Voluntary Optional Fasting Albanian Language | Agjërimi Fakultativ
Agjërimi Fakultativ
Sedat Islami
Rishikoi : Driton Lekaj
More Source: IslamHouse.com
Voluntary Optional Fasting Albanian Language | Agjërimi Fakultativ:
Rëndësinë e veprave vullnetare nuk mund ta mohojë askush. Ato, në radhë të parë, janë një shprehje e dashurisë dhe falënderimit të njeriut për Allahun, në njërën anë, dhe gatishmërisë për të sakrifikuar për arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe shpëtimit nga Xhehnemi, në anën tjetër. Ebu Hurejre rrëfen se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka thënë duke përcjellur fjalët e Allahut:
...dhe vazhdon robi Im të afrohet tek Unë me vepra vullnetare derisa ta dua e kur ta dua Jam dëgjimi me të cilin dëgjon, shikimi me të cilin shikon, dora me të cilën godet, këmba me të cilën ec; nëse me lyp do ti jap, nëse kërkon mbrojtje do ta mbroj...([1]).
Veprat fakultative janë edhe kompensim i llojit të tyre të obliguar, jo në këtë por në botën tjetër, dhe atë nëse mëshira e Allahut përshkon atë x person. Hurejth b. Kabisah rrëfen:
Erdha ne Medine dhe u luta: O Allah ma mundëso që ta takoj ndonjë njeri të mirë. U takova me Ebu Hurejren dhe thashë: Unë e kam lutur Allahun që të më begatojë me një shok të mirë andaj më rrëfe ndonjë hadith që ke dëgjuar nga Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ndoshta Allahu më bën dobi me të!
Tha: Po, e kam dëgjuar Pejgamberin, alejhis salatu ves selam duke thënë:
Gjëja e parë prej veprave për të cilën pyetet njeriu në Ditën e Kiametit është namazi; nëse ai ka qenë mirë shpëton dhe kalon, ndryshe humb (shpërblimin) dhe shkatërrohet (me shqiptimin e dënimit). Nëse ka mbetur diç pa u plotësuar nga namazi obligativ, atëherë Allahu i Madhëruar thotë: Shikoni nëse robi Im ka vepra fakultative (namaz vullnetar), që ti plotësohet me të farzi i lënë pa plotësuar. Pastaj ky rregull zbatohet për çdo farz (të lënë pa plotësuar, agjërim apo çka do tjetër qoftë). ([2])
Për këtë kompensim, janë dhënë mendime:
Kompensimi i suneteve të farzit, si: falja e namazit me përkushtim, lutjet, etj.
Kompensimi i farzeve të lëshuara brenda vet namazit farz.
Kompensimi i vet namazeve farz, të cilat nuk janë falur fare([3]).
Ndërsa në koment të: Pastaj ky rregull zbatohet për çdo farz, është thënë: Nëse lë pa plotësuar ndonjë obligim (farz) prej çdo vepre i plotësohet me vepër fakultative të atij lloji([4]).
Rreth agjërimit fakultativ -
1. Agjërimi vullnetar, edhe pse ka shpërblim të madh, megjithatë nuk bën të jetë i shumtë aq sa të lodhë apo tia injorosh pa dashje të drejtën dikujt tjetër, duke përfshirë këtu edhe të drejtën personale.
Abdullah b. Amr b. el-Asi transmeton:
"Më ka thënë mua Pejgamberi, alejhis salatu ves selam: O Abdullah, jam informuar se ti agjëron (tërë) ditën dhe falesh (tërë) natën. Thashë: Po, gjithsesi o i dërguari i Allahut.
Atëherë mos bë kështu më tha. Agjëro por edhe ha, falu por edhe fli ngase trupit i ke borxh (për pushim), syrit tënd (për gjumë), gruas sate (për kalim kohe me të), mysafirit tënd (për mikpritje). Ti ke mundësi të agjërosh prej çdo muaji tri ditë ngase për çdo të mirë shpërblehesh me dhjetë, dhe kështu llogaritësh se ke bërë agjërim gjatë tërë kohës.
Kërkova -rrëfen Abdullahu- kështu që u ngarkova (me çka nuk pata mundësi). Thashë: O i dërguari i Allahut, unë kam forcë. Atëherë agjëro agjërimin e pejgamberit të Allahut, Davudit, alejhis salatu ves selam dhe -më sugjeroi- mos shto më shumë se kjo.
Si ka qenë agjërimi i pejgamberit të Allahut, Davudit, alejhis salatu ves selam?- e pyeta.
Gjysma e jetës (një ditë po e një jo). Kur Abdullahu u plak thoshte: Ah sikur ta pranoja lehtësimin e Pejgamberit, alejhis salatu ves selam! ". ([5])
Porosia e Muhammedit, alejhis salatu ves selam për atë që quhet maksimum në adhurim, e që më shumë nuk mund të tejkalohet ngase kalon në ekstremitet, që herët a vonë ose shpie në pendim për vendimin e marrë që nuk do të mund ta mbash, ose -Allahu na ruajt!- adhurimi do të kalojë në monotoni e kështu do të humbësh më shumë se që ke fituar.
Në hadithin e lartshënuar në mënyrë të përgjithshme hasëm në një porosi të Muhammedit, alejhis salatu ves selam përkitazi me këtë që thamë ndërsa tani, këtu, prapë nga Abdullahu, kemi një version tjetër të porosisë, që para së gjithash na bën me dije se Abdullahun Muhammedi, alejhis salatu ves selam për maturi, mesatari, dhe adhurim të vazhdueshëm e kishte porositur më shumë se një herë. Abdullahu rrëfen se Muhammedi, alejhis salatu ves selam ka thënë:
Agjërimi më i dashur (pas të cilit edhe nuk pranohet formë mbi të) është agjërimi i Davudit; ai agjëronte gjysmën e kohës (një ditë po e një ditë jo)... ". ([6])
Abdullah b. Amri, siç përmend Buhariu dhe Nesaiu, kishte thënë:
Pasha Allahun, do ta agjëroj ditën dhe do të falem natën për aq kohë sa të jam gjallë, ([7])
ose
Do të agjëroj tërë kohën dhe do ta lexoj Kuranin për çdo natë. ([8]).
