemrës, hyrja në mallkim, mospranimi i duave, shtimi i turbullirave në tokë dhe në det, zhdukja e xhelozisë, humbja e turpit, ndërprerja e nimeteve, ardhja e dënimit, trishtimi i zemrës së gjynahqarit, mbetja në robëri të shejtanit, përfundimi i keq në këtë botë dhe dënimi i dhembshëm në botën tjetër.
Njohja e pasojave të rënda që sjellin gjynahet e dety-ron besimtarin të largohet nga gjynahet në tërësi. Disa njerëz kalojnë prej një gjynahu në një gjynah tjetër për disa shkaqe. Ndër to janë:
1) beson se dëmet e gjynahut tjetër janë më të lehta;
2) shpirti i anon më tepër, kurse epshi e nxit;
3) rrethanat e këtij gjynahu janë më të volitshme, përkundër të tjerave, të cilat kërkojnë më tepër përgatitje dhe kushtet nuk i kanë të gatshme dhe të plota;
4) shoqëria e tij ende shkon pas gjynaheve, prandaj atij i vjen vështirë të ndahet prej tyre;
5) nganjëherë personit gjynahu i sjell autoritet dhe pozitë në shoqëri dhe i vjen vështirë që ta humbë këtë pozitë, prandaj edhe vazhdon në këtë gjynah, mu si disa qeveritarë të cilët bien pre e sherrit dhe e fesatit. Prej tyre ishte edhe Ebu Nuvasi, i cili, kur u këshillua dhe u qortua për këmbë-nguljen në gjynahe prej Ebul Atahijjes, poetit fetar, tha:
A mendon, o Atahijje,
unë ti lë këto zbavitje?
Ta shkatërroj me adhurime
unë në popull pozitën time?
E treta: Ta shpejtojë njeriu teuben e mos ta vonojë, sepse vonimi i saj në thelb është gjynah që kërkon teube të sërishme.
E katërta: Të frikësohet se mos teubeja e tij është e mangët dhe mos të garantohet se i është pranuar e pastaj ti mbështetet vetes dhe të sigurohet nga ndëshkimi i Allahut.
E pesta: Ta kompensojë atë që i ka kaluar nga haku i Allahut, për shembull, nxjerrja e zekatit që nuk e jepte më parë, sepse zekati është hak (e drejtë) e të varfërit.
E gjashta: Ta braktisë vendin e gjynahut, nëse prania atje e fut në gjynah.
E shtata: Ta braktisë atë që i ndihmoi në gjynah (kjo pikë dhe ajo më parë janë urtësi të hadithit vrasësi i njëqindëve, i cili do të ceket më vonë).
Allahu thotë:
Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi. (Zuhruf: 67)
Bashkëpunëtorët në të keqe do të mallkojnë njëri-tjetrin Ditën e Gjykimit. Andaj është detyrë jotja, o i penduar, të largohesh nga ata dhe ti shkëpusësh të gjitha lidhjet, të kesh kujdes nga ata, nëse nuk ke mundësi ti thërrasësh në rrugën e shpëtimit. Gjithashtu, ruaju mos të të tërheqë shejtani dhe ta zbukuron kthimin te ta nëpërmjet thirrjes tënde në rrugën e shpëtimit, kur ti e di se je i dobët dhe nuk mund tu rezistosh.
Kemi shumë raste ku disa persona janë kthyer përsëri në gjynahe duke i përtërirë lidhjet me shokët e mëparshëm.
E teta: Shmangia e gjërave të ndaluara, si p.sh.: pijet alkoolike, veglat muzikore, fotografitë dhe filmat e shfrenu-ar (pornografikë), tregimet erotike dhe statujat. Ato duhen thyer, shmangur ose djegur.
Është e domosdoshme zhveshja e të gjitha rrobave të xhahilijjetit nga i penduari në prag të marrjes së qëndrimit islam. Sa prej rasteve kemi që janë bërë shkak këto rroba që të penduarit të kthehen nga pendimi i sinqertë dhe ta shtrembërojnë rrugën e tyre pas udhëzimit. Lusim Allahun të na forcojë!
E nënta: Të zgjedhë shokë të mirë, të cilët do ti ndihmojnë për ti zëvendësuar të këqijtë. Gjithashtu, duhet të marrë pjesë në tubimet ku përmendet Allahu dhe zhvillohet dija, në mënyrë që ta mbushë kohën me gjërat që i sjellin dobi e mos të gjejë vend shejtani për tia përkujtuar të kaluarën.
E dhjeta: Ta pastrojë trupin e tij, të cilin e ka mbajtur me fitim të palejueshëm, dhe ta shpenzojë fuqinë e tij duke e respektuar Allahun.
E njëmbëdhjeta: Ta bëjë teuben para gargarës (para se ti vijë fryma në fyt) dhe para se të lindë Dielli nga perëndimi. Gargara është zëri që del nga fyti me rastin e daljes së shpirtit. Qëllimi parësor është që teubeja të bëhet para se të ndodhë kijameti i vogël (vdekja) dhe kijameti i madh (shkatërrimi i botës), duke pasur për argument fjalën e Pejgamberit alejhi selam: Kush pendohet para gargarës, Allahu ia pranon teuben. Dhe: Kush pendohet para se të lindë Dielli nga perëndimi, Allahu ia pranon pendimin.
Transmeton Muslimi
PENDIMI I MADH
Këtu do të përmendim shembuj të pendimit në kohën e gjeneratës së parë, në kohën e sahabëve të Pejgamberit alejhi selam.
Transmetohet nga Burejde (radijAllahu anhu), se Maiz bin Malik el-Eslemi erdhi tek i Dërguari dhe tha: O i Dërguari i Allahut, unë i kam bërë zullum vetes dhe kam bërë zina, dëshiroj të më pastrosh! Pejgamberi e ktheu. Të nesërmen erdhi prapë dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, unë kam bërë zina. Ai prapë e ktheu. Pejgamberi alejhi selam dërgoi dikë te populli i tij dhe pyeti: A mos dini diçka në është i sëmurë nga mendtë? Ata thanë: Ne dimë se mendjen e ka të plotë dhe me sa shohim është prej të mirëve. I erdhi ai edhe për të tretën herë. I Dërguari prapë pyeti për të dhe e informuan se nuk ka gjë dhe është i shëndoshë. E kur i erdhi edhe për të katërtën herë e hapi një gropë për të, urdhëroi që të gurëzohet dhe ashtu u bë. Burejdeja tha: Pastaj erdhi Gamidija dhe i tha: O i Dërguari Allahut, unë kam bërë zina, më pastro! Edhe atë e ktheu. Të nesërmen i tha: Pse më kthen? A do të më kthesh siç e ke kthyer Maizin? Për Zotin, unë jam me barrë. Atëherë tha: Nëse jo, atëherë shko derisa ta lindësh. Kur lindi, i erdhi me fëmijën në pelena dhe i tha: Ja, ky është, e kam lindur. Ai ia ktheu: Shko dhe ushqeje derisa ta ndash nga gjiri. Kur e ndau nga gjiri, erdhi së bashku me fëmijën, i cili në dorën e tij mbante një copë bukë, dhe i tha: Ja, o i Dërguari i Allahut, e kam ndarë nga gjiri dhe po ushqehet vetë. Atëherë ia dha në mbrojtje fëmijën njërit prej muslimanëve, urdhëroi që ti hapet një gropë deri në gjoks dhe dha urdhër te njerëzit që ta gurëzojnë. Halid bin Velidi mori një gur dhe e gjuajti në kokë, saqë gjaku i saj e spërkati fytyrën e Halidit, e ky e shau. Pejgamberi alejhi selam e dëgjoi sharjen e tij dhe i tha: Ngadalë, o Halid, se pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, ajo ka bërë një teube që, sikur ta kishte bërë mbledhësi i tatimeve (haraxhit dhe zekatit), do ti falej. Pastaj ia fali namazin e xhenazes dhe e varrosën.
Transmeton Muslimi
Sipas një transmetimi tjetër tregohet se Umeri i ka thënë të Dërguarit të Allahut: O i Dërguar i Allahut, njëherë e gurëzove e pastaj po ia fal edhe xhenazen?! Pejgamberi ia ktheu: Ka bërë një teube që, sikur tu ndahej shtatëdhjetë banorëve të Medinës, do tu mjaftonte. A ke gjetur diçka më të vlefshme se ajo që sakrifikoi vetveten për Allahun?!
Transmeton Abdur-Rezaku në koleksionin e tij
PENDIMI I FSHIN TË KALUARAT
Dikush mund të thotë: Dëshiroj të pendohem, por çfarë më garanton faljen e Allahut nëse pendohem? Unë dëshiroj të ndjek rrugën e sigurtë, por më ndërhyn ndjenja e dyshimit. Sikur ta dija se Allahu mi fal gjynahet, do të pendohesha!
I them atij: Atë që ti ndien në shpirtin tënd e kanë ndier në shpirtrat e tyre edhe të tjerë para teje, sahabët e Resulull-llahut alejhi selam.
Sikur të ndalesh pak e të mendosh për këto dy rastet vijuese, hamendja ka për tu larguar nga shpirti yt, me lejen e Allahut.
Imam Muslimi (rahimehull-llah) na përcjell rastin e pranimit të Islamit nga Amër ibën Asi, i cili thotë: Kur Allahu e dashuroi Islamin në zemrën time, i shkova Pejgam-berit alejhi selam dhe i thashë: Zgjate të djathtën, se dua të ta jap besën. E zgjati të djathtën e unë i tërhoqa duart e mia. Atëherë më tha: Çke, o Amër? I thashë: Desha të shtroj disa kushte. Ai më tha: Çfarë kushtesh? I thashë: Të më falen gabimet! Ai ma ktheu: A nuk e di, o Amër, se Islami i fshin të kaluarat, edhe hixhreti i fshin të kaluarat, por edhe haxhi i fshin të kaluarat?
