Islam & Happiness Albanian | Nëse Kërkon Lumturinë

If you seek Happiness Albanian Language | Nëse Kërkon Lumturinë | About Islam


Nëse kërkon lumturinë…

Dr. Saleh Sindi

More Source: IslamHouse.com

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

If you seek Happiness Albanian Language Nëse Kërkon Lumturinë About Islam


Nëse kërkon lumturinë…

If you seek Happiness Albanian Language | Nëse Kërkon Lumturinë | About Islam:

“Lumturia” është synimi kryesor drejt të cilit, për ta fituar, vrapon kushdo që ndodhet në tokë.

Të gjithë njerëzit -dijetarë qofshin apo injorantë-, janë përpjekur ti japin një kuptim lumturisë, duke kërkuar shkaqet që e sjellin atë dhe që largojnë brengën, dhimbjen dhe pikëllimin.

Dhe në të vërtetë, alternativat që ata paraqesin, nuk të çojnë vetëm se në një lumturi të mangët, ose imagjinare. Ajo më tepër ngjason me drogën, ku përdoruesi i saj fillimisht ndihet aktiv dhe plot gjallëri, por me ti ikur ndikimi i saj, atij menjëherë i kthehen brengat dhe hidhërimet, madje shumë herë më tepër se para përdorimit të saj.

Këto fjalë që lexojmë, të ftojnë drejt lumturisë së vërtetë dhe të udhëheqin drejt qetësisë shpirtërore dhe suksesit të mirëfilltë.

Para se të vazhdosh leximin e mëtejshëm, dëshiroj prej teje ti kthehesh vetvetes me përpjekje dhe meditim në mendjen dhe zemrën tënde. Po të kujtoj, se i logjikshëm është ai që kërkon të vërtetën, pa marrë parasysh se kush e thotë atë.

Çdokush, i kthjellët, i zhveshur nga epshi nuk mund të mohojë, se lumturia e plotë dhe e përhershme nuk arrihet vetëm se me besimin dhe ndjekjen e udhëzimit të Allahut, i Cili krijoi krijesat. Kjo, se Ai është Krijuesi dhe Ai është i Gjithëdijshëm për atë që i lumturon dhe i dëshpëron këto krijesa, i Gjithëdijshëm për atë që u sjell dobi dhe dëm.

Shumë prej psikologëve kanë arritur në përfundimin se njeriu që e përjeton lumturinë dhe qetësinë, është vetëm ai që jeton me fenë.

Meqenëse pas besimit fshihet lumturia e vërtetë, atëherë cila është rruga që të çon tek ai?

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se fetë dhe ideologjitë janë të shumta. Ka prej tyre ku vihen re mosmarrëveshje thelbësore, ndaj është e pamundur që të jenë të gjitha të vërteta. 

Atëherë mund të pyesim: Cila mes tyre është feja e saktë? 
Cili është besimi që Allahu e do dhe duhet të përqafohet? 
Cila mes tyre na garanton lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër?

Para se tu përgjigjemi këtyre pyetjeve, duhet të vendosim një pikë referimi, nga e cila do të nisemi për të zgjedhur saktësisht fenë e vërtetë. Unë besoj pa pikë dyshimi, se të gjithë të mençurit janë në një mendje për faktin, se krijimi i njeriut është në një fe të caktuar, por fakti që babai, nëna dhe shoqëria në të cilën jeton, janë në një fe të caktuar, nuk do të thotë se ajo është feja e vërtetë, për aq kohë sa nuk ka fakte bindëse për të dhe përderisa logjika nuk e pranon.

Meqenëse logjika është ajo që dallon njeriun nga kafsha, atëherë duhet që çdokush që zotëron logjikën, ta përdori për ta parë me vëmendje këtë çështje. Kjo është çështja më e rëndësishme dhe më e rrezikshme.

Një udhëtim i shkurtër në botën e feve, si dhe një shëtitje në ideologjitë e tyre, mund të jetë një mënyrë e mirë, për të gjetur përgjigjen e shumëkërkuar.