Jo vetëm kaq, ai, siç rrëfen gruaja e tij për të, prej se ishte martuar kurrë nuk kishte fjetur me të, kështu që babai i tij e qortoi. Muhammedi, alejhis salatu ves selam e takoi Abdullahun dhe ia dha këtë këshillë.
Meqë Muhammedi, alejhis salatu ves selam pa vullnetin e madh te Abdullahut, i dha atij mundësi të ndryshme, të cilat kanë shpërblim të madh:
Agjëro tri ditë prej çdo muaji,
Në çdo të dhjetën ditë agjëroje një ditë e ti ke shpërblimin e ditëve tjera,
Në çdo të dhjetën ditë agjëro dy ditë e ti ke shpërblimin e ditëve tjera,
Agjëro në çdo të nëntën ditë një ditë e ti ke shpërblimin e tetë ditëve,
Agjëro çdo të tetën ditë e ti ke shpërblimin e shtatë ditëve,
Agjëro pesë ditë prej çdo muaji,
Agjëro shtatë ditë prej çdo muaji,
Agjëro nëntë ditë prej çdo muaji,
Agjëro njëmbëdhjetë ditë prej çdo muaji,
Agjëro dymbëdhjetë ditë prej çdo muaji,
Agjëro pesëmbëdhjetë ditë prej çdo muaji,
Prej çdo xhumaje (jave) agjëro të hënën dhe të enjten,
Prej çdo xhumaje (jave) agjëro nga tri ditë,
Agjëro katër ditë prej çdo jave,
Agjëro një ditë po e një ditë jo, agjërim ky i Davudit, alejhis salatu ves selam.
Në fund të hadithit Abdullahu sikur ndjeu keqardhje për atë që kishte vendosur sa kishte qenë i ri ngase kur u plak dhe u dobësua agjërimi e mundonte më shumë. Por, prapëseprapë, ai nuk ndërpreu agjërimin dhe thoshte: Sikur ta pranoja lehtësimin e Muhammedit, alejhis salatu ves selam do te ishte me e dashur për mua se çdo gjë tjetër por unë jam ndarë nga ai në një gjendje (i vendosur për agjërim) që urrej tani të largohem nga ajo vendosmëri([9]).
Jo vetëm kaq, ai, alejhis salatu ves selam, rrëfeu qartë se agjërimi pandërprerë, nuk konsiderohet agjërim. Të shohim së pari hadithin e më pas sqarimin adekuat:
Nuk ka agjëruar ai që agjëron tërë kohën. ([10])
Në versionin e Imam Muslimit këtë gjë e tha tri herë Pejgamberi, alejhis salatu ves selam për të na bërë me dije se një gjë e tillë, edhe pse ka qëllim të mirë, është e gabuar.
Nuk ka agjëruar ai që agjëron tërë kohën, nuk ka agjëruar ai që agjëron tërë kohën, nuk ka agjëruar ai që agjëron tërë kohën. ([11])
Ebu Hatimi duke sqaruar hadithin:
Ai që agjëron gjatë tërë kohës as nuk ka agjëruar dhe as nuk ka ngrënë,
...thotë: Mohimi i agjërimit është bërë për arsye se ai që agjëron gjatë tërë kohës agjëron edhe ditët, të cilat janë të ndaluara për tu agjëruar, si: Ditët e Bajrameve, Ditët e Teshrikut, etj. Ky njeri as nuk ka agjëruar gjithmonë që të shpërblehet për shkak se ai ka rënë në mëkat kur ka agjëruar ditët, të cilat, fetarisht, janë të ndaluara të agjërohen. Mu për këtë, Muhammedi, alejhis salatu ves selam, për atë që agjëron pandërprerë, duke përfshirë këtu edhe ditët e ndaluara, ka thënë:
Kush agjëron gjatë tërë kohës, atij Xhehenemi do ti ngushtohet kështu, duke rrumbullakësuar gishtin e madh dhe atë që pason. ([12])
Madje, tek hanefitët, edhe nëse agjëron tërë vitin duke përjashtuar ditët e ndaluara prape është mekruh tenzihen (vepër e papëlqyer)([13]).
Avn b. Ebi Xhuhajfe rrëfen nga babai i tij se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam kishte vëllazëruar Selmanin dhe Ebu Derdanë. Një ditë Selmani e vizitoi Ebu Derdanë dhe e pa Ummu Derdanë me rroba pune (jo rroba zbukurimi).
-Çfarë ke oj Ummu Derda?- pyeti Selmani.
-Vëllai yt, Ebu Derdaja, sikur ka harruar dynjanë- u përgjigj ajo.
Erdhi Ebu Derdaja dhe përgatiti ca ushqim.
-Ha!- tha Ebu Derdaja.
Unë nuk do të ha derisa të hash edhe ti- nguli këmbë Selmani.
Filloi Ebu Derdaja të haje (prishi agjërimin). Kur erdhi nata Ebu Derdaja u bë gati të falej ndërsa Selmani i tha: Fli.
Fjeti Ebu Derdaja. Pak më vonë u bë gati të çohej por Selmani prapë i tha: Fli. Dikur kah fundi i natës Selmani i tha: Ngritu tash. U falën bashkë, dhe me atë rast Selmani ia dha një këshillë të madhe Ebu Derdasë:
Ti ke obligim ndaj Allahut (me adhurim), ndaj vetes (me pushim), ndaj familjes (me përmbushje të nevojave të tyre), dhe secilit jepja të drejtën e vet.