Imam Muslimi transmeton, nga Ibni Abbasi (radijAllahu anhuma), se disa njerëz nga mushrikët kanë bërë vrasje, saqë e kanë tepruar, gjithashtu kanë bërë zina, saqë e kanë tepruar. Pastaj erdhën te Muhammedi alejhi selam dhe e pyetën: Ajo që po thua dhe po ajo në të cilën na thërret është vërtet e mirë. Sikur të na lajmëroje se, për atë që kemi bërë, ka falje, atëherë do ta pranonim! Atëherë zbriti ajeti kuranor: Dhe ata që përveç Allahut nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk mbysin njeri përveç kur e meriton, në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai e gjen ndëshkimin. (Furkan: 68)
Gjithashtu ajeti tjetër: Thuaj: O robërit e Mi, ju të cilët e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet. (Zumer: 53)
A MË FAL ALLAHU?
Ti mund të thuash: Dëshiroj të pendohem, por gjynahet e mia janë të shumta. Nuk ka lloj prej punëve të ndyra që nuk e kam bërë, saqë nuk e di se a mund të mi falë Allahu?
Por të them ty, or vëlla, se ky problem nuk është vetëm yti, por i shumicës së atyre të cilët dëshirojnë të pendohen. Më kujtohet rasti i një të riu, i cili mu drejtua me pyetje duke më treguar se ka filluar të bëjë gjynahe qysh në vitet e hershme, se si ai kishte kaluar vetëm të shtatëmbëdhjetat kurse regjistri i tij ishte përplot me veprime të ndyra, të mëdha e të vogla, nga të gjitha llojet, me të gjitha moshat. Ai kishte dhunuar një vajzë të vogël, kishte bërë një mori vjedhjesh dhe më në fund thotë: Unë jam penduar tek Allahu xhel-le shanuhu. Tani zgjohem natën dhe fal namaz, i agjëroj të hënat dhe të enjtet, lexoj Kuran çdo herë pas namazit të sahabut. A thua, a pranohet pendimi im?
Është bazë tek ne, si ithtarë të Islamit, ti kthehemi burimit, Kuranit dhe Sunetit, kur janë në pyetje dispozitat, zgjidhjet dhe ilaçet. Kur i kthehemi Kuranit, aty gjejmë Fjalën e Allahut:
Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, se vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është që shumë fal dhe është Mëshirues. Dhe kthehuni tek Zoti juaj dhe pendojuni Atij.(Zumer:53,54)
Ja, pra, kjo është përgjigjja e saktë për problemin e sipërpërmendur dhe është aq e qartë, saqë nuk ka nevojë për sqarim. Ndërsa të menduarit se gjynahet janë më të mëdha se vetë falja e Allahut rrjedh nga mosbindja e personit në gjerësinë e rahmetit të Allahut, nga mungesa e besimit në fuqinë e Allahut për ti falur të gjitha gjynahet, nga dobësimi i një virtyti të rëndësishëm prej virtyteve të zemrës, e ajo është shpresa, dhe mosbesimi në fuqinë e pendimit në shlyerjen e gjynaheve të kaluara.
Tani do ti përgjigjemi çdonjërës prej këtyre dilemave:
E para: Mjafton për të si sqarim Fjala e Allahut:
Mëshira Ime përfshin çdo gjë. (Araf: 156)
E dyta: I mjafton hadithi kudsijj dhe i vërtetë: Thotë Allahu: Kush e di se Unë kam fuqi për ti falur gjynahet, ia fal atij dhe nuk më vjen vështirë, nëse nuk më bën tjetërkë ortak.
Transmeton Taberaniu dhe Hakimi
Qëllimi i këtij hadithi është kur robi ta takojë Zotin e tij në ahiret.
E treta: Këtë dilemë do ta shërojë hadithi kudsijj vijues: O bir i Ademit, çdoherë që më thërret dhe më lutesh, Unë ti fal ato që i ke bërë dhe nuk më vjen vështirë. O bir i Ademit, sikur të arrijnë gjynahet e tua kupën e qiellit, e pastaj të më kërkosh falje, do të të fal dhe nuk më vjen rëndë. O bir i Ademit, sikur të vish tek Unë me gjynahe sa është toka, dhe më takon pa më bërë askë ortak, do të të vij me falje sa është toka.
Transmeton Tirmidhiu
E katërta: I mjafton hadithi i Resulull-llahut alejhi selam kur thotë: Ai që pendohet nga gjynahu, është si ai që nuk ka bërë gjynah fare. Transmeton Ibni Maxhe.
Atij që e vështirëson faljen e Allahut për gjynahet e tij të grumbulluara, po ia përkujtojmë hadithin në temën vijuese.
TEUBEJA E VRASËSIT TË NJËQIND VETAVE
Nga Ebi Seid El-Huderiu transmetohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: Nga ata që kanë qenë para jush, ka qenë një njeri që i ka mbytur 99 veta. Pastaj kërkoi njeriun më të ditur në sipërfaqe të tokës. Atë e drejtuan te një prift, të cilit i shkoi dhe e pyeti: Për një që ka mbytur 99 veta, a ka teube? Ai iu përgjigj: Jo. E ky edhe këtë e mbyti dhe i plotësoi njëqind. Pastaj prapë kërkoi njeriun më të ditur në sipërfaqe të tokës. E drejtuan te një njeri i ditur dhe e pyeti: Për një njeri që i ka mbytur njëqind veta, a ka teube për të? Ai iu përgjigj: Po, e kush mund ta ndajë atë nga teubeja?! Pastaj vazhdoi: Shko në filan vend, në të cilin ka njerëz që i bëjnë ibadet Allahut dhe adhuro Allahun së bashku me ta, e mos u kthe në vendin tënd, se ai është vend i fesatit. Mori rrugën dhe, pasi e kaloi gjysmën e rrugës, i erdhi vdekja. Atëherë ranë në dilemë melaiket e rahmetit dhe melaiket e dënimit. Melaiket e rahmetit thanë: Ai u pendua dhe u drejtua me zemrën e tij kah Allahu. Melaiket e dënimit thanë: Ai kurrë një punë të mirë se ka bërë. Atëherë u erdhi një melek në formë të njeriut dhe e bënë ndërmjetësues të tyre. Ai u tha: Mateni largësinë mes dy vendeve dhe, te cili është më afër, atij i takon. Kur e matën, e panë se është më afër vendit ku dëshironte të shkonte dhe e morën melaiket e rahmetit.
Transmeton Buhariu, Muslimi
Në një transmetim tjetër të vërtetë thuhet: Ka qenë më afër fshatit të mirë për një pëllëmbë dhe u konsiderua prej tyre Kurse në një transmetim tjetër, gjithashtu të vërtetë, thuhet: E urdhëroi Allahu njërin fshat të largohet e tjetrin të afrohet dhe u tha: Mateni largësinë e të dyve, dhe e panë se është më afër fshatit për një pëllëmbë, ashtu që iu falën gjynahet.
Po, po kush mund ta ndajë atë nga teubeja?! E ti që dëshiron të pendohesh, a mos të duken gjynahet e tua më të mëdha se të këtij personi të cilit Allahu ia fali?! Kurrsesi, atëherë pse dëshpërohesh?!
Por çështja, more vëlla musliman, është edhe më e çuditshme se kjo. Studio pak Fjalën e Allahut:
Ata që përveç Allahut nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton, në bazë të drejtësisë, dhe nuk bën kurvëri, ndërsa kush e punon këtë, ai e gjen ndëshkimin. Atij i dyfisho-het dënimi Ditën e Kijametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepra të mira, Allahu ua shndërron të këqijat në të mira. Allahu është Mëshirues, ndaj ai fal shumë (Furkan: 68:70)
Ti hedhim një shikim Fjalës së Tij: Të tillëve Allahu ua shndërron të këqijat në të mira, na e bën të qartë sa i mëshirshëm është Allahu ndaj nesh. Dijetarët thonë se shndërrimi këtu është dy llojesh:
I pari: Shndërrimi i vetive të këqija në veti të mira ashtu siç shndërrohet shirku në iman, zinaja në nder dhe pastërti, gënjeshtra në drejtësi, tradhtia në besueshmëri, e kështu me radhë.
E dyta: Shndërrimi i të këqijave me të mira Ditën e Kijametit. Mendo pak në Fjalën e Allahut: Ua shndërron Allahu të këqijat në të mira. Ai nuk tha: Çdo të keqe do ta shndërrojmë me çdo të mirë që do të bëjnë, sepse ato mund të jenë më pak, baraz apo më shumë me numër apo me peshë, po kjo matet sipas sinqeritetit të të penduarit dhe vlerës së pendimit të tij. Po a ka nimet më të madh se ky? Tani shiko sqarimin e kësaj dhuntie hyjnore në këtë hadith të bukur:
Nga Abdur-rahman bin Xhubejri transmetohet se Ebi Tavil Shatb el-Memdudi i ka ardhur Pejgamberit alejhi selam, kurse në disa versione të tjera thuhet: I ka ardhur një plak i shtyrë në moshë, saqë vetullat i kishin rënë mbi sy, i mbështetur në shkop, iu afrua Pejgamberit alejhi selam dhe i tha: Më trego për një njeri që i ka bërë të gjitha gjynahet dhe nuk ka lënë asgjë prej tyre pa punuar, pra i ka bërë të gjitha, qofshin të vogla apo të mëdha. Në një version tjetër: ka bërë çdo gjë që i ka ardhur në dorë, saqë, sikur të shpërndahej gjynahu i tij në mes banorëve të tokës, prapë do ti shkatërronte ata.) A ka vend për pendim? Alejhi selami tha: A je bërë musliman? Njeriu tha: Sa më përket mua, unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Allahut. Atëherë Resulull-llahu i tha: Bë vepra të mira dhe lëri të këqijat, ashtu që Allahu të ti shndërrojë të gjitha në të mira. I mahnitur i tha: Edhe tradhtitë edhe krimet e mia?!!! Pejgamberi iu përgjigj: Po! Atëherë njeriu filloi të brohorasë: Allahu Ekber!, dhe vazhdoi kështu derisa humbi nga shikimet tona
Transmeton Taberaniu dhe Bezzari
Tani disa nga të penduarit mund të pyesin: Unë, derisa isha në rrugë të humbur, nuk kam falur namaz, isha jashtë bazave islame, por i kam bërë disa vepra të mira. A më llogariten edhe pas pendimit apo i ka marrë era?!