Për te qenë sa më i drejtpërdrejtë, po të them ty me plot siguri dhe sinqeritet, se sado që të kërkosh dhe të hulumtosh, nuk ke për të arritur vetëm se në një përfundim: Feja e vërtetë është vetëm Islami dhe se lumturia e vërtetë, arrihet vetëm me Islamin.

Mos u nxito ti refuzosh këto fjalë dhe të ndërpresësh leximin e mëtejshëm. Dije mirë se vijimi nuk ka për të të dëmtuar aspak, ndoshta mund të përfitosh prej tij dobi të caktuara
Po të kujtoj se ti posedon logjikën dhe arsyen, me të cilat dallon gjërat dhe ndan midis të saktës dhe të gabuarës.


Përse Islami është feja e vërtetë? 
Kjo është një pyetje me vend dhe e rëndësishme.

Le të fillojmë ti përgjigjemi kësaj pyetjeje: 
Islami është feja e cila mbart vlera dhe shenja dalluese që nuk gjenden në asnjë fe tjetër. Ato janë fakte bindëse, që tregojnë se Islami është feja e vërtetë e zbritur nga Allahu. Të shohim më parë me vëmendje dhe qetësi faktet në vijim, e pastaj le të gjykojmë nëse duhet besuar apo përgënjeshtruar kjo e vërtetë.

Veçoritë dhe shenjat dalluese të Islamit janë aq shumë, sa është e vështirë gjithpërpërfshirja e tyre në këtë renditje, në të cilën do të cekim disa por ndër më të rëndësishmet prej tyre:

1- Ndër veçoritë kryesore të Islamit, është fakti se ai mbush anën shpirtërore të njeriut. Njeriun që përqafohet me të, e bën të jetë gjithnjë i lidhur me Allahun. E kjo e bën të fitojë prehje dhe qetësi shpirtërore, si dhe e mbron nga paniku , përhumbja, shpërdorimi dhe boshllëku shpirtëror në veten e tij.

2- Gjithashtu, nga veçoritë e tij është fakti se Islami është në përputhje të plotë me logjikën e shëndoshë. Të gjitha normat dhe ligjet e tij, janë logjikisht të pranuara, dhe është e pamundur të ketë mospërputhje mes tyre në ndonjë rast. Prandaj, kur një person përqafoi Islamin, e pyetën: Përse u bëre musliman? Ai u përgjigj: Nuk ka urdhëruar ndonjë gjë Islami, e logjika ta ketë ndaluar, dhe nuk ka ndaluar ndonjë gjë, e logjika ta ketë pranuar.
Njëkohësisht shohim se tek shumë fe të tjera, është i vështirë pranimi i shumë bazave të tyre, dhe mendja është në mëdyshje përballë shumë parimeve të tyre. Ndërsa Islami e çmon dhe e respekton logjikën duke urdhëruar njeriun të mendojë, e njëkohësisht ka ndaluar injorancën dhe ka nënçmuar pasimin e verbër.

3- Islami ka një ekuilibër midis fesë dhe jetës në këtë botë. Ai kujdeset si për shpirtin ashtu edhe për trupin. Të jetuarit me Islamin nuk nënkupton veçimin dhe asketizmin në forma të caktuara dhe as ndalimin e larmisë së gjërave të këndshme të jetës. 

Në Islam, njeriu mundet të jetojë me fenë, duke shijuar dhe ushtruar jetën e tij në formën më të mirë, me synimin për të arritur në pozitat më të larta të vlerave të komuntitetit dhe shoqërisë sociale të cilës i përket.