Ai shkoi dhe e informoi Muhammedin, alejhis salatu ves selam për këtë. Pejgamberi, alejhis salatu ves selam tha: Të vërtetën e ka thënë Selmani!. ([14])
Muhammedi, alejhis salatu ves selam ishte njeriu që më së shumti adhuronte Allahun, ishte krijesa që më së shumti e njihte Allahun e rrjedhimisht ia kishte edhe frikën më së shumti, megjithatë nuk vepronte kështu. Madje as nuk agjëronte një ditë po e një jo. Enes b. Maliku transmeton se:
Tre njerëz prej të afërmve erdhën në shtëpitë e grave të Pejgamberit s.a.v.s. dhe pyetën për ibadetin e Pejgamberit s.a.v.s. e pasi morën përgjigje, atyre iu duk se kjo është pak dhe thanë: Ku jemi ne e ku është Pejgamberi s.a.v.s. Allahu atij ia ka falur të gjitha mëkatet e mëparshme dhe ato të ardhshmet. Njëri prej tyre tha: Sa më përket mua, unë gjithnjë tërë natën do të falem. I dyti tha: Unë vazhdimisht do të agjëroj. I treti tha: Unë do të izolohem prej grave dhe kurrë nuk do të martohem. Kur vjen i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u thotë: A jeni ju që keni thënë këtë dhe këtë? Sa më përket mua, pasha All-llahun, unë jam më i drojtur dhe më i devotshëm ndaj All-llahut se sa ju, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe flej, dhe bëj jetë bashkëshortore! Kush largohet nga Sunneti im, ai nuk më përket mua. ([15])
Mu për këtë, Allahu me urtësinë dhe mëshirën e Tij ka ndihmuar këtë ummet duke ua shumëfishuar shpërblimin: një me dhjetë. Nëse agjëron tri ditë prej çdo muaji konsiderohet se ke agjëruar tridhjetë ditë ngase 3x10=30. Abdullah b. Amri rrëfen se:
Pejgamberi, alejhis salatu ves selam tha: Ti po agjëron gjatë tërë kohës dhe po falesh gjatë tërë natës?
Thashë: Po.
Nëse ti bën kështu e ke lodhur syrin, e ke dobësuar veten (shpirtin); nuk ka agjëruar (agjërim me shpërblim) ai që agjëron tërë kohën. Agjërimi i tri ditëve është agjërim i tërë kohës.
Po unë mundem më shumë- u arsyetova.
Agjëroje agjërimin e Davudit, alejhis salatu ves selam, - më sugjeroi-, i cili agjëronte një ditë e hante një ditë, dhe kur takohej me armikun nuk ikte. ([16])
Shënim: Nga forma e jashtme e hadithit kuptohet se ndalesa vjen në theks edhe më shumë atëherë kur është kohë lufte dhe muslimani ka nevojë të jetë fizikisht më i përgatitur se kurdoherë. Pejgamberi, alejhis salatu ves selam në fillim i tha se agjërimi e lodhe syrin dhe dobëson shëndetin për tia bërë me dije se Davudi, alejhis salatu ves selam ishte me i fortë se Abdullahu por megjithatë ai praktikonte këtë formë dhe kurrë nuk është dobësuar nga agjërimi në mënyrë që kur të takohej me armikun të ikte nga fushëbeteja. As Abdullahu nuk ka ikur por kjo ishte këshillë për të.
Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevvalit, muajit pas Ramazanit, është sikurse agjërimi i tërë vitit. Si? Lexojeni këtë hadith së pari e pastaj mendoni:
Kush agjëron Ramazanin e pastaj e përcjell edhe me gjashtë ditë tjera nga muaji vijues, Shevvali, ai konsiderohet sikur të ketë agjëruar tërë vitin. ([17])
Si? A nuk thamë më herët se rregull te Allahu është që së paku për një të mirë të shpërblejë me dhjetë?! Ramazani ka 30 (ditë) x 10 (një ditë e Ramazanit vlerësohet me dhjetë ditë)= 300 (ditë) + 6 (ditë të Shevvalit) x 10 (sa është shpërblimi për një ditë)= 60 (ditë). 300+60= 360 (ditë sa ka viti hënor). Ky rregull është përfituar nga ajeti:
Kush vjen me një (punë) të mirë, ai (në ditën e gjykimit) shpërblehet dhjetëfish, e kush vjen me (vepër) të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të. Atyre nuk u bëhet e padrejtë. (el-Enam, 160)
Ose, agjërimi i Ramazanit dhe agjërimi i tri ditëve prej çdo muaji, përmbledhin agjërimin e tërë vitit. Sikur ta merrnim shpërblimin e Ramazanit si shpërblim vetëm mujor dhe ti llogarisnim vlerat e agjërimit të tri ditëve prej çdo muaji prapë do të na dilte se agjërojmë tërë vitin. Agjëruam Ramazanin dhe mbaruam me një muaj, pastaj nëse agjërojmë 3 ditë prej çdo muaji që dita shpërblehet me dhjetë të tjera na del se ne agjëruam atë muaj në tërësi, dhe si rezultat na bie se kemi agjëruar tërë vitin.
Ebu Uthmani rrëfen se Ebu Hurejre ishte në një udhëtim dhe kur arritën në vend (ose u ndalën për të drekuar) ia dërguan një njeri ta ftonte për ushqim. Ebu Hurejren e gjeti duke u falur. Jam agjërueshëm- tha Ebu Hurejre. Kur u shtrua dreka dhe gati sa nuk u ngopën erdhi Ebu Hurejre dhe filloi të hajë. Njerëzit filluan ta shikojnë njeriun që e dërguan te Ebu Hurejre (duke menduar se ai i ka mashtruar).
Përse më shikoni, ai më tha se është agjërueshëm?- tha njeriu.
Të vërtetën po e thotë -e arsyetoi Ebu Hurejre-. E kam dëgjuar te dërguarin e Allahut duke thënë:
Agjërimi i muajit të durimit (Ramazanit) dhe tri ditëve të çdo muaji është sikur agjërimi i tërë vitit.
...Unë jam duke ngrënë në lehtësimin e Allahut dhe jam duke agjëruar në shumëfishimin e Allahut. ([18])
Pastaj, agjërimi më i mirë është konsideruar ai i Davudit, alejhis selam, që ka qenë një ditë po e një ditë jo, dhe agjërimi që kalon këtë kufi nuk është agjërim. Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka thënë:
Nuk ka agjërim mbi atë të Davudit, alejhis salatu ves selam; ai agjëronte gjysmën e kohës (jetës). Agjëroje një ditë dhe ha në ditën tjetër!. ([19])
2. Ai që agjëron agjërimin vullnetar mund ta prishe atë dhe të mos e kompensoje fare.
Avn b. Ebi Xhuhajfe rrëfen nga babai i tij se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam kishte vëllazëruar Selmanin dhe Ebu Derdanë. Një ditë Selmani e vizitoi Ebu Derdanë dhe e pa Ummu Derdanë me rroba pune (jo rroba zbukurimi).