Edhe për të ka përgjigje: Transmetohet nga Urve ibni Zubejri se Hakim ibni Hazami e ka lajmëruar se ai i ka thënë Pejgamberit alejhi selam: O Resulull-llah, çthua për disa punë me të cilat doja të arrija sevap në xhahilijjet, siç është sadakaja, lirimi i robërve dhe vizita e farefisit, a ka për to shpërblim? Pejgamberi alejhi selam iu përgjigj: Kur je bërë musliman, i ke marrë edhe të gjitha të mirat që i ke bërë më parë.
Transmeton Buhariu
Gabimet falen, të këqijat shndërrohen në të mira, të mirat e kohës së xhahilijjetit po përcillen te personi edhe pas pendimit, atëherë çka mbeti?!!!
SI TË VEPROJ KUR BËJ GJYNAH?
Mund të thuash: Nëse bëj ndonjë gjynah, si të pendohem nga ai menjëherë? A ka ndonjë punë që duhet bërë pas teubes në moment?
Përgjigjja është kjo: Pas braktisjes së gjynahut, duhet të bëhen dy gjëra:
E para: Pendimi me zemër, vendosja për moskthim. Ky është rezultat i frikës ndaj Allahut.
E dyta: Aktivizimi i trupit me mirësi të ndryshme, në mesin e tyre edhe me namazin e teubes, ndërsa teksti i tij është si vijon:
Transmetohet nga Ebu Bekri (radijAllahu anhu), se ai ka thënë:
Kam dëgjuar Resulull-llahun alejhi selam duke thënë: Çdo njeri i cili bën gjynah, pastaj ngrihet dhe pastrohet, fal (dy rekate) dhe kërkon falje nga Allahu, Allahu atë do ta falë. Pastaj lexoi këtë ajet: Ata të cilët, kur bëjnë ndonjë mëkat të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes së tyre, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre. E kush i fal mëkatet përveç Allahut? E që, duke e ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen). (Ali Imran 135)
Hadithin e transmetojnë Eshabus-sunen
Ndërsa në disa transmetime të tjera të vërteta ekzistojnë edhe disa veçori të tjera të namazit, të cilat i fshijnë gjynahet. Këtu, do ti cekim shkurtimisht këto veçori:
1) Nga Ukbe ibni Amiri transmetohet se ka thënë: I Dërguari i Zotit ka thënë: Çdonjëri që merr abdest dhe e merr abdestin me përpikëri e pastaj i fal dy rekate, i për-qendruar me zemrën dhe fytyrën e tij, atij do ti bëhet borxh xheneti.
Abdesti sjell shumë dobi, se me përpikmërinë e marrjes së abdestit dalin gjynahet nga gjymtyrët e lagura së bashku me ujin apo me pikën e fundit të ujit. Gjithashtu, nga mirësitë e abdestit janë Bismil-lahi në fillim dhe duatë pas mbarimit. Ato janë: Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Alla-hut, i vetëm është, nuk ka ortak dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij Ose duanë: O Allah, më bë nga të penduarit dhe më bë nga të pastërtit. Ose duanë: Lavdia të qoftë Ty, o Allah, dhe duke të Të falënderuar dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Teje. Kërkoj falje prej Teje dhe pendohem tek Ti. Këto lutje, që bëhen pas marrjes së abdestit, kanë shpërblim të madh.
2) Ngrihet dhe fal dy rekate.
3) Përqendrohet me zemrën dhe fytyrën e tij në atë namaz.
4) Të mos hutohet.
5) Dhikrin dhe përlushmërinë ndaj Allahut i bën me respekt të plotë.
6) Pastaj i kërkon falje Allahut (i bën istigfar)
Ndërsa rezultati i saj është:
1) I falen gjynahet e bëra më parë.
2) I bëhet borxh xheneti.
E dyta: Të bëhen sa më shumë vepra të mira dhe sjellje të bukura. A ju kujtohet Umeri (radijAllahu anhu), kur e kuptoi gabimin e tij me Resulull-llahun në polemikën që u zhvillua në marrëveshjen e Hudejbisë, e pas saj tha: Kam bërë pastaj për këtë gabim vepra të mira (për shlyerjen e gjynahut).
Mendo pak në shembullin që ceket në këtë hadith të vërtetë: Shembulli i atij që bën vepra të këqija e pastaj u kthehet veprave të mira, është si shembulli i një njeriu që ka pasur një mburojë (rrobë e hekurt që vesh luftëtari) të ngushtë, nga e cila gati ngulfatej, pastaj e ka bërë një vepër të mirë dhe i është çliruar një hallkë, pastaj e ka bërë edhe një tjetër dhe i është çliruar edhe një hallkë. Kështu vazhdoi derisa është çliruar nga mburoja.
Transmeton Taberaniu
Veprat e mira e lirojnë njeriun nga burgu i gjynaheve dhe e nxjerrin në botën e gjerë të përkushtimit.
Për ty, vëlla i dashur, po sjellim edhe këtë tregim këshillu-es:
Transmetohet nga Ibni Mesudi, i cili ka thënë: Erdhi një njeri te Muhammedi aleji selam dhe i tha: O Resulull-llah, kam takuar një grua në një kopsht dhe kam bërë me të çmos, përveç marrëdhënieve intime. E kam puthur dhe e kam përkëdhelur, por nuk kam bërë diçka tjetër. Ti më dëno mua si të duash. Pejgamberi alejhi selam nuk i tha asgjë, atëherë njeriu shkoi. Umeri tha: Allahu do tia mbulonte gjynahun, sikur ta mbulonte ky vetë. Pejgam-beri e përcolli ate me shikim dhe tha: Kthejeni tek unë. E kthyen tek ai, e Pejgamberi recitoi: Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, si dhe në orët e afërta (me ditën) të natës. Ska dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është këshillë për ata që pranojnë këshillat. (Hud: 114) Muadhi tha: (Sipas një versioni tjetër Umeri tha:) O i Dërguar i All-lla-hut, ajo është vetëm për të apo edhe për të gjithë njerëzit? Ai i tha: Jo, por për të gjithë njerëzit.
Transmeton Muslimi
KEQBËRËSIT MË PENGOJNË
Dikush thotë: Dëshiroj të pendohem, por keqbërësit nga shoqëria ime e mëparshme më pengojnë dhe më nënçmojnë në çdo vend. Posa dëgjuan se ka disa ndryshime tek unë, filluan të më sulmojnë rrezikshëm. Unë po e ndiej vetën të dobët, si të mbrohem?
Këta persona i këshilloj të bëhen të durueshëm. Ky është caktim i Allahut për ti sprovuar robërit e Tij të sinqertë, që të dallohen të drejtët nga rrenacakët dhe ti dallojë Allahu të ndjyrët nga të pastërtit.
Kush vendos ti përmbahet kësaj rruge dhe ka filluar të hapërojë në të, le të përqendrohet në të. Shejtanët prej xhinëve dhe njerëzve e inspirojnë njëri-tjetrin që ti kthejnë të penduarit në të kaluarën, e ata nuk duhet ti dëgjojnë. Ata në fillim thonë: Ky është shqetësim i përkohshëm, shpejt do të të kalojë. Kjo është vetëm krizë momentale. Çudia më e madhe është se disa prej keqbërësve, në fillim të pendimit, i thonë shokut të tyre: Shpresojmë se nuk të ka kapur ndonjë e keqe!
Gjithashtu është për tu çuditur se njëra prej femrave, kur dashnori i saj ia mbylli telefonin në fillim të bisedës, sepse ai është penduar dhe nuk dëshiron të vazhdojë në gjynah, ajo e thërret përsëri dhe i thotë: Ndoshta të ka kaluar shqetësimi?! Ndërsa Allahu thotë:
Thuaj: Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve. Sunduesin e njerëzve. Të Adhuruarin e njerëzve. Prej të keqes së cytësit që fshihet, i cili bën cytje në zemrat e njerëzve. Qoftë ai (cytësi) nga xhinët apo njerëzit. (Nas: 1-6)
Kush ka përparësi që të respektohet: Zoti yt, apo shokët e së keqes?
Duhet ta dish se ata do të të pengojnë në çdo vend dhe do të mundohen të të kthejnë në rrugën e humbjes me çdo mënyrë. Më kanë treguar se, pas pendimit, njëra nga ish-shoqet e tij e urdhëronte shoferin e saj ti vihet pas, ndërkohë që ai ishte në rrugë për në xhami, ndërsa ajo i flet atij nga dritarja.
Në këtë rast:
Allahu forcon ata që besuan në fjalën e fortë, në jetën e kësaj bote dhe në jetën e botës tjetër. (Ibrahim: 27)
Keqbërësit do të përpiqen tua përkujtojnë të kaluarën dhe në çdo mënyrë tua përkujtojnë gjynahet e bëra, sikur kujtimet, thirrjet telefonike, fotografitë, letrat etj. Ata nuk guxojnë ti dëgjojnë, por të kenë kujdes nga mashtrimet e tyre dhe le të përkujtojnë rastin e Kab bin Malikut, sahabit të ndershëm, kur i Dërguari i Allahut urdhëroi sahabët që ta bojkotojnë atë për shkak të mospjesëmarrjes së tij në betejën e Tebukut, derisa të jepte leje Allahu. Gjatë kësaj kohe mbreti i Gassanëve i dërgoi një letër, ku i tha: Kemi dëgjuar se shoku yt ka hequr dorë prej teje, por Allahu nuk të ka lënë në vend të shkretë dhe të humbur. Eja tek ne, se do të të ndihmojmë. Kështu, jobesimtari dëshiron ta për-fitojë besimtarin, që ai të dalë nga Medina dhe të shkatë-rrohet në vendin e kufrit. Por cili ishte qëndrimi i këtij sahabi të ndershëm?! E ja se çka tha Kabi: Porsa e lexova letrën thashë: Edhe kjo është gjithashtu sprovë! E futa në zjarr dhe e dogja.