4- Islami është fe gjithëpërfshirëse. Ai afron sistem të veçantë dhe të detajuar për çdo fushë të jetës, duke dhënë zgjidhje për çdo problem. Kështu që ai mund të praktikohet dhe të përqafohet në çdo vend dhe në çdo kohë.
Si të mos jetë kështu, kur kjo fe depërton edhe në imtësitë më specifike të jetës me rregullat dhe normat e saj. Duke filluar që nga një juridiksion i kompletuar në gjykimin dhe zgjidhjen e çështjeve më modeste, duke vazhduar me rregullat e shitblerjes dhe marrëdhënieve tregtare. Duke cekur sistemin e lidhjeve shoqërore, trashëgimisë dhe jetës bashkëshortore, e deri tek normat e përshëndetjes, edukatës në rrugë, si dhe sistemimin e veprimeve të njeriut me veten e tij, në gjumin e tij, ngrënien, pirjen dhe veshjen e tij etj. Të gjitha këto nuk i ka përmendur formalisht, por hollësisht të detajuara me një ndjeshmëri të mahnitshme.
Mësoje edhe faktin se Islami e drejton muslimanin edhe në veshjen e këpucës dhe heqjen e saj. Ai e ka nxitur atë të përdori dorën e djathtë gjatë ngrënies, pirjes, takimit me dorë, gjatë dhënies dhe marrjes. Ndërsa në gjërat e tjera (si p.sh. kryerja dhe pastrimi nga nevoja) përdoret dora e majtë.
Kur vjen koha e gjumit, Islami ka një orientim të mrekullueshëm për mënyrën e fjetjes dhe zgjuarjes nga gjumi. 
Për dy muslimanë që takohen në rrugë, Islami ka vendosur formën e selamit (përshëndetjes islame) mes tyre. Ai që është duke ecur me një mjet udhëtimi përshëndet i pari atë që është duke ecur në këmbë. I vogli përshëndet i pari të madhin dhe grupi më i vogël në numër, përshëndet i pari grupin tjetër me numër më të madh.
Ky ishte një pasqyrim i pjesshëm i disa prej normave të shumta të Islamit, të cilat në tërësi përfshijnë në mënyrë të detajuar sistemin shumëplanësh jetësor.

5- Prej vlerave të Islamit, është fakti se gjithë normat e tij, njeriun e orientojnë drejt çdo të mire dhe e largojnë prej të keqes. Pra, dobia e normave të Islamit i shërben drejtpërdrejtë vetë njeriut dhe shoqërisë ku jeton.
P.sh. Islami e ndaloi alkolin dhe narkotikën sepse i shkaktojnë njeriut dëm të madh në mendjen dhe shëndetin e tij. Ti je vetë realist për gjendjen e të dehurit, i cili i shpërfytyruar, më tepër ngjason me diçka tjetër se sa me njeriun. 
Sikur njerëzit të mos i përdornin lëndët narkotike dhe pijet alkolike të cilat shkaktojnë dehjen e tyre, nuk do të ndodhnin shumë prej vrasjeve, grindjeve, aksidenteve rrugore, dhunimeve dhe përdhunimeve.
Ndërsa lidhjet jashtëmartesore, Islami rreptësisht i ka ndaluar, për ta mbajtur larg njeriun nga sëmundjet shfarosëse dhe për ta mbajtur larg shoqërinë nga shthurja dhe degjenerimi, si dhe nga rritja e një brezi të papërfillur, i cili ka humbur ngrohtësinë e nënës dhe edukimin e babait, që do të jetë shkatërrim dhe mjerim për shoqërinë.

Islami e ka urdhëruar gruan të mos i shfaqi pjesët e saj të turpshme para burrave të huaj për të, sepse e sheh atë si një margaritar të mbrojtur mirë, që vlen shumë. Gruaja nuk është një mall i lirë, që të dalë nëpër rrugë përpara çdo njeriu. Islami e mbron atë nga njerëzit ujqër, që nuk duan gjë tjetër, vetëm se të plotësojnë qejfet e tyre, edhe pse kjo më tepër rëndon mbi nderin e gruas, vlerës dhe pastërtisë së saj.

Në anën tjetër, Islami ka lejuar çdo pije të dobishme dhe jo të dëmshme, siç i lejoi dy gjinitë të kënaqen me njëra-tjetrën, me kusht të aktit martesor dhe brenda shtëpisë familjare të lumtur.

Me pak fjalë, Islami nuk erdhi që të kufizojë lirinë dhe dëshirat, por erdhi për ti sistemuar dhe renditur ato, në mënyrë që dobia të përfshijë njeriun dhe shoqërinë.

6- Ndër veçoritë rrezatuese në Islam, është kujdesja e tij për virtytet e larta, moralin dhe edukatën e lavdërueshme, si dhe ndalimi i padrejtësisë, zullumit dhe çdo vesi tjetër të keq.