-Cfarë ke oj Ummu Derda?- pyeti Selmani.
-Vëllai yt, Ebu Derdaja, sikur ka harruar dynjanë- u përgjigj ajo.
Erdhi Ebu Derdaja dhe përgatiti ca ushqim.
-Ha!- tha Ebu Derdaja.
Unë nuk do të ha derisa të hash edhe ti- nguli këmbë Selmani.
Filloi Ebu Derdaja të haje (prishi agjërimin). Kur erdhi nata Ebu Derdaja u bë gati të falej ndërsa Selmani i tha: Fli.
Fjeti Ebu Derdaja. Pak më vonë u bë gati të çohej por Selmani prapë i tha: Fli. Dikur kah fundi i natës Selmani i tha: Ngritu tash. U falën bashkë, dhe me atë rast Selmani ia dha një këshillë të madhe Ebu Derdasë:
Ti ke obligim ndaj Allahut (me adhurim), ndaj vetes (me pushim), ndaj familjes (me përmbushje të nevojave të tyre), dhe secilit jepja të drejtën e vet.
Ai shkoi dhe e informoi Muhammedin, alejhis salatu ves selam për këtë. Pejgamberi, alejhis salatu ves selam tha: Të vërtetën e ka thënë Selmani!. ([20])
Gjithashtu Muhammedi, alejhis salatu ves selam ka thënë:
Agjërimi vullnetar është sikurse sadakaja që e jep njeriu nga pasuria e tij; nëse do e jep e nëse nuk do e mban për vete. ([21])
Xhumhuri([22]), siç përmendët në Nejlul evtar, kanë këtë qëndrim, derisa Imami Ebu Hanife, Maliku, Shafiu, Ahmedi, Hasan el-Basriu, mendojnë ndryshe([23]).
Ibni Abdul Berr-rri përcjell kompaktësinë e dijetarëve se prishja e agjërimit vullnetar me arsye dhe justifikim nuk obligon kompensimin e tij([24]).
3. Agjërimin vullnetar mund ta bësh nijjet edhe pas gdhirjes derisa atë obligativ duhet ta bësh patjetër para lindjes së diellit. Ja edhe faktet përkatese për ketë:
Ibni Omeri transmeton nga babai, Omeri, e ky nga e bija Hafsa, gruaja e Pejgamberit, alejhis salatu ves selam se:
Kush nuk vendos për agjërim para agimit ai nuk ka agjërim. ([25])
Aisheja, nëna e besimtarëve, rrëfen se: Një ditë më tha Pejgamberi, alejhis salatu ves selam:
Oj Ajshe, a keni diç për të ngrënë?
Jo, nuk kemi asgjë o i dërguari i Allahut- i thashë.
Atëherë unë po agjëroj- tha ai.
Doli Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ndërsa neve na u dha një dhuratë apo erdhi një mysafir dhe kur u kthye Pejgamberi, alejhis salatu ves selam i thashë: O i dërguari i Allahut, na është dhuruar një dhuratë ose na ka ardhur një mysafir, ta kam ruajtur pak ushqim.
Cka është ata?- më pyeti.
Hajs ([26])- i thashë.
Ma sjell atë- tha.
Ia solli dhe ngrëni. Më tha: Në mëngjes gdhiva agjërueshëm. ([27])
Aisheja prapë rrëfen se:
Erdhi tek unë Pejgamberi, alejhis salatu ves selam një ditë dhe më tha:
A keni diç për të ngrënë?
Thamë: Jo.
Atëherë unë po agjëroj- tha.
Pastaj na erdhi një ditë tjetër dhe i thamë:
O i dërguari i Allahut, na është dhuruar Hajs.
Ma tregoni ku është ngase sot jam gdhirë agjërueshëm. Ai ngrëni prej tij." ([28])
Ka thënë Imam Neveviu: Në këtë hadith ka argument për xhumhurin se lejohet bërja e nijjetit për agjërim vullnetar në mëngjes deri para mesditës.
Hanefitët kanë thënë se derisa agjërimet që patjetër duhet të definohen, si: agjërimi i Ramazanit, zotimit, shpagimit, kompensimit, duhet të bëhen nijjet gjatë natës, agjërimi vullnetar (nafile) mund të bëhet gjatë ditës. Argument kanë marrë hadithin që përmendëm pak më lartë([29]).
Disa të tjerë thonë Jo, nuk qëndron kështu për arsye se Muhammedi, alejhis salatu ves selam e prishi agjërimin për shkak të dobësisë ndryshe ai nijjetin e kishte bërë gjatë natës([30]).
Tirmidhiu përmend mendimin kompakt të dijetarëve se nijjeti gjatë natës bëhet vetëm për Ramazanin, kompensimin e Ramazanit, agjërimin e zotuar, ndërsa agjërimin vullnetar mund ta bëjë edhe pas lindjes së diellit([31]), edhe pse Ibni Omeri, Xhabir b. Zejdi, Maliku, Muzenijji dhe Davudi mendojnë se agjërimi, bazuar në hadithin:
Nuk ka agjërim ai që nuk e bën nijjet gjatë natës ([32]),
...nuk vlen. Sipas tyre hadithi flet për agjërimin, farz apo nafile qoftë([33]).
4. Agjërimi fakultativ duhet të ruhet nga gjërat që ia zbehin imazhin e tij, si heshtja ose gjëra tjera, për të cilat njeriu nga mosdija imagjinon se janë të mira.