Kështu le të qëndrojë çdo besimtar ndaj kujdo që i dërgon letër, mashkull apo femër. Le ta djegin derisa të bëhet hi dhe le ta përkujtojnë zjarrin e xhehenemit derisa janë duke e djegur. Allahu thotë:
Ti, pra, bë durim, se premtimi i Allahut është i saktë, e kurrsesi mos të të luhasin ata që janë të dyshimtë. (Rum: 60)
ATA MË KËRCËNOHEN!
Dëshiroj të pendohem, porse shokët e mi të mëparshëm më kërcënohen se do ti nxjerrin në shesh marrëzitë e mia dhe do ti përhapin fshehtësitë e mia në masë. Ata kanë fotografi dhe dëshmi, e unë kam frikë për autoritetin tim. Unë jam tepër i shqetësuar!
Atij i themi: Luftoji bashkëpunëtorët e shejtanit, se kurthi i tyre është e dobët. Këto janë vetëm presione nga ndihmësit e Iblisit. Ata të grumbullohen, por para sabrit dhe këmbëngulësisë së besimtarit shumë shpejt shpërndahen dhe shkatërrohen.
Dije se, nëse vazhdon të ecësh me ta dhe u nënshtrohesh dëshirave të tyre, ata do të tubojnë edhe më shumë material kundër teje. Ti kështu do të jesh i dështuar, si në fillim ashtu edhe në fund. Atëherë, pra, mos i dëgjo ata dhe kërko ndihmë prej Allahut kundër tyre dhe thuaj: Më mjafton mua Allahu; sa ndihmëtar i mirë është Ai.” Resulull -llahu, kur frikësohej nga të këqijat e një populli, thoshte: O Allah, ne ti lëmë Ty qafat e tyre dhe të kërkojmë ndih-më nga të këqijat e tyre.
Transmeton Ahmedi dhe Ebu Davudi
Vërtet rasti është shumë i vështirë. Keqbërësi lajmëron në telefon besimtaren e gjorë dhe të penduar dhe i thotë: I kam incizuar bisedat e tua, gjithashtu kam edhe fotografi të tuat. Nëse nuk pranon të dalësh me mua, do të të poshtëroj te familja. Vërtet këto fjalë janë prekëse, prandaj edhe gjendja e saj nuk mund të nëpërkëmbet.
Shiko, se çfarë lufte zhvillojnë bashkëpunëtoret e shejtanit me të penduarit nga radhët e këngëtarëve dhe këngëtareve, aktorëve dhe aktoreve. Ata publikojnë produksionet më të marra të tyre, si në media ashtu edhe në treg, me qëllim presioni dhe lufte psikike. Por mos të harrojmë se Allahu është me takvalitë dhe teubexhitë. Ai është edhe kujdestar i besimtarëve. Nuk i nënçmon dhe nuk i lë të vetëm. Çdo rob që i është mbështetur Allahut, asnjëherë nuk është poshtëru-ar. Dije se pas çdo vështërsie ka lehtësim dhe pas çdo ngushtësie ka lirim.
Vëlla i dashur, për ty po paraqesim një tregim të prekshëm, që dëshmon qartë për atë që themi. Ky është tregimi i sahabit të ndershëm Murthid bin Ebi Murthid El Ganevi, i cili ka flijuar duke i mbartur muslimanët e dobët fshehurazi prej Mekës në Medine.
Ka qenë një njeri që quhej Murthid bin Ebi Murthid. Ai iu mbarte robërit prej Mekës dhe i çonte në Medine. Ndërsa në Mekë ka qenë një femër lavire, që quhej Anaka, të cilën ai e kishte shoqe. Ai i kishte premtuar një njeriu nga robërit e Mekës se do ta dërgonte në Medine. Rastin e tij ai e rrëfen kështu: Duke ecur rrugës arrita deri te një strehë e një muri të Mekës, në një natë plot hënë. Në moment erdhi Anaka. Ajo vërejti errësirën e hijes sime përskaj murit dhe filloi të vijë drejt meje. Kur u afrua afër, më njohu dhe tha: Murthidi?! Iu përgjigja: Po, Murthidi. Ajo më tha: Mirë se ke ardhur, eja dhe buaj tek ne sonte. Unë i thashë: O Anaka, Allahu e ka ndaluar zinanë. Atëherë klithi: O banorët e çadrave, ky njeri është duke transportuar robërit tuaj! Menjëherë filluan të më ndjekin tetë veta e unë ia mësyva Mandemit (kodër e njohur te njëra nga hyrjet e Mekës) dhe u ndala te një shpellë, duke hyrë brenda. Ata mu afruan aq shumë, saqë për pak preknin kokën time. Por, Allahu i qorroi e pastaj u kthyen. Iu ktheva shokut tim dhe fillova ta mbaj. Ishte shumë i rëndë. E afrova te një vend më i sigurtë, ia zgjidha prangat dhe e mbajta ashtu i lodhur derisa arrita në Medine. Shkova te Pejgamberi alejhi selam dhe i thashë dy herë: Pejgamber i Allahut, dua të marto-hem me Anakën. Pejgamberi heshti dhe nuk u përgjigj, derisa zbriti ajeti: Laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkë vetëm se me ndonjë lavire ose idhujtare, edhe lavirja, me të nuk do të duhej të martohet kush, vetëm se ndonjë lavir ose idhujtar. (Nur: 3)
Atëherë Pejgamberi alejhi selam tha: O Murthid, zinaqari nuk marton kë përveç zinaqares apo mushrikes dhe zinaqarja nuk marton kë përveç zinaqarit apo mushrikut, prandaj edhe mos u marto me të.
Transmeton Tirmidhiu
A e sheh se si Allahu i mbron ata të cilët besojnë dhe si është në anën e bamirësve?
Edhe nëse të ndodhë më e keqja, së cilës i frikësohesh, dhe të zbulohen disa gjynahe, aq sa çështja kërkon sqarim, sqarojua qëndrimin tënd të tjerëve. Thuaju. Po, vërtet kam qenë gjynahqar e tani jam penduar tek Allahu. Tani, çka dëshironi prej meje?!
Ta kemi parasysh të gjithë, se turpi i vërtetë është ai që do të zbulohet para Allahut në Ditën e Kijametit, Ditën e përçmimit të madh, jo para njëqind apo dyqind, një mijë apo dy mijë, por në dëshminë e të gjitha krijesave, melaikeve, xhinëve dhe njerëzve prej Ademit e deri te njeriu i fundit.
Ejani të kthehemi së bashku te duaja e Ibrahimit alejhi selam:
Mos më turpëro ditën kur do të ringjallemi. Ditën kur nuk bën dobi as pasuria as fëmijët. (Ka dobi) vetëm ai që i paraqitet Allahut me zemër të shëndoshë. (Shuara: 87-89)
Mbrohu në momentet e vështira me duatë pejgamberike: O Zot, mbuloji të metat tona dhe sigurona nga ajo që kemi frikë. O Zot, na bë (të fortë) tu hakmerremi atyre që na kanë bërë zullum. Na ndihmo kundër atyre që na kanë bërë padrejtësi. O Zot, ndërpreje dashakeqësinë e armiqve dhe ziliqarëve ndaj nesh!
GJYNAHET MA NGULFASIN JETËN
Mund të thuash: Unë kam bërë shumë gjynahe dhe jam penduar tek Allahu. Por gjynahet e mia më mundojnë. Kujti-mi i veprimeve të mia të mëparshme ma ngulfat jetën, ma vrazhdësojnë shtratin, ma braktisin gjumin dhe ma prishin qetësinë. Cila është mënyra që të qetësohem?
Të them or vëlla i dashur: Këto ndjenja janë shenjat e pendimit të sinqertë dhe kjo pra është thelbi e teubes së vërtetë. Pendimi është teube. Shikoje atë që ka kaluar me syrin e shpresës. Me shpresë se Allahu do të të falë ty. Mos u dëshpëro dhe mos i ul duart nga rahmeti i Allahut, sepse Ai thotë: Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur. (Hixhr 56)
Ibni Mesudi (radijAllahu anhu) ka thënë: Më i madhi gjynah është: ti bësh ortak Allahut; të sigurohesh nga ndëshkimi i Allahut; ti ulësh duart nga rahmeti i Allahut; të dyshosh në faljen e Allahut.
Transmeton Abdur-Rezaku
Besimtari ecën rrugës së Allahut mes frikës dhe shpresës. Por ndonjëherë e mund njëra anë: kur bën gjynah, anon më shumë nga frika. Frika e detyron të pendohet. E kur pendohet, anon nga shpresa. Shpresa e detyron të kërkojë falje nga Allahu.
A TË PRANOJ?
Një njeri me zë të pikëlluar pyet: Dëshiroj të pendohem, por a duhet patjetër të shkoj në vend të caktuar dhe të pranoj gjynahet? A është prej kushteve të teubes të pranoj para gjykatësit atë që kam bërë dhe të kërkoj ekze-kutimin e dënimit?
Çfarë kuptimi ka rasti që kam lexuar pak më parë mbi teuben e Maizit dhe Gamidijes dhe rasti i njeriut që zbavitet me gruan në kopsht?
Të themi ty, o vëlla i dashur, se lidhja e robit me Zotin e tij pa kurrfarë ndërmjetësimi është prej veçorive të këtij besimi të madh, me të cilin është i kënaqur Allahu. Në Kuran thuhet: E kur robërit e mi të pyesin për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet. (Bekare: 186)
Nëse jemi të bindur se teubeja i bëhet vetëm Allahut, atëherë edhe pranimi bëhet vetëm prej Allahut. Në duanë e sejjidul-istigfarit thuhet: I pranoj dhuntitë e Tua ndaj meje dhe i pranoj gjynahet që kam bërë.
Ne nuk jemi si të krishterët, për atë e falënderojmë Allahun. Atyre prifti ua fal gabimet nëse ulen në ulësen e pranimit të gabimeve. Por, Allahu në Kuran thotë: A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që pranon pendimin prej robërve të vet? (Teube: 104), prej robërve, pra, por pa kurrfarë ndërmjetësuesi.