Islami është feja e dashurisë, bashkimit dhe mëshirës. Ai ka saktësuar dhe qartësuar lidhjen e njeriut me prindërit e tij, të afërmit, fqinjët, shokët dhe me të gjithë njerëzit. Ai ka mbjellë në vetet e atyre që e kanë përqafuar, moralin më të lartë dhe edukatën më të mirë.

Islami e ka ndaluar njeriun të jetojë vetëm me veten e tij. Ai e edukon njeriun ti ndihmojë të tjerët dhe të respektojë ndjenjat e tyre. P.sh., i varfëri, jetimi, i moshuari, i vobekti, etj., në Islam kanë të drejtat e tyre, të cilat muslimani nuk i trajton si çështje dytësore dhe nuk ndien epërsi dhe përparësi kur i kryen, sepse ato të drejta janë prej detyrave dhe obligimeve të tij.

Në Islam, konsiderohet prej gjynaheve të mëdha, që njeriu të flejë i ngopur kur e di se fqinji i tij është i uritur. Ashtu siç ka ndaluar që dy veta të flasin mënjanë, kur një tjetër ndodhet i ulur bashkë me ta, por nuk i dëgjon. E gjithë kjo për të respektuar prosperitetin dhe ndjenjat e tij.

Dhe Islami e tejkaloi të gjithë këtë, kur e urdhëroi muslimanin të jetë i butë edhe me kafshën, duke ndaluar mundimin dhe dëmtimin e saj. 
Prej hollësive të Islamit rreth kësaj çështjeje, është fakti se e ndaloi kasapin ta therrë delen kur një dele tjetër është duke e parë, ose të mprehë thikën përpara saj, që të mos e vrasë dy herë.
Sinqeriteti, besnikëria, trimëria, bujaria, turpi dhe mbajtja e premtimit, janë morale të cilat Islami i ka nxitur në mjaft tekste. Njëkohësisht fton dhe urdhëron për morale të larta, si vizita e të sëmurit, përcjellja e xhenazes, respektimi i prindërve, vizita e të afërmve, fqinjëve dhe rendja për kryerjen e nevojave të të tjerëve.

Në anën tjetër Islami e ka ndaluar rreptësisht muslimanin nga padrejtësia, gënjeshtra, mëndjemadhësia, smira, tallja me të tjerët, sharja, ose tradhëtia ndaj tyre.

Në Islam nuk lejohet të përmendësh një person që nuk është i pranishëm, edhe nëse je duke thënë të vërtetën. Islami e fton muslimanin që kur shpenzon të jetë mesatar, midis harxhimit pa masë dhe kopracisë ekstreme.

Në kohën kur shumë prej shoqërive ankohen nga cënimi dhe shpërfillja e ndjenjave, padrejtësia në fushat ekonomike dhe lakmia vetjake, shohim që Islami ka afruar ilaçin shërues për të gjitha këto probleme.
Me fjalët e lartëpërmendura dhamë një pasqyrim të shkurtër të Islamit dhe disa prej vlerave të tij. Është e përshtatëshme të përmendim gjithashtu, se Islami është fe e qartë dhe rruga e tij është e lehtë për këdo. Islami i ka portat të hapura gjithnjë dhe nuk ia mbyll atij që dëshiron ta përqafojë atë.

Meqenëse, gjithëpërfshirja e normave dhe rregullave të Islamit në pak fjalë është e pamundur, atëherë rrëfimi i shkurtuar i bazave më kryesore të tija, ndoshta e përqëndron më tepër përshkrimin e tij, për atë që dëshiron ta njohë atë.

Të gjitha rregullat dhe mësimet e Islamit janë të rëndësishme, vetëm se mes tyre ka nje rend hierarkik.
Mes këtyre rregullave (më të rëndësishmet), gjashtë prej tyre duhet të besohen me zemër dhe pesë të tjera duhen vepruar.


Gjashtë shtyllat që duhen besuar janë:

1- Besimi në Allahun, Një të Vetëm, pa shok dhe ortak. 