Ibni Abbasi rrëfen se derisa Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ishte duke agjëruar e pa një njeri që qëndronte në këmbë. Pyeti për të e thane se është Ebu Israili. Eshtë zotuar se do të rrijë në këmbë e nuk do të ulet, nuk do të hyjë në hije, nuk do të flet dhe do të agjërojë. Pejgamberi, alejhis salatu ves selam tha:
Urdhëroje le të flet, le të hyjë në hije, le të ulet dhe le ta vazhdojë agjërimin. ([34])
Ibni Haxheri nga hadithi në fjalë kishte përfituar rregullin se çdo gjë që e shqetëson njeriun nuk është adhurim, si: ecja zbathur, qëndrimi në diell, dhe nëse zotohen nuk bën të kryhen ngase nuk janë adhurime([35]).
Kurtubiu shton e thotë: Në tregimin e Ebu Israilit është theksuar një fakt i xhumhurit se nuk obligohet kefareti (shpagimi) i zotimit për mëkat ose gjëra që nuk janë në kuadër të adhurimit-ibadetit. Malikut kur ia përmendën këtë gjë tha: Nuk kam dëgjuar të ketë thënë Pejgamberi, alejhis salatu ves selam se ai duhet te shpaguaj zotimin (bëj kefaret)([36]).
5. Nëse ftohesh në ndonjë drekë dhe je agjërueshëm, atëherë ke mundësi të mos hash, nëse do, dhe të hash, nëse sheh ndonjë arsye.
Nafiu transmeton se e ka dëgjuar Ibni Omerin duke thënë: Ka thënë Pejgamberi, alejhis salatu ves selam:
Përgjigjuni kësaj ftesës kur të thirreni.
Ibni Omeri shkonte në dasma apo edhe dreka edhe pse ishte agjërueshëm([37]).
Muslimi transmeton nga Harun b. Abdil-lahu e ky nga Haxh-xhaxh b. Muhammedi:
Shkonte edhe pse ishte agjërueshëm.
Nëse dikush ftohet (në ndonjë ushqim) le ti përgjigjet ftesës; nëse është agjërueshëm le të lutet për ta e nëse nuk është agjërueshëm atëherë le të hajë. ([38])
Nëse dikush prej jush ftohet në ndonjë ushqim dhe është agjërueshëm le të thotë: Unë jam agjërueshëm. ([39])
Nëse dikush ftohet në ndonjë ushqim le ti përgjigjet ftesës. Nëse nuk është agjërueshëm le të hajë e nëse është agjërueshëm le të lutet për shtimin e të mirave të tyre (bereqet). ([40])
Nëse dikush ftohet në ndonjë ushqim le ti përgjigjet ftesës. Nëse nuk është agjërueshëm le të hajë e nëse është agjërueshëm le të lutet për ta. ([41])
Fjala Fel jusal-li e ka kuptimin e ka lutjes-duasë, siç ka ardhur në ajetin kuranor:
dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. All-llahu dëgjon e sheh.(et-Teubeh, 103)
Nga fjala: le të lutet për ta, e përmendur në disa versione, u kuptua se të ftuarit nuk i obligohet ngrënia nëse është agjërueshëm([42]).
Ibni Maxheh transmeton nga Xhabiri se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka thënë:
Kush ftohet në ndonjë ushqim dhe është agjërueshëm le ti përgjigjet ftesës; nëse do han e nëse do vazhdon agjërimin. ([43])
Për të mos iu ardhur rëndë nikoqirëve mos ngrënia është mirë tiu thotë: Unë jam agjërueshëm! ndërsa nëse sheh se kjo do të interpretohet keq në mesin e tyre atëherë ai bën të hajë([44]). Ngrënia nuk është kusht i domosdoshëm, ngase po të kuptohej siç duhet qëndrimi i tij, atëherë më mirë do të ishte ajo që është rrëfyer në shumë hadithe, që disa u cituan pak më lartë,: duaja dhe lutja për bereqet për zotëriun, i cili i ka ftuar.
Këtë mendim e kanë thënë edhe disa dijetarë. Shumica e shafiitëve dhe disa hanbelijjë kanë thënë se nëse i vjen rëndë agjërimi nikoqirit-ftuesit atëherë le të hajë ndryshe le të agjërojë. P.sh. nikoqiri i thotë se i vjen rëndë të mos e hajë ushqimin e tij, etj.
Rejjaniu dhe Ibnil Ferr-rrau kanë thënë se preferohet ngrënia (prishja e agjërimit)([45]).
- Agjërimet fakultative ditore, mujore dhe vjetore -
A. Ditët e lejuara dhe ditët e ndaluara
Para se të përmendim diç për këtë, fillimisht, mendova se do të ishte mirë sikur të jepnim një sqarim të shkurtër rreth asaj se Muhammedi, alejhis salatu ves selam nuk veçonte ditë të caktuara për agjërim, përveç atyre që na janë të njohura. Alkameja rrëfen se ka pyetur Aishen:
I dërguari i Allahut a veçonte ndonjë ditë?
Jo, -iu përgjigj Aisheja-, vepra e tij ishte e përhershme. Po kush mundet prej jush ta përballojë atë (durim për adhurim, agjërim në këtë rast) që i dërguari i Allahut e përballonte?!. ([46])
Ibni Haxheri përmend në koment të këtij hadithi se për qëllim është veçimi i ditëve të panjohura me agjërim, si: e shtuna, e diela, etj. Ndryshe për agjërimin e ditës së hënë dhe të enjte janë rrëfyer hadithe të sakta, siç do ti përmendim më poshtë inshaAllah!-.
Ndoshta për qellim është edhe veçimi i vetëm tri ditëve të bardha me agjërim, në mënyrë që të mos mbetet vetëm me ato ditë, ngase sikur Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ti veçonte vetëm ato tri ditë do të kishte vazhduar në atë gjendje sepse ai dëshironte që gjithmonë adhurimet ti vazhdonte. Por meqë ai agjëronte edhe me shumë, më shumë se këto tri ditë, atëherë ai nuk veçonte asgjë. Dhe, siç është transmetuar tek Muslimi nga Aisheja, Allahu qofte i kënaqur me te:
Agjëronte prej çdo muaji nga tri ditë dhe nuk brengosej se prej cilave ditë ishin ato (prej fillimit, mesit apo fundit të muajit)([47]).