Sa i përket ekzekutimit të dënimeve, përderisa nuk ka arritur akuza tek imami apo gjykatësi, nuk je i detyruar të shkosh dhe ta pranosh. Ai, të cilit Allahu ia ka mbuluar gjynahet, nuk është keq nëse e mbulon vetveten. Do ti mjaftonte teubeja si dëshmitar mes tij dhe Allahut. Nga emrat e Allahut të Madhërishëm është Es-Sit-tir (Mbulues), prandaj, edhe Ai e do mbulimin e gjynaheve të robërve të Tij.
Ndërsa sa i përket sahabëve, si Maizi dhe gruaja që kanë bërë zina dhe njeriu që është zbavitur me gruan në kopsht, ata (Allahu qoftë i kënaqur me ta) kanë bërë një vepër (kur e pranuan gabimin) që nuk kanë qenë të detyruar. Ata e kanë bërë nga dëshira për tu pastruer, pasi Pejgamberi alejhi selam, kur i erdhi Maizi dhe gruaja, në fillim i refuzoi. Gjithashtu fjala e Umerit për njeriun që është zbavitur me një femër në kopsht: Allahu do tia mbulonte gjynahun sikur ky ta mbulonte vetë, ndërsa Pejgamberi alejhi selam heshti me pohim.
Prandaj, nuk është nevoja të shkohet në gjyq dhe të bëhet pranimi, nëse Allahu ia ka mbuluar gjynahet. Po ashtu, nuk ka pse të shkohet te imami i xhamisë dhe të kërkohet ekzekutimi i dënimit, e as kërkimi nga ndonjë shok për ta shkopëzuar në shtëpi, siç mendojnë disa.
Kështu del në shesh qëndrimi i neveritshëm i disa të paditurve ndaj të penduarve, siç është rasti që vijon:
Një gjynahqare shkon te një imam i paditur në një xhami. Pranon para tij gjynahet që ka bërë dhe kërkon prej tij zgjidhjen. Ky imam i thotë: Patjetër duhet të shkosh njëherë në gjyq, ta vërtetosh pranimin sipas sheriatit dhe të ekzekutohet dënimi e pastaj të shikohet çështja jote. E gjora, kur e pa se nuk mund ta zbatojë fjalën e tij, ia ktheu shpinën teubes dhe u kthye në gjendjen e mëparshme.
Shfrytëzoj këtë rast që të bëj një apel të rëndësishëm: O ju muslimanë, njohja e vendimeve të fesë është amanet, gjithashtu kërkimi i tyre nga burimet e sakta është amanet. Andaj edhe Allahu thotë:
Pyetni pra dijetarët, nëse nuk dini. (Nahl 43)
E në një ajet tjetër thotë:
Ai është Mëshiruesi. Për Të pyete ndonjë shumë të dijshëm. (Furkan 59)
Çdo vaiz nuk është në gjendje dhe nuk na takon ta pyesim për fetva. Nuk na takon të pyesim çdo imam xhamie apo muezin për vendimet e sheriatit në çështjet e njerëzve. As çdo poeti apo prozatori nuk i takon ti interpretojë fetvatë. Besimtari është përgjegjës prej kujt i merr ato, sepse janë pjesë e ibadetit. Edhe vetë i Dërguari alejhi selam ka pasur frikë për umetin nga imamët që çojnë në dalalet. Njëri nga selefi (muslimanët e parë) ka thënë: Vërtet kjo dituri (marrja e fetvave) është fe. Shikoni me kujdes prej kujt po e merrni fenë tuaj. Adhurues të Allahut, hapni sytë dhe kini kujdes nga këto rrëshqitje. Kërkoni ata që janë dijetarë për atë që nuk kuptoni, e Allahu do tju ndihmojë.
FETVA TË RËNDËSISHME PËR TË PENDUARIT
Dikush thotë: Dëshiroj të pendohem, por nuk i di rregullat e pendimit. Në mendje më sillen shumë pyetje për vlef-shmërinë e teubes, kur i bëj disa gjynahe, për mënyrën e plotësimit të disa haqeve të Allahut, që i kam lënë pa i kryer, si dhe për mënyrën e kthimit njerëzve haqet e shkelu-ra. A ka përgjigje për këto pyetje?
Për ta shuajtur etjen dhe për ta freskuar zemrën e atij që i është kthyer rrugës së Allahut, po i paraqesim këto pyetje dhe këto përgjigje:
Pyetje: Unë e bëj gjynahun e pastaj pendohem për të. Por pastaj më mund epshi, i cili të çon drejt së keqes (nefsul emmare), dhe i kthehem përsëri. Me këtë, a zhvleftësohet pendimi i parë dhe a mbetet gjynahu i parë dhe ai pas tij?
Përgjigjie: Pjesa dërrmuese e dijetarëve thonë se nuk është kusht për vlefshmërinë e teubes që mos ti kthehet gjynahut, por vlera e teubes qëndron në atë se ajo përqendrohet në braktisjen e gjynahut, në pendimin prej tij dhe në vendosjen e prerë për shmangien e përdorimit të tij. Nëse e bën, atëherë trajtohet si ai që bën gjynah të ri. Atij i nevojitet pendim i ri, kurse pendimi i parë është i vlefshëm.
Pyetje: A pranohet teubeja nga një gjynah derisa unë jam duke bërë tjetrin?
Përgjigjie: Pranohet teubeja nga një gjynah edhe nëse je duke bërë tjetrin, me kusht që të mos jetë prej të njëjtit lloj dhe nuk ka lidhje me gjynahun e parë. Shembull, nëse pendohet nga kamata, por nuk pendohet nga pirja e alkoolit, pendimi i tij nga kamata pranohet dhe anasjelltas. Por nëse pendohet dhe nuk punon me kamatën e rëndomtë e në anën tjetër vazhdon të punojë me kamatë kreditore, atëherë pendimi i tij nuk pranohet. Edhe atij që pendohet nga marrja e drogës ndërsa vazhdon me pirjen e alkoolit, nuk i pranohet teubeja. Gjithashtu, kush pendohet nga zinaja me një femër dhe vazhdon me tjetrën, edhe atij nuk i pranohet. Ajo që kanë arritur është se janë shmangur nga një gjynah, por janë duke bërë gjynahun tjetër nga i njëjti lloj.
Pyetje: Kam lënë disa detyra ndaj Allahut në të kaluarën: namaze që nuk i kam falur, agjërim që nuk e kam mbajtur, dhe zekat që nuk e kam dhënë. Tani, si të veproj?
Përgjigjie: Lënësi i namazit nuk e ka për detyrë ta bëjë kaza. Ky është mendimi më i saktë, ngase atij i ka kaluar koha e rregullt dhe nuk mund ta arrijë tjetër herë. Namazin e kompenson me kërkim faljëje (istigfarë) dhe me fal-jen e shpeshtë të nafileve, ndoshta Allahu në këtë mëny-rë ia fal. (Pjesa dërrmuese e dijetarëve islamë, në mesin e tyre edhe dijetarët hanefi, e kushtëzojnë përsëritjen (kazanë) e nama-zeve të kaluara për vlefshmërinë e teubes, duke bërë kraha-sim (kijas) me kazanë e domosdoshme të gjumashit dhe harrestarit. Shënim i përkthyesit.
Sa i përket lënësit të agjërimit, nëse ka qenë musliman në kohën kur e ka lënë agjërimin, e ka për detyrë ta bëjë kaza së bashku me të ushqyerit e një varfanjaku për çdo ditë që ka lënë gjatë Ramazanit, kur arrin Ramazani tjetër pa arsye. Kjo është keffaret (kompensim) për vonimin e agjëri-mit. Agjërimi bëhet ditë për ditë, edhe nëse grumbullohen muajt e paagjëruar. P.sh. Një njeri i ka lënë 3 ditë të Ramazanit të vitit 1400 hixhrij dhe 5 ditë të Ramazanit të vitit 1401 hixhrij. Pas disa vitesh është penduar tek Allahu. Ai duhet ti bëjë kaza tetë ditë të agjërimit dhe ta ushqejë një varfanjak po aq ditë. Shembull tjetër. Një femër ka hyrë në pubertet në vitin 1400 hixhrij dhe është turpëruar ti lajmërojë prindërit e saj, ashtu që i ka agjëruar edhe tetë ditët e rregullta (të menstruacionit) dhe nuk i ka bërë kaza. Tani ajo është penduar tek Allahu. Edhe për te vlen vendimi i mëparshëm. Këtu pra është fjala për ata që e kanë lënë agjërimin nga përtesa apo nga turpi, sepse disa dijetarë islamë janë të mendimit se për ata që e kanë lënë agjërimin me qëllim dhe pa arsye nuk ka kaza.
Ndërsa sa i përket lënësit të zekatit, ai detyrohet ta nxjerrë dhe ta japë zekatin, sepse ai është hak i Allahut nga njëra anë dhe hak i varfanjakut nga ana tjetër.
Pyetje: Nëse gjynahu i bërë hyn në hakun e njeriut, atëherë si duhet bërë teubeja?
Përgjigjie: Bazë për këtë kemi hadithin e Resulull-llahut: Kush i ka bërë padrejtësi vëllait të vet në pasuri apo në nder, le ti kërkojë hallallëk menjëherë dhe para se ti merret atë ditë kur nuk do të ketë dinar as dirhem. Nëse ka ndonjë vepër të mire, i merret me masën e padrejtësisë së tij, e nëse nuk ka vepra të mira, atëherë i merren të këqijat e vëllait të vet dhe i ngarkohen atij.
Transmeton Buhariu
I penduari mund të lirohet nga padrejtësitë e veta vetëm përmes kthimit të hakut atij që i takon, ose përmes kërkimit të hallallëkut dhe faljes. Nëse e falin, lirohet, përndryshe duhet tua kthejë.
Pyetje: Kam marrë nëpër gojë shumë njerëz, ndërsa disa të tjerë i kam akuzuar me gjëra prej të cilave ata janë të pastër. A është kusht ti lajmëroj për veprimet e mia dhe tu kërkoj falje? Nëse nuk kushtëzohet, atëherë si të bëj teube?