Që njeriu të besojë se vetëm Allahu i Lartësuar është Krijuesi i kësaj Gjithësie me gjithë çka në të, dhe se vetëm Ai vepron në të si të dojë. Përderisa është kështu, atëherë adhurimi duhet të bëhet vetëm për Atë, Një të Vetëm. Adhurimi është puna me normat e Islamit dhe dispozitat e tija, duke besuar se çdo fe tjetër veç tij, është fe e pavlefshme.


2- Besimi në melekët (ëngjëjt).

Melekët janë krijesa të Allahut, që ne nuk i shohim në jetën e kësaj bote. Ata janë adhurues të Allahut dhe nuk e kundërshtojnë asnjëherë Atë. Allahu i Lartësuar i urdhëron melekët të kryejnë shumë prej punëve të kësaj Gjithësie. P.sh. Xhibrili (paqja qoftë mbi të), ka mbartur shpalljen e Allahut të Lartësuar -d.m.th. fjalën e Tij- nga Allahu tek profetët e Tij. Prej tyre është Mikaili (paqja qoftë mbi të), që është ngarkuar me çështjen e shiut. Prej tyre ka melekë të tjerë, të ngarkuar me shënimin dhe shkrimin e punëve të njerëzve, me të cilat do tu kërkohet llogari në Ditën e Kijametit, e të tjera e të tjera punë të tyre.

Duhet të besohet, se këta melekë të nderuar, veprojnë me urdhrin e Allahut të Lartësuar dhe nuk kryejnë tjetër gjë, veçse atë që Ai do.

3- Besimi në Librat.

Duhet besuar se Allahu u zbriti robëve Libra, që janë fjala e Tij. Aty gjendet lumturia e njerëzve dhe sqarimi i asaj që Allahu i Lartësuar e do dhe asaj që e urren. Ai që e përcjell këtë shpallje tek profeti, është Xhibrili (paqja qoftë mbi të) -ëngjëlli më madhështor-, ndërsa profeti ua komunikon atë njerëzve.

Librat e zbritur nga Allahu janë shumë. Prej tyre është Teurati, të cilin Allahu ia zbriti Musait (paqja qoftë mbi të), Zeburi, të cilin Allahu ia zbriti Daudit (paqja qoftë mbi të), Inxhili, të cilin Allahu ia zbriti Isait (paqja qoftë mbi të), dhe Kurani të cilin Allahu ia zbriti Muhamedit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).
Duhet të besohet se të gjithë këta libra i ka shfuqizuar Kurani. D.m.th.: pas dërgimit të profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), duhet punuar vetëm me Kuranin. Për më tepër që ky Kuran ka përfshirë të gjitha veçoritë e librave para tij dhe përmban veçori të tjera.

Gjithashtu dije, se ky Kuran është nga argumentet më madhështore që tregojnë se kjo fe është e vërtetë. Ai ka zbritur para më shumë se një mijë e katërqindë vjetëve, dhe që prej asaj kohe e deri sot, nuk është zbuluar në të asnjë gabim dhe asnjë mangësi, qoftë edhe në një fjalë të vetme.

Në kohën e sotme zbulimet shkencore vazhdojnë të pasojnë njëri-tjetrin dhe shumë prej tyre kanë ardhur në Kuran që prej asaj kohe të largët.

Ashtu sikurse që prej asaj kohe e deri tani, nuk është shtuar dhe nuk është mangësuar asnjë gjë në të, siç ndodhi me librat e tjerë. Prandaj, Mushafin (Kur`anin), që e gjen në Lindje, nuk ndryshon aspak nga Mushafi që e gjen në Perëndim. Nëse vëzhgon një Mushaf qindra vjeçar, vëren se ai nuk ndryshon aspak nga Mushafi i botuar këtë vit, identik gërmë për gërmë e fjalë për fjalë. Kjo është prej ruajtjes që i ka bërë Allahu këtij Libri, që është libri i fesë së fundit, e cila ka vulosur të gjtha fetë.

Të flasësh për Kuranin duhet kohë e gjatë, por mjafton të dish se ai nuk ka ngjasues kategorikisht në stilin e tij, në ndikimin e tij në vetet e njerëzve si dhe në lajmet për të fshehtat që ndodhen në të.

4- Besimi tek të dërguarit.