Ndoshta të veçuara, por me ndalesë, janë ditët e përmendura në këtë hadith:
Ndaloi agjërimin e gjashtë ditëve të vitit, të cilat janë të veçuara: Tri ditë të Teshrikut, Ditën e Fitër Bajramit, Ditën e Kurban Bajramit dhe Ditën e Xhuma. ([48])
1. Ditët e lejuara
Dita e hënë dhe e enjte.
Kur Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ishte pyetur për sekretin e agjërimit të ditëve: e hënë dhe e enjte, kishte dhënë dy përgjigje:
Në këtë ditë kam lindur dhe në këtë ditë më ka zbritur shpallja. ([49])
Këtë e vërteton edhe ky hadith:
Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ishte pyetur për agjërimin e tij dhe ishte hidhëruar. Omeri kur e pa në një gjendje të tillë tha: Kemi pajtuar me Allahun për Zot, me Islamin për fe, me Muhammedin për pejgamber dhe me besën tonë dhënë ty si besë (që mbahet).
U pyet për agjërimin e tërë kohës e tha: Ai as nuk ka agjëruar por as nuk ka ngrënë.
U pyet për agjërimin e dy ditëve dhe ngrënien në ditën vijuese e tha: Po kush mund ta duroj këtë?!
U pyet për agjërimin e një dite dhe ngrënien në dy ditët tjera e tha: Ah sikur Allahu të na forconte për këtë!
U pyet për agjërimin e një dite dhe ngrënien në ditën tjetër e tha: Ky është agjërimi i vëllait tim Davudit, alejhis selam.
U pyet për agjërimin e ditës së hënë e tha: Këtë ditë jam lindur, jam dërguar profet dhe ka filluar shpallja të më zbresë. Pejgamberi, alejhis salatu ves selam shtoi: Agjërimi i tri ditëve prej çdo muaji dhe agjërimi i Ramazanit deri në Ramazan konsiderohet sikur agjërimi i tërë kohës.
U pyet për agjërimin e Ditës së Arafatit e tha: I fal mëkatet e vitit të kaluar dhe të mbeturat (vitin e ardhshëm).
U pyet për agjërimin e Ditës së Ashurasë e tha: I shlyen mëkatet e vitit te kaluar. ([50])
Ndërsa sekreti i dytë i agjërimit të këtyre dy ditëve është:
Veprat prezantohen para Allahut ditëve të hëna dhe të enjte kështu që unë dua vepra ime të prezantohet duke qenë unë agjërueshëm. ([51])
Agjërimi i tri ditëve të çdo muaji.
Ebu Hurejre rrëfen se: I dashuri im, Pejgamberi, alejhis salatu ves selam, më ka porositur me tri gjëra: agjërimin e tri ditëve të çdo muaji, dy rekate të namazit duha dhe faljen e vitrit para se të flejë. ([52])
Muadheh el-Adevijjeh rrëfen se e ka pyetur Aishen,:
A agjëronte Pejgamberi, alejhis salatu ves selam prej çdo muaji nga tri ditë?
Tha: Po.
Cilat ditë të muajit i agjëronte?- e pyeta.
Ai nuk brengosej se cilat ditë i agjëronte- mu përgjigj. ([53])
Preferohet, unanimisht, që këto tri ditë të jenë të mesit, të cilat janë: dita e 13-të, 14-të dhe 15-të.
Disa kanë thënë se këto ditë janë: Dita e 12-të, 13-të dhe 14-të. Disa dijetarë kanë thënë se ndoshta Pejgamberi, alejhis salatu ves selam nuk ka agjëruar rregullisht tri ditë të caktuara që të mos supozohet se janë të tilla (caktuara) por duke dhënë shenjë se këto ditët e mesit janë më me vlerë se sa ditët tjera([54]).
Disa të tjerë, si Nahiu, mendojnë se këto ditë janë ditët e fundit të muajit derisa të tjerë, si Hasani, mendojnë se janë ditët e para të muajit. Aisheja dhe disa të tjerë kanë zgjedhur agjërimin e së shtunës, dielës dhe së hënës të një muaji për të agjëruar në muajin e ardhshëm të martën, të mërkurën dhe të enjten. Disa të tjerë kanë zgjedhur agjërimin e të hënës së parë dhe dy të enjteve vijuese. Ummu Selemeja kishte zgjedhur të enjten e parë dhe dy të hëna. Eshtë thënë edhe ditën e parë, të dhjetën dhe të njëzetën, gjë e praktikuar nga Maliku. Ibni Shaban Malikiu kishte zgjedhur ditën e parë të muajit dhe ditën e 21-të([55]).
Agjërimi i Ashurasë.
Ashura ka qenë prej ditëve, që Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam shpresonte të ketë vlerë më shumë se ditët tjera. Ibni Abbasi rrëfen kur ishte pyetur për agjërimin e Ashures:
Nuk di të ketë agjëruar Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam ndonjë ditë, që shpresonte të ketë vlerë më shumë se sa ditët e tjera, përveç këtyre ditëve (të muajit Ramazan) dhe Ditën e Ashurës". ([56])
Agjërimi i kësaj dite ka qenë prej agjërimeve të para të ligjësuara në fenë tonë. Këtë e sqaron shumë mirë edhe Aisheja, nëna e besimtarëve, e cila transmeton:
Ashura ishte një ditë, që e agjëronin kurejshitët edhe para ardhjes së Islamit. Edhe Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam e agjëronte por kur erdhi në Medine, përveç që e agjëroi vete, i urdhëroi edhe të tjerët ta agjërojnë. Kur erdhi obligimi për Ramazan, atëherë çështja mbeti vullnetare: Kush dëshironte e agjëronte e kush donte e linte". ([57])
Pejgamberi, alejhis salatu ves selam tha:
Dita e Ashurasë; nëse do e agjëron. ([58])
Vlerën e agjërimit të kësaj dite e sqaron edhe ky hadith i transmetuar nga Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Davudi:
Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam ishte pyetur: Cili namaz është më me vlere pas atyre te obliguarave? Tha: Namazi i natës.Cili agjërim është më i miri pas atij të Ramazanit? Tha: Agjërimi në muajin e Allahut, të cilin e quani: Muharrem".