Përgjigjie: Kjo pyetje vlerësohet sipas levërdive dhe dëmeve. Nëse kur i lajmëron për përgojimin apo akuzat që ua ka bërë, nuk i hidhërohen dhe nuk u shtohet urrejtja dhe inati, mund të kërkojë falje prej tyre edhe nëse nuk i thekson veprimet e bëra. Shembull, ti thotë: Unë kam bërë gabime ndaj teje në të kaluarën ose të kam bërë zullum me disa fjalë. Tash më jam penduar tek Allahu, të lutem më fal. pa mos i shtjelluar veprimet. Kështu bën të veprohet.
E nëse, kur i lajmëron për përgojimin dhe akuzat që ua ka bërë, hidhërohen dhe u shtohet urrejtja dhe inati (bile në shumicën e rasteve ndodh kështu); ose, nëse i lajmëron me fjalë të shkurtra ata do të kërkojnë sqarime të gjata, që, kur do ti dëgjojnë, do tu shtohet edhe më tepër urrejtja, atë-herë më mirë është të mos i lajmërojë, sepse sheriati islam nuk preferon të shtohen dëmet. Kështu që lajmërimi i personit për disa çështje, prej të cilave ka qenë i rehatuar para se ti dëgjojë dhe të cilat sjellin urrejtje, vjen në kundërshtim me synimet e sheriatit, i cili preferon lidhjen shpir-tërore dhe dashurinë mes besimtarëve. Mund të ndodhë që vetë lajmërimi të jetë shkak për një armiqësi pas së cilës nuk mund të arrihet asnjëherë më deri te qetësimi i shpirtit të atij që është akuzuar apo është marrë nëpër gojë dhe ti rikthejë marrëdhëniet e mira me akuzuesin. Me këtë rast mjaftojnë disa pika për vlefshmërinë e teubes. Ndër to:
1 - Pendimi dhe kërkimi i faljes nga Allahu, duke e kujtuar pasojën e këtij krimi dhe bindjen në ndalimin e tij.
2 Përgënjeshtrimi i vetvetes kur e dëgjon diken duke e përcjellë përgojimin e tij apo duke e përhapur akuzën (iftiran) e tij dhe ta pastrojë të akuzuarin.
3 - Përmendja për të mirë e atij që ka marrë nëpër gojë në ato vende ku e ka marrë në qafë dhe ti përhapë të mirat e tij.
4 - Mbrojtja nga ata që e përgojojnë dhe ti rrijë krah kur dikush dëshiron ta marrë nëpër këmbë.
5 Bërja dua për të dhe kërkimi i faljes kur është në vetmi.
Vëlla musliman, vëreji dallimet mes hakut në pasuri dhe krimeve fizike. Nga të drejtat materiale kanë dobi ata që u takon: nëse lajmërohen për të dhe u kthehet, ata sigurisht do të gëzohen, prandaj edhe nuk guxon të mbahet fshehtë, përkundër të drejtave morale, prej të cilave nuk shtohet asgjë përveç dëmit dhe urrejtjes.
Pyetje: Si të pendohet vrasësi i qëllimshëm?
Përgjigjie: Vrasësi i qëllimshëm i ka tri obligime: Obligim ndaj Allahut, obligim ndaj të vrarit (viktimës) dhe obligim ndaj trashëgimtarëve të tij.
Obligimi ndaj Allahut nuk mund të kryhet vetëm se me teube të sinqertë.
Obligimi ndaj trashëgimtarëve të viktimës është që tu dorëzohet atyre dhe ta marrin hakun e tyre, qoftë me kisas (dënim me të njëjtën masë), qoftë pagim të gjakut ose ti falet.
Këtu mbetet haku i të vrarit, i cili nuk mund të kryhet në këtë botë. Dijetarët islamë thonë, se nëse pendimi i vrasësit bëhet e sinqertë dhe bën vepra të mira, atëherë Allahu e liron nga haku i të vrarit, ndërsa të vrarin e kompenson me të mirat e Tij ditën e ringjalljes. Kjo është prej përgjigjeve më të sakta.
Pyetje: Si të pendohet vjedhësi?
Përgjigjie: Nëse sendi i vjedhur gjendet tek ai, e kthen te pronari i saj. E nëse është harxhuar, prishur apo ka mangësi në vlerën e tij gjatë përdorimit, duhet tua kompensojë, përveç nëse ia falin.
Pyetje: Ndiej vështërësi të madhe kur ballafaqohem me ata që u kam vjedhur. Nuk mund tu tregoj e as tu kërkoj falje. Si të veproj?
Përgjigjie: Nuk është keq të kërkosh ndonjë rrugë me të cilën do ta zbusësh ngushtësinë tënde kur takohesh me ta. Shembull, përmes dërgimit të gjërave të tyre me ndonjë person tjetër duke kërkuar të mos përmendet emri yt, ose me anë të postës. Mund ti lësh, gjithashtu, fshehurazi tek ata, ose të përdorësh ndonjë truk dhe tu thuash se ky është haku i tyre që ka qenë te një person i cili nuk dëshiron ti përmendet emri. Me rëndësi është tu kthehet pronarëve haku i tyre.
Pyetje: Kam pas vjedhur më parë nga babai fshehurazi. Tani dëshiroj të pendohem, por nuk e di se sa kam vjedhur saktësisht, dhe më vjen vështirë ti dal karshi.
Përgjigjie: Duhet ta vlerësosh përafërsisht pasurinë e vjedhur dhe po atë vlerë të hollash lejohet tia kthesh babait tënd fshehurazi, ashtu siç ia ke marrë.
Pyetje: Kam vjedhur prej njerëzve pasuri të ndryshme, e tashmë jam penduar tek Allahu, por unë nuk i di adresat e tyre.
Përgjigjie: Duhet ti kërkosh sa të mundesh dhe të kesh kohë. Nëse i gjen, kthejua dhe falëndero Allahun. Por nëse ka vdekur pronari i pasurisë, tua kthesh trashigimtarëve të tij. E nëse nuk i gjen, përkundër përpjekjes tënde të mad-he, atëherë jepe atë sadaka në zëvendësim të tyre dhe bëje nijet për ta, edhe nëse janë jomuslimanë, sepse Allahu, nëse nuk u jep në ahiret, i shpërblen në dynja.
Kjo çështje është shumë e afërt me rastin që e cek Ibni Kajjimi në librin e tij Medarixhus-salikin (Gradacionet e besimtarëve), se një njeri ka vjedhur në armatën e muslimanëve. Pas një kohe ai pendohet dhe e sjell atë që ka vjedhur para gjeneralit të ushtrisë, por, ai nuk e pranoi. Ai i tha: Si ta pranoj kur nuk di se si tua shpërndaj ushtarëve haqet e tyre pasi që ata janë kthyer?! I penduari shkon te një dijetar i quajtur Haxh-xhaxh bin Shair dhe kërkon fetva prej tij. Ai u përgjigj: O njeri, Allahu i njeh ushtarët dhe i di emrat e tyre. Një të pestën e pasurisë ndaje për buxhetin ushtarak, kurse tjetrën jepe sadaka në emër të tyre, se Allahu do ti shpërblejë për të. Ai ashtu veproi. Kur dëgjoi Muaviu tha: Sikur ta jepja unë këtë përgjigje, do të më ishte më e dashur se gjysma e pasurisë sime.
Pyetje: Ua kam grabitur pasurinë disa jetimëve, pastaj kam bërë tregti dhe kam fituar prej tyre. Kjo pasuri është shtuar disa herë. Pastaj iu frikova Allahut dhe u pendova për atë që kam bërë. Si më pranohet teubeja?
Përgjigjie: Dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme rreth kësaj çështjeje. Mendoj se mendim më i afërt është ai i cili thotë se pyetësi e ka për detyrë tua kthejë kapitalin jetimëve dhe tua shtojë gjysmën e fitimit.
Atëherë do të konsiderohet ortak i tyre në fitim, kurse kapitali u mbetet atyre.
Pyetje: Kam blerë një veturë me të holla e të cilave gjysma ishin të fituara hallall e gjysma tjetër haram. Vetura gjendet ende tek unë, si të veproj?
Përgjigjie: Kush blen një send që nuk ndahet, si shtëpi apo veturë me pasuri, gjysma nga hallalli e gjysma nga harami, ai duhet të ndajë nga pasuria tjetër në masë të haramit dhe e ndan sadaka për pastrimin e pasurisë. Nëse kjo pjesë e pasurisë e fituar haram është hak i tjetërkujt, duhet tua kthejë atyre me të njëjtën vlerë, siç e sqaruam më parë.
Pyetje: Çka të bëhet me një pasuri e cila është fituar nga ha-rami ose është përzier me pasuri hallall?
Përgjigjie: Kush bë tregti me mall haram duke ia ditur vendimin atij e pastaj pendohet, fitimin e kësaj tregtie të ndaluar e jep në vend hallall me qëllim të pastrimit e jo me qëllim të sadakasë, sepse Allahu është i Pastër dhe e do të pastrën.
Nëse malli haram përzihet me mall tjetër, siç është rasti me dyqanxhiun i cili shet alkool së bashku me mallin tjetër, ai duhet të vlerësojë këtë pasuri haram me një çmim të përafërt dhe ti nxjerrë ato të holla në atë mënyrë që mendja ti anojë se e ka pastruar mallin e tij nga harami, kurse Allahu do tia kthejë me fitim më të mirë, sepse ka mjaft për besimtarët.
Në përgjithësi, kush ka pasuri haram dhe dëshiron të pendohet, nëse ka qenë jomusliman kur e ka fituar pasurinë, në momentin e teubes nuk obligohet ta nxjerrë atë, sepse Pejgamberi alejhi selam nuk i obligoi sahabët, kur u bënë muslimane, ta nxjerrin pasurinë që e kanë fituar me haram. Por, nëse ka qenë musliman kur e ka fituar pasurinë nga harami dhe ka qenë i vetëdijshëm për këtë, atëherë ai, po të pendohet, duhet ta nxjerrë nga pasuria e tij atë që është haram.
Pyetje: Kam pasur pasuri të marrë nga kamata, por unë e kam harxhuar të tërën, ashtu që nuk ka mbetur gjë prej saj. Tani unë jam penduar, si të veproj?