Duke besuar se Allahu i Lartësuar zgjodhi njerëzit më të mirë, u zbriti atyre shpalljen dhe i urdhëroi përcjelljen e fesë së Tij tek njerëzit e tjerë.

Të dërguarit janë shumë, si p.sh.: Nuhu, Ibrahimi, Daudi, Sulejmani, Luti, Junusi, Musa (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta).

Prej tyre është edhe Isai i biri Merjemes (paqja qoftë mbi të), për të cilin duhet të besojmë se është i dërguar i nderuar dhe nga të dërguarit më të mirë. Besimi në profecinë e tij, dashuria dhe respekti për të janë detyrë e prerë. Kush e urren atë, ose nuk beson në profecinë e tij, ai nuk ka rrugë në Islam. Njëkohësisht duhet besuar se Allahu i Lartësuar e krijoi me nënë pa baba, sepse Allahu dërgoi melekun që fryu në barkun e Merjemes, e prej kësaj ishte Isai (paqja qoftë mbi të).

Muslimani nuk gjen asnjë gjë në vetvete që ta pengojë nga besimi i kësaj, se Allahu nuk është i pafuqishëm ndaj krijimit të Isait me nënë dhe pa baba dhe ndaj krijimit të Ademit pa nënë dhe pa baba. 

Nga kjo mësojmë se Isai (paqja qoftë mbi të) është një i dërguar i nderuar dhe se ai nuk është Zot dhe as biri i Zotit.

Isai (paqja qoftë mbi të) erdhi me përgëzimin për profetin që do të vinte pas tij, që është Muhamedi i biri i Abdullahit, me të cilin Allahu vulosi të dërguarit, duke mos patur më kështu të dërguar të tjerë pas tij.
Këtë të dërguar (Muhamedin të birin e Abdullahit -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-), të cilin Allahu e dërgoi para një mijë e katërqid vjetësh, e kanë detyrë të gjithë njerëzit që u gjendën dhe do të gjenden pas dërgimit të tij deri në Ditën e Kijametit, ta besojnë, të besojnë shpalljen e tij dhe ti binden atij në atë që urdhëroi apo ndaloi.

Kushdo që ka lexuar jetëshkrimin dhe historinë e këtij të dërguari, bindet se ai është një personalitet madhështor, të cilit Allahu i dha moral të lartë dhe cilësi të shquara që nuk gjenden tek ndonjë tjetër para apo pas tij. Ndoshta edhe leximi më i shkurtër rreth asaj që është shkruar për të, e përforcon saktësinë e kësaj që po them.

Allahu i Lartësuar i ka dhënë atij fakte dhe argumente për vërtetësinë e profecisë së tij, të cilat janë aq shumë, aq sa dyshimi në të është nga gjërat e pamundura logjikisht. Ai që nuk beson në sinqeritetin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), me gjithë ato fakte dhe argumente që Allahu i dha atij, ai nuk mund të pretendojë qëndrueshmërinë e profecisë së ndonjë profeti tjetër.

5- Besimi në Ditën e Fundit.

Duke besuar në formë të prerë, se pas kësaj jete në të cilën jetojmë, ka jetë tjetër, që është më e plotë se kjo. Aty ka begati ose ndëshkim. Begatia është në një vendbanim që quhet Xhennet, ndërsa ndëshkimi është në një vendbanim që quhet Xhehennem. Kush punon mirë dhe beson në fenë islame, përfundimi i tij do të jetë në Xhennet, ku gjenden prej llojeve të begative dhe lumturisë, aq shumë sa nuk mund të imagjinohen. E gjithë begatia e dynjasë, në raport me begatinë e Xhennetit, nuk krahasohet në asnjë gjë. Kush hyn në Xhennet, do të begatohet në të përgjithmonë dhe pa fund, sepse në të nuk ka vdekje.

Në anën tjetër, kush punon keq dhe nuk beson në fenë islame, përfundimi i tij do të jetë në Xhehennem, në të cilin gjendet zjarri dhe llojet e ndëshkimit aq shumë sa nuk mund të mendohen. Të gjitha zjarret e dynjasë dhe llojet e dënimit në të, përpara dënimit të Xhehenemit, nuk krahasohen në asnjë gjë.