Agjërimi i kësaj dite na përkujton njërin prej pejgamberëve tanë, të cilin Allahu e shpëtoi në këtë ditë, Musain, alejhis salatu ves selam.
Ibni Abbasi rrëfen: Erdhi Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam ne Medine dhe pa çifutët duke agjëruar Ditën e Ashurës.
C'është kjo?- pyeti?
Thanë: Kjo është ditë e mbarë, ditë, në të cilën Allahu shpëtoi çifutët nga armiku i tyre kështu që e agjëroi këtë ditë edhe Musai.
"Unë kam më shumë të drejtë në Musain se sa ju"- tha Muhammedi, alejhi's salatu ve's selam kështu që e agjëroi dhe urdhëroi të agjërohej".
Agjërimi i kësaj dite, edhe pse është kryer edhe nga çifutët, megjithatë është një segment, që dallon besimtarin nga pabesimtari. Pse e them këtë? Për arsye se kur Pejgamberit, alejhi's salatu ve's selam i thanë se çifutët e shenjtërojnë këtë ditë, e konsiderojnë si festë dhe stolisin gratë e tyre me stoli e inxhi, ai, duke shprehur segmentin, që neve na bën të dallojmë prej tyre tha:
Atëherë ju (mos bëni ashtu por) agjërojeni". ([59])
Ndërsa sa i përket agjërimit të saj, dijetarët kanë përmendur tri grada apo mënyra te agjërimit te kësaj dite:
Agjërimi i tri ditëve dhe atë: Ditën e 9-të, të 10-tën dhe të 11-tën.
Argument për këtë është hadithi, që e transmeton Imam Ahmedi nga Ibni Abbasi se Muhammedi, alejhi's salatu ve's selam ka thënë:
Agjërojeni Ditën e Ashurës dhe dallohuni nga çifutët. Agjërojeni një ditë para apo një ditë pas saj".
Me këtë rast, dijetaret kanë përmendur se edhe pse Muhammedi, alejhi's salatu ve's selam tha që ta agjërojmë një ditë para apo një dite mbrapa, megjithatë lejohet që të bëhet bashkimi i tyre. Pra, të agjërohet një ditë para dhe një ditë pas saj.
Agjërimi i ditës së 9-të dhe të 10-të.
Kur Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam agjëroi Ditën e Ashurës dhe urdhëroi njerëzit ta agjërojnë, disa thanë: O i dërguari i Allahut! Kjo ditë është ditë, të cilën e madhërojnë çifutët dhe të krishterët? Atëherë ai tha:
Kur të vjen viti i ardhshëm -nëse do Allahu- do ta agjërojmë (edhe) ditën e nëntë. Por kur erdhi viti tjetër, Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam kishte kaluar në fqinjësi të Allahut". ([60])
Ibni Abbasi përmend se ai ka thënë:
Nëse mbetem gjallë deri në vitin e ardhshëm, do ta agjëroj të nëntën". ([61])
Domethënia e këtij hadithi është se nëse jetoj vitin e ardhshëm, gjithsesi do ta agjëroj, krahas ditës se dhjetë, edhe ditën e nëntë.
Vetëm agjërimi i ditës së dhjete.
Muaviu transmeton se e ka dëgjuar Muhammedin, alejhi's salatu ve's selam duke thënë:
"Kjo është Dita e Ashurës, agjërimi i së cilës nuk iu është obliguar, por unë jam agjërueshëm dhe kushdo që ka dëshirë të agjëron le të agjëron e kush nuk ka dëshirë le të hajë". ([62])
Agjërimi i Ditës së Arafatit.
Vlerën e agjërimit të kësaj dite e përshkruan ky hadith autentik, i shënuar nga Imam Muslimi:
Agjërimi i Ditës së Arafatit kam shpresë tek Allahu se fal mëkatet e vitit të mëparshëm dhe atij vijues ndërsa për agjërimin e Ditës së Ashurasë shpresoj se fal mëkatet e vitit të kaluar. ([63])
Megjithatë, Dita e Arafatit agjërohet nga ata që nuk janë në haxh, ndryshe, haxhilerët nuk e agjërojnë këtë ditë. Kur Pejgamberi, alejhis salatu ves selam kishte bërë haxhin dhe kishte qenë në Arafat, disa kishin menduar se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ishte agjërueshëm, kështu që unë, rrëfen Ibni Abbasi, ia dërgova një gotë me qumësht dhe ai e piu atë([64]).
Ebu Hanife kishte lejuar agjërimin në Arafat për haxhiun, me kusht që agjërimi të mos e dobësojë([65]).
2. Ditët e ndaluara
Agjërimi i vetëm Ditës së Xhuma.
Nëse njeriu vendosa ta agjëroj Dditën e Xhuma pa ia paraprirë me një ditë para ose pa e percjellur me një ditë pas atëherë ai agjërim nuk vlen dhe ai njeri duhet ta prishë atë. Muhammed b. Abbadi e ka pyetur Xhabirin:
A ka ndaluar Pejgamberi, alejhis salatu ves selam nga agjërimi i Ditës së Xhuma?
Tha: Po. ([66])
Ebu Hurejre rrëfen se e ka dëgjuar Pejgamberin, alejhis se duke thënë:
Le të mos e agjërojë askush Ditën e Xhuma pa ia bashkangjitur një ditë para ose pas. ([67])
Xhuvejrije b. el-Harith (bashkëshorte e Muhammedit, alejhis salatu ves selam) transmeton se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam kishte shkuar tek ajo Ditën e Xhuma dhe e kishte parë duke agjëruar.
A ke agjëruar dje?
Tha: Jo.
A do të agjërosh nesër? e pyeti prapë.
Tha: Jo.
Atëherë ha- i tha Pejgamberi, alejhis salatu ves selam([68]).
Agjërimi i gruas pa lejen e burrit.