Përgjigjie: Nuk ke kurrfarë detyrë përveç teubes tek Allahu i madhëruar, teube të sinqertë. Duhet ta dish se kamata është gjë e rrezikshme. Allahu urdhëron në Kuran që të mos të luftohet askush, përveç atyre që e marrin kamatën. Derisa pasuria jote nga kamata është harxhuar krejtësisht, atëherë nuk ke në këtë pikëpamje kurrfarë obligimesh.
Pyetje: Një njeri ka marrë ryshfet, pastaj Allahu e udhëzoi në rrugë të drejtë. Çtë bëjë me pasurinë e marrë nga ryshfeti?
Përgjigjie: Ky person ka marrë ryshfet në dy mënyra:
1 - Ka marrë rryshfet nga dikush që ka qenë i detyruar ta japë këtë, që të arrijë deri tek e drejta e tij, sepse nuk ka pasur tjetër rrugëdalje përveçse të japë ryshfet. Në këtë rast i penduari duhet tia kthejë pasurinë atij që ia ka marrë, sepse kjo pasuri llogaritet si pasuri e plaçkitur dhe se ai që e ke dhënë ka qenë i detyruar ta bëjë këtë.
2 - Ka marrë ryshfet nga dikush që ka synuar të arrijë disa qëllime që nuk janë e drejtë e tij. Atij nuk i kthehet ajo që i është marrë, por i penduari pastrohet nga kjo pasuri e ndaluar duke e shpërndarë në vende të nevojshme, si fukarave për shembull. Ai duhet të pendohet nga veprimi që u ka shkaktuar dëme atyre që ua ka marrë të drejtat.
Pyetje: Kam bërë punë të ndaluara, e për to kam marrë të holla. A jam e detyruar, pasi jam penduar, tua kthej këto të holla atyre që mi kanë dhënë?
Përgjigjie: Personi i cili bën punë të ndaluara ose bën shërbime të ndaluara dhe për to merr të holla, nëse pendohet, duhet të pastrohet nga ajo pasuri, por nuk duhet tia kthejë atyre që ua ka marrë.
Zinaqarja që merr të holla për zina, nëse pendohet, ato të holla nuk ia kthen zinaqarit. Këngëtari që merr të holla nga këngët e pandershme, po të pendohet, nuk ia kthen ato pronarit të banketit. Shitësi i alkoolit apo i drogës nuk i kthen të hollat tek ata që ua ka shitur, nëse pendohet. Dësh-mitari i rrejshëm, që merr ryshfet nuk ia kthen të hollat atij që e ka përdorur si dëshmitar të rrejshëm.
Shkak për këtë është se nëse i penduari ia kthen pasurinë e ndaluar gjynahqarit, atij i dyfishohen levërditë. Kjo nënkupton se ai po i ndihmon për ti bërë edhe më tej gjynah Allahut, kështu që duhet vetëm se të pastrohet nga ajo pasuri. Ky është edhe mendimi kan anon Ibni Tejmiu dhe nxënësi i tij, Ibni Kajjimi.
Pyetje: Kam një çështje që më brengos shumë dhe më shkakton shqetësime të mëdha. Fjala është se unë kam bërë zina me një femër e tani nuk di se si të pendohem. A më lejohet martesa me të për ta mbuluar çështjen?
Përgjigjie: Aq shumë po shtrohen pyetje rreth panders-hmërisë, kohëve të fundit, saqë është bërë e domosdoshme që muslimanët ti rishikojnë gjendjet e tyre dhe të udhëzohen sipas Kuranit dhe Sunetit, posaçërisht në çështj-en e uljes së shikimit, ndalimit në vetmi me atë që e ke të ndaluar, të përshëndetja me femrën e huaj dhe mbajtja e mbulesës islame. Sa i përket pyetjes së sipërshtruar, ai që bën zina ka vepruar në njërën prej këtyre dy mënyrave:
1 - Ka bërë zina me një femër me dhunë dhe me presion, e për këtë person është obligim tia japë mehrin e standardit të saj, si kompensim për dëmin që ka shkaktuar krahas teubes së sinqertë që duhet të bëjë. Nëse është duke jetuar në një shtet ku praktikohet sheriati, atëherë duhet ti ekze-kutohet dënimi, nëse çështja e tij është publikuar në organet përkatëse të shtetit.
2 - Ose ka bërë zina me dëshirën e saj. Në këtë rast prej tij kërkohet vetëm teubeja. Nëse ajo lind, fëmija nuk i takon atij, nuk e ka për detyrë ta furnizojë, për shkak se fëmija ka lindur prej fasikut (e ky tanimë ka bërë teube dhe nuk është më fasik). Në këtë rast fëmija i takon nënës e nuk guxon ti takojë zinaqarit që ka bërë teube.
Atij që është penduar nuk i lejohet martesa me femrën për ta mbuluar çështjen. Allahu në Kuran thotë:
Laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkënd, pos me ndonjë lavire ose idhujtare, e lavirja, me të nuk do të duhej të martohej kush, përpos ndonjë lavir ose idhujtar. (Nur:3)
Nuk lejohet të kurorëzohet një femër e cila në barkun e saj mban fëmijë nga zinaja, edhe nëse është prej po të njëjtit person. Gjithashtu nuk lejohet të kurorëzohet një femër e cila nuk e di se a është me barrë apo jo. Por, nëse pendohet ai dhe pendohet edhe ajo me teube të sinqertë dhe vërtetohet joshtatëzania e saj, i lejohet atij ta marrë për grua dhe të fillojë me të një jetë të re, jetë me të cilën është i kënaqur Allahu.
Pyetje: Kam bërë zina me një femër e pastaj jemi kurorëzuar. Tashmë kanë kaluar disa vite dhe jemi penduar që të dy. Çka duhet të veprojmë tani?
Përgjigjie: Pasi ju veç keni bërë teube, atëherë duhet ta ripërtërini kurorëzimin me kushtet e tij sheriatike. Kjo nuk është obligim të bëhet në gjyq (aludohet për shtetet islame), por mund të bëhet edhe në shtëpi.
Pyetje: Një femër tregon: Jam martuar me një burrë të ndershëm, kurse unë kam bërë para martesës disa vepra që Allahu nuk është i kënaqur. Ndërgjegjja ime më qorton gjithmonë. Shtroj pyetjen: A duhet ti tregoj burrit tim për atë që kam bërë në të kaluarën?
Përgjigjie: Nuk duhet asnjëri prej bashkëshortëve ti tre-gojë tjetrit për atë që ka bërë në të kaluarën prej gjërave të ndaluara. Ai që sprovohet me diçka prej këtyre ndytësirave, le të mbulohet me atë që e mbuloi Allahu. Atij i mjafton pendimi i sinqertë.
Ndërsa ai që martohet me beqareshë e pastaj me rastin e takimit gjenital vëren se nuk është e virgjër, i lejohet që tia marrë mehrin dhe ta ndajë. Nëse e sheh se është penduar për atë që ka bërë, ia mbulon dhe vazhdon jetën me te, ai ka shpërblimin dhe sevapin e madh prej Allahut.
Pyetje: Me çka obligohet ai që ka bërë teube nga homoseksualiteti?
Përgjigjie: Për personat e tillë kërkohet të bëhet një teube e madhe, sepse nuk ka popull që ka dënuar Allahu si popullin e Lutit, për shkak të marrëzisë dhe fatalitetit të kësaj pune të felliqur. Dënimi i tyre ishte:
1 - Allahu ua mori sytë dhe mbetën të verbër duke u rrahur ndërmjet tyre, siç tha Allahu në Kuran: Ne ua verbuam sytë atyre
2 - U dërgoi një erë të forte.
3 - U praptoi shtëpitë duke ua kthyer kulmet në themelet e tyre.
4 - Nga qielli u lëshoi gurë të argjiltë dhe të fortë saqë i shkatërroi tërësisht.
Andaj edhe dënimi që u ekzekutohet bërësve të kësaj pune të fëlliqtë është mbytja, qoftë i martuar apo i pamartuar, siç tha Muhammedi alejhi selam: Kë e gjeni duke e bërë punën e popullit të Lutit, mbytni atë që e bën dhe atë të cilit i bëhet.
Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibni Maxhe.
Pyetje: Jam penduar tek Allahu, por më kanë mbetur disa gjëra të ndaluara, si, disa instrumente muzikore, kaseta dhe videofilma. A më lejohet ti shes, veçanërisht kur ato kushtojnë shtrenjtë?
Përgjigjie: Gjërat e ndaluara është e ndaluar të shiten, gjithashtu edhe fitimi prej tyre është i ndaluar. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: Kur Allahu një gjë e bën haram, e bën haram edhe fitimin e saj. (Ebu Davudi). Çdo gjë që dihet se tjetri do ta përdorë në haram, nuk i lejohet shitja, sepse Allahu e ka ndaluar një gjë të tillë kur tha: Mos e ndihmoni njëri-tjetrin në mëkate dhe armiqësi. Sado që të humbësh nga pasuria e kësaj bote, ajo që e ka Allahu është më e mirë dhe më e përjetshme, sepse Ai ti kompenson me të mirat dhe dhuntitë e Tij.
Pyetje: Kam qenë në rrugë të devijuar dhe kam përhapur ide ateiste. Kam shkruar tregime dhe artikuj me përmbajtje ateiste. Poezinë time e kam përdorur për përhapjen e lirisë së pakufizuar dhe gjërave të ndaluara. Por, mëshira e Alla-hut më kapi dhe më nxori nga errësira në dritë dhe më udhëzoi. Si të pendohem?
Përgjigjie: Kjo, për Zotin, është dhunti dhe mirënjohje e madhe. Ai të ka udhëzuar, andaj edhe falënderoju Atij dhe kërko prej Allahut përforcim dhe ndihmë.