Ekzistenca e llogarisë, begatisë ose ndëshkimit pas kësaj jete, është një çështje e pranuar logjikisht, sepse është e pamundur që të gjendet kjo dynja me gjithë çka në të, e më pas të mbarojë e të shpërndahet, duke vijuar në asgjë. Ngaqë mbarimi në këtë formë është një lloj rrëmuje dhe Zoti ynë Krijues është larg kësaj.

6- Besimi në Kaderin (caktimin dhe vendimin e Allahut të Lartësuar).

Duke besuar se gjithçka është në këtë Gjithësi, çdo lëvizje dhe çdo prehje ndodh vetëm me dëshirën dhe vullnetin e Allahut. Nuk mund të ndodhë gjë tjetër, me përjashtim të asaj që Ai do. Atë që Ai nuk e do, nuk mund të ndodhë.
Allahu i Lartësuar shkruajti në një Libër madhështor, që është El-Leuhul-Mahfudh, gjithçka që do të ndodhë në këtë Gjithësi.

Besimi në Kader, përfshin të besuarit se Allahu është Krijuesi i çdo gjëje. 



Ndërsa gjërat më të rëndësishme që duhen vepruar në Islam janë:

1- Që njeriu të thotë një fjali e cila është çelësi i hyrjes në Islam. Ajo është një besë midis njeriut dhe Zotit të tij, që nënkupton se ai është në këtë fe.
Kjo fjali është: Esh-hedu en la ilaha il-la Allah ue esh-hedu en-ne Muhammeden resulull-llah (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar, me të drejtë, përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguar i Allahut). 
Kjo fjali do të thotë: Pohimi, pranimi dhe kryerja me përkushtim e këtij adhurimi vetëm për Allahun, Një të Vetëm. Si dhe duke pohuar se feja islame është feja e vërtetë dhe se i adhuruari që meriton adhurimin është vetëm Allahu, Një i Vetëm. Të gjithë të adhuruarit e tjerë janë të pavlefshëm dhe fetë e tjera përveç Islamit janë të pavlefshme.
Si dhe pohimi se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, dhe se atij duhet ti bindemi dhe ta besojmë në çdo gjë.

2- Namazi (Të falurit)

Që nënkupton: Fjalë, punë dhe lutje në një formë të caktuar, që bëhet pesë herë, çdo ditë dhe nuk zgjat shumë. Aq sa një namaz i vetëm nuk i kalon pesë minuta. 

Namazi është lidhje midis robit dhe Zotit të tij, në të muslimani ndjen sigurinë, prehjen dhe qetësinë shpirtërore.

3- Zekati

Muslimani që posedon pasuri jep një sasi të vogël nga pasuria e tij çdo vit për të varfërit. Jep vetëm çerekun e një të dhjetës së pasurisë së tij. Që është diçka e vogël, por që e bën shoqërinë muslimane të bashkuar, të afruar dhe të mëshiruar. Që përhap kuptimet e vëllazërisë, mëshirës dhe dashurisë mes muslimanëve.

Po përsërit atë që thashë pak më parë: Zekati është i obliguar për të pasurit dhe nuk është i obliguar për të varfërit.

4- Agjërimi.

Që njeriu të pengojë veten e tij nga ushqimi, pirja dhe marrëdhëniet bashkëshortore, gjatë muajit të Ramazanit çdo vit, që nga agimi i mëngjesit deri në perëndim të diellit.

Ndërsa i sëmuri, udhëtari dhe disa të tjerë që kanë arsye të tjera, janë të justifikuar dhe të falur. Ata munden të hanë dhe të pijnë në Ramazan, dhe duhet që pas përfundimit të arsyes dhe pamundësisë, të agjërojnë të plota ditët që nuk i agjëruan, në cilëndo kohë të vitit.

Agjërimi ka shumë dobi shëndetësore, shpirtërore dhe shoqërore. Prej tyre është pushimi dhe qetësimi për një pjesë të kohës i aparatit tretës. Prej tyre është ajo që ndjen muslimani, si shpirti fisnik dhe morali i lartë. Prej tyre është edhe ajo që ai ndjen për vëllezërit e tij të varfër, që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm gjatë vitit. Kështu që vetja e tij thjeshtësohet, afrohet dhe shpejton ti ndihmojë ata.