Ai që përdor gjuhën dhe lapsin e tij për ta luftuar Islamin dhe për të shpërndarë bindje të devijuara ose risi shkatërruese dhe krime e vepra tjera të këqija, duhet të veprojë si vijon:
E para: Ta publikojë pendimin e vet nga të gjitha të kaluarat dhe ta shpallë para masës tërheqjen e tij me të gjitha format dhe mundësitë, me qëllim që tu kërkojë falje atyre që i largoi nga e vërteta dhe ta tregojë të pavërtetën në të cilën ka qenë, që të mos mbetet i mashtruar ai i cili është ndikuar prej tij më parë. Ti përgenjështroj dilemat që para-shtronte dhe gabimet që bënte, në mënyrë që ta pastrojë veten për atë që ka thënë. Ky sqarim është prej kushteve kryesore të teubes së këtij personi. Allahu thotë:
Përveç atyre që pendohen, që përmirësohen dhe që u shpjegojnë njerëzve (të vërtetën), të tillëve ua pranoj pendimin, se Unë pranoj shumë pendimin, jam mëshirues. (Bekare 160)
E dyta: Ta shfrytëzojë penën dhe gjuhën e vet në përhapjen e mësimeve islame. Ti angazhojë forcat dhe mundësitë e veta në ndihmën e fesë së Allahut dhe tua mësojë njerëzve hakun dhe ti ftojë në të.
E treta: Ti përdorë këto forca për kundërvënie ndaj armiqve të Allahut dhe ti zbulojë ata dhe planet e tyre, mu ashtu siç u ka ndihmuar më parë, dhe ti përgënjeshtr-ojë idetë e armiqve të Islamit. Të bëhet shpatë e ithtarëve të hakut kundër ithtarëve të batilit. Si p.sh. nëse ka bindur ndonjë person, qoftë edhe në ndonjë tubim të caktuar për lejimin e ndonjë harami, siç është rasti me kamatën, gjoja se ka dobi që e lejojnë, duhet ti kthehet atij dhe tia sqarojë të vërtetën ashtu siç e devijoi më parë, ashtu që personi ta mohojë atë.
Allahu është më i miri Udhëzues!
PASTHËNIE
O rob i Allahut, Allahu e ka të hapur derën e teubes, a mendon të strehohesh? Ja se çka thotë Pejgamberi alejhi selam: Vërtet, teubeja ka një derë, dy krahët e së cilës janë të gjerë sa lindja dhe perëndimi (sipas një versioni tjetër: Gjërësia e saj është sa shtatëdhjetë vite ecje). Nuk mbyllet derisa të lindë Dielli nga perëndimi.
Transmeton Taberaniu.
Sipas një hadithi tjetër, Allahu thërret: O robërit e Mi, ju bëni gjynahe natën dhe ditën, e Unë (mund) ti fal të gjitha gabimet. Kërkoni falje prej Meje që tu fal juve.
Transmeton Muslimi.
A ke bërë istigfar?!
Allahu e zgjat Dorën natën që tia falë njeriut gabimet e ditës. Dhe e zgjat Dorën ditën që tia falë njeriut gabimet e natës. Allahu e do atë që kërkon falje, a je drejtuar me falje kah Ai?
Për Allahun, janë shumë të ëmbla fjalët e të penduarit kur thotë:
Të lutem Ty me Madhërinë Tënde dhe përulshmërinë time. Nëse nuk më mëshiron, të lutem, me fuqinë Tënde dhe dobësinë time dhe me panevojshmërinë Tënde ndaj meje dhe nevojën time të madhe ndaj Teje. Ja ku është balli im (aludon në sexhde) me gënjeshtrat dhe gabimet e mia para Teje. Robër përveç meje Ti ke shumë, përveçse unë nuk kam zotëri tjetër përveç Teje. Nuk kam strehim dhe shpëtim pos në Ty. Të lutem me lutjen e të ngratit dhe të përulem me përuljen e të nënshtruarit duarthatë. Të lutem me lutjen e të frikësuarit të verbër dhe me lutjen e atij që e ka përulur qafën për Ty, e ka lëshuar përdhe hundën për Ty, i janë përlotur sytë për Ty dhe e ka nështruar zemrën për Ty.
Thellohu në tregimin e mëposhtëm dhe në urtësinë e tij sa i përket teubes:
Tregohet se nje njeri i devotshëm duke ecur rrugës pa një derë që u hap. Nga ajo doli një fëmijë duke qarë dhe duke kërkuar ndihmë. Pas tij shkonte nëna e tij duke e ndjekur, derisa e përzuri. Ia mbylli derën para syve të tij dhe u kthye. Fëmija shkoi jo fort larg e pastaj u ndal dhe mendoi. Pa se nuk ka strehim përveçse në shtëpinë e tij prej nga edhe doli, pa se askush nuk kujdeset për të, veçse nëna e tij. U kthye me zemër të thyer dhe të pikëlluar. Kur u kthye, derën e gjeti të mbyllur. Atëherë u shtri para derës e faqja e tij prekte pragun, kurse gjumi e zuri duke i rrjedhur lotët një pas një. Pas një kohe doli nëna e tij; kur e pa në këtë gjendje, hodhi veten mbi të dhe e shtrëngoi fort. Filloi ta puthë dhe të qajë duke thënë: O biri im, ku mund të shkosh pa nënën dhe kush të ndihmon veç meje? A të kam thënë mos më kundërshto dhe mos më detyro të të dënoj e të veproj kundër natyrës që ma dha Allahu, me mëshirë dhe dashuri ndaj teje? Pastaj e mori dhe hyri brenda. Por, Pejgamberi alejhi selam thotë: Allahu është më i Mëshirshëm ndaj robërve të Vet se kjo nënë ndaj fëmijës së saj.
Transmeton Muslimi
Ku është mëshira e nënës në krahasim me mëshirën e Allahut, e cila ka përfshirë çdo gjë? Allahu gëzohet kur robi i drejtohet me teube Atij. Ne nuk guxojmë ta marrim nëpër këmbë të mirën e Allahut, i Cili gëzohet për pendimin e robit të Vet më tepër sesa një njeri që, gjatë udhëtimit të tij në një vend të shkretë, ndalet në një vend të pasigurt, ndër-kohë që me vete ka kafshën (bartësen) në të cilën gjendet ushqimi dhe pija e tij. U ndal të pushojë nën hijen e një peme. Koka iu përkul dhe bëri një gjumë nën këtë pemë. Kur u zgjua, pa se kafsha e tij e kishte lënë dhe filloi ta kërkojë. Iu ngjit një kodrine që të shikojë, por nuk pa gjë, pastaj iu ngjit tjetrës, por edhe nga ajo nuk pa gjë. Kur nga lodhja e kaploi vapa dhe etja, tha: Do të kthehem te vendi ku isha dhe do të shtrihem aty derisa të vdes. Iu kthye pemës dhe u shtri nën hijen e saj i mërzitur dhe i pashpresë për kafshën e tij. Derisa ishte i shtrirë, rastësisht ngriti kokën, kur: kafsha i qëndronte para syve duke tërhequr frerët e veta. Mbi te ishin edhe ushqimi edhe pija, e ai e kapi për freri. Pra, Allahu gëzohet më tepër për teuben e besimtarit sesa ky njeri për kafshën dhe ushqimin e tij. (Hadithi i vërtetë)
Dije vëlla i dashur, se kur i penduari i sinqertë është me Allahun, gjynahu i tij i shkakton thyerje në zemër dhe turp para Tij, kurse dënesja (nga dhimbsuria dhe lotët) e të penduarit është e dashur te Zoti i Gjithësisë.
Derisa robi besimtar i ka vënë gjynahet e tij në dritë të syve dhe i përjeton me keqardhje dhe pendim, gjynahet e tij do te zëvendësohen me adhurim dhe vepra të mira, aq sa ndoshta edhe shejtani thotë: Ah i mjeri unë, më mirë do të ishte sikur mos ta kisha futur në këtë gjynah! Andaj edhe disa të penduar bëhen më të mirë pas gjynahut.
Allahu nuk heq dorë nga robi i vet asnjëherë, nëse ai i drejtohet dhe pendohet para Tij. Të marrim shembull një djalë që ka jetuar nën prehërin e babait të tij, me të gjitha të mirat si në ushqim, veshmbathje dhe edukatë, dhe babai i tij është përpjekur për të gjitha nevojat. Një ditë babai e dërgon për një nevojë të tij. Në rrugë i del një grabitqar dhe e robëron. E merr me vete dhe e dërgon në vendin e tij. Atje fillon të sillet shumë keq me të saqë fillon edhe ta rrahë. E ky gjithmonë kujtonte sjelljen e mirë të babait dhe, sa herë që i kujtohej edukata dhe mirësitë e tij, nga zemra i shpërthente pikëllimi dhe mërzia.
Sa ishte nën robërinë e këtij grabitqari, prej të cilit edhe e priste edhe fundin, ktheu shikimin kah vendlindja e tij kur pa se babai po i afrohet afër. Atëherë vrapoi dhe e përqafoi shtrëngueshëm duke kërkuar ndihmë: O baba! O baba! Shihe birin tënd në çfarë gjendje është! Lotët i ridhnin gurrë mbi faqet e babait të tij nga përqafimi, kurse armiku po i afrohej për ta marrë. Kur e pa atë, filloi ta shtrëngojë babain e tij edhe më tepër dhe nuk e lëshonte.
Çka mendon, a mund tia dorëzojë prindi birin e vet grabitqarit në këtë situatë dhe të ndahet prej tij?! Kurrsesi! E çka mendon atëherë për Atë që është më i mëshirshëm me robin e Tij sesa babai me birin e tij apo nëna me birin e saj. Lum ai rob që vrapon kah Zoti i tij e ikën nga armiku dhe në derën e Tij qëndron i kërrusur me ballë të pluhuro-sur nga dheu i pragut, e duke qarë para Tij thotë: O Allah, mëshiroje atë që nuk ka mëshirues tjetër përveç Teje; ndihmës tjetër përveç Teje; strehues tjetër përveç Teje; dhe kujdestar tjetër përveç Teje! Ky është i gjori, i varfëri dhe lutësi Yt. Ti je mbrojtësi i tij dhe me Ty është lumturia e tij. Ska kush që e strehon dhe e shpëton veç Teje!
Eja tu bashkangjitemi veprave të mira dhe shpërbli-meve të mëdha. Eja ti shoqërojmë besimtarët e sjellshëm dhe të moralshëm le të jemi syçelë e mos të çalojmë pasi të drejtohemi dhe mos të humbasim pasi të udhëzohemi.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë përherë me ju!
0 Comments