5- Haxhi.

Që do të thotë: Kryerja e adhurimeve të caktuara në Mekë një herë në jetë, ndërsa ai që nuk ka mundësi ekonomike, ose që është i sëmurë, është i arsyetuar në moskryerjen e tij.

Në Haxh ka dobi madhështore si: Grumbullimi i muslimanëve nga të gjitha anët e tokës në një vend të vetëm, njohja me njëri-tjetrin dhe përhapja e dashurisë mes tyre. Duke shtuar këtu edhe ato që i fiton muslimani në veten e tij, si pastrimi i shpirtit dhe rregullimi i moralit, për shkak të asaj që përjeton prej qëndrimeve që shtojnë besimin nën hijen e Haxhit.


E në vijim

Ndoshta ajo që përmendëm më lart, është disi e mjaftueshme për sqarimin e një paraqitjeje të shkurtër rreth Islamit.

Unë po të ftoj ty që nuk ke hyrë ende në Islam.. Dëgjoje një thirrje nga një zemër e sinqertë dhe e pakursyer. Shpëtoje veten tënde para se të të befasojë vdekja duke mos qenë musliman, e të jesh në humbjen më të madhe.

A e di se çdo të thotë të vdesësh duke qenë në tjetër fe veç Islamit? Do të thotë që të hysh në Xhehenem dhe të ndëshkohesh në të përjetësisht..
Kështu e ka kërcënuar Allahu atë që vdes duke qenë në fe tjetër veç Islamit. Atëherë, përse po shpërfill një çështje kaq të rrezikshme?

Do të të drejtoj një pyetje, por dua të më përgjigjesh me sinqeritet: Çfarë do të humbasësh, nëse hyn në Islam? Po Çfarë do të humbasësh nëse hyn në Islam?
Nëse do përqafosh Islamin, do ta vijosh jetën tënde si zakonisht, por në një formë më të kulluar, më të lumtur dhe më të sistemuar Ndërsa pas vdekjes të pret lumturia më e madhe dhe begatia e përjetshme.

Nëse arrite të bindesh për vërtetësinë e Islamit, por ke frikë se hyrja në të ka për të të penguar nga kënaqësi, privimin prej të cilave nuk mund ta durosh, atëherë duhet të krahasosh midis kënaqësisë së përkohshme, të rastësishme dhe midis begatisë dhe kënaqësisë së përjetshme Cilës prej tyre duhet ti japësh përparësi?

Ti mund të hysh në Islam dhe të përpiqesh ti lësh ato gradualisht, e nëse e lut Allahun me sinqeritet, Ai do të të ndihmojë ti lësh ato përfundimisht.

Të paktën të jesh musliman gabimtar, është më mirë se të mos jesh musliman.

Nëse ajo që të pengon të përqafosh këtë fe është personaliteti yt i dobët dhe pafuqishmëria ndaj marrjes së këtij vendimi, pasi të pengon frika nga fjalët e dikujt ose tallja e tij.., atëherë dije se këto iluzione nuk kanë asnjë bazë në realitet. Ti nuk je i pari që hyn në Islam prej jomuslimanëve. Shumë e shumë të tjerë para teje e kanë marrë këtë vendim dhe nuk u është shkatërruar jeta, nuk kanë humbur asgjë dhe nuk janë penduar. Pastaj, a vallë është e logjikshme që të sakrifikosh veten dhe lumturinë tënde në këtë jetë dhe në jetën tjetër, për shkak të fjalëve të dikujt, apo talljes dhe qortimit të tij?

Kjo është një temë që kërkon nga ty të qëndrosh shumë në të.. dhe të mendohesh gjatë rreth saj.

Fjala ime e fundit për ty është: Bëj kujdes të mos humbasësh veten tënde.

E lus Allahun e Lartësuar të të begatojë ty, duke të udhëzuar në të vërtetën.

Këto fjalë i shkruajti ai që dëshiron të mirën për ty:

Dr. Salih Ibën Abdulaziz Es-Sindij

Përshtati në shqip, Bledar Ali

Delvinë 1432 H.

Shkurt 2011


Post a Comment

0 Comments