Imamët, Ebu Hanife dhe Ahmedi, urrenin agjërimin e gruas, burri i secilës ishte prezent në shtëpi dhe bëhej pa lejen e tij([69]). Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka thënë:
Nuk i lejohet gruas të agjërojë vullnetarisht derisa burri i saj është prezent në shtëpi përveç nëse ai e lejon. ([70])
Por, nëse gruaja agjëron, tek xhumhuri edhe pse i ndaluar, agjërimi është i vlefshëm derisa tek hanefitët ai është mekruh tahrimen. Shafiu ka zgjedhur një mendim më mesatar dhe ka thënë se ndalesa është në fuqi në agjërimet që përsëriten, p.sh.: të hënave, të enjteve, etj, ndërsa agjërimet e rralla, si: Dita e Arafatit, Dita e Ashurasë, nuk hyjnë në kuadër të kësaj([71]).
Ndalohet agjërimi i bajrameve.
Meqë bajramet janë festa të gëzimit, ngrënies, pijes, vizitave, Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ndaloi që të agjërohen. Ebu Ubejdi, shërbëtori i Ibni Ezherit rrëfen se ka prezantuar në një bajram me Omerin, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tha:
Këto dy ditë Pejgamberi, alejhis salatu ves selam i ka ndaluar të agjërohen: Ditën e Fitër Bajramit dhe ditën tjetër, ditën kur ju hani nga kurbanet tuaj. ([72])
Agjërimi i Ditëve të Teshrikut.
Cilat janë Ditët e Teshrikut dhe përse quhen kështu?
Ditët e Teshrikut janë tri ditët vijuese të ditës së Kurban Bajramit. Janë quajtur kështu për shkak të teshrikut të mishit që në shqip ka domethënie të: terjes së mishit në diell. Disa kanë thënë se është për qëllim lindja e diellit ngase kurbanet nuk theren pa lindur dielli([73]).
Edhe pse në baze të disa haditheve([74]) mund të kuptohet se lejohet agjërimi i këtyre ditëve për ata që nuk therin kurban, megjithatë, mendimi kompakt, i bazuar në shume hadithe tjera autentike është se ato nuk agjërohen. Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka thënë:
Ditët Teshrikut janë ditë të ngrënies dhe pijes. ([75])
Të përmendim mendime rreth agjërimit të këtyre ditëve:
Disa, bazuar në këtë hadith, kanë thënë se agjërimi nuk lejohet në asnjë mënyrë. Këtë mendim e ka thënë edhe Ebu Hanife.
Lejohet agjërimi i çdokujt, vullnetar apo tjetër lloj agjërimi qoftë,
Lejohet agjërimi për atë që ka vendosur të bëjë haxhin së bashku me umren me kusht që të mos ketë gjetur kurban për të therë. Ndoshta hadithi i shënuar në fusnotë më lartë pikërisht këtë e ka për qëllim. ([76])
Tirmidhiu([77]) sjell konkluzën se në bazë të hadithit të lartshënuar edhe veprohet tek dijetarët. Dijetaret e urrejnë agjërimin e Ditëve të Teshrikut, me përjashtim të disa sahabeve të Pejgamberit, alejhis salatu ves selam, të cilët atij që bën haxhin së bashku me umren dhe nuk ka kurban për të therur ia kanë lejuar agjërimin e këtyre ditëve.
Kjo shprehet edhe në hadithin, përfshirës të ditëve të ndaluara:
Ndaloi agjërimin e gjashtë ditëve të vitit, të cilat janë të veçuara: Tri ditë të Teshrikut, Ditën e Fitër Bajramit, Ditën e Kurban Bajramit dhe Ditën e Xhuma. ([78])
Ja edhe disa hadithe autentike për ndalimin e agjërimit të këtyre ditëve:
Mos i agjëroni këto ditë, Ditët e Teshrikut, ngase ato janë ditë të ngrënies dhe pijes. ([79])
Dita e Fitër Bajramit, Dita e Kurban Bajramit dhe Ditët e Teshrikut janë festa jonë, ithtarëve të Islamit. Ato janë ditë ngrënie dhe pije. ([80])
dhe çdo ditë e Teshrikut është (shërben-lejohet për) therje. ([81])
Nga hadithi i fundit kuptojmë se derisa këto ditë shërbejnë për therje të kurbanit, mishi i të cilit, përveç që iu shpërndahet të varfërve e të afërmeve, përgatitet për ngrënie edhe në familje, atëherë nuk bën të agjërohen.
Ndalohet agjërimi i një dite para muajit
Ramazan, përveç nëse njeriu ka qenë prej atyre që kanë agjëruar një ditë po e një ditë jo, ose kanë agjëruar të hënat dhe të enjtet e kështu njëra nga këto ditë ka rënë të jetë dita e fundit e muajit Shaban. Apo edhe nëse njeriu gjysmën e dytë të muajit Shaban, për të cilën kanë ardhur hadithe që e ndalojnë agjërimin në të, ta lidh me agjërimin e pjesës së parë. D.t.th.: të agjërojë tërë muajin. Kjo lejohet([82]).
Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka thënë:
Ka ndaluar agjërimin e një dite para Ramazanit, agjërimin e Ditës së Kurban Bajramit, agjërimin e Ditës së Fitër Bajramit dhe Ditët e Teshrikut. ([83])
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka thënë:
Mos ia paraprini Ramazanit me agjërim të një apo ditë më parë, përveç atij që ka agjëruar rregullisht: ai le të agjërojë([84]).
Ka thënë Neveviu në koment të këtij hadithi:
Në këtë hadith qartazi shprehet ndalesa e pritjes së Ramazanit me agjërim të një apo dy dite më parë për ata që nuk e kanë patur zakon agjërimin (e ditëve të hëna apo të enjte, apo një dite po e një dite jo) apo lidhjen e tij me Ramazan (sikurse përmendëm më parë për muajin Shaban). Nëse nuk e lidhë agjërimin e Ramazanit me atë të mëparshmin (nga tërë muaji i Shabanit) apo nuk e ka patur zakon një gjë të tilëe, atëherë ai e ka të ndaluar të agjërojë.
Uthejmini përkitazi me këtë çështje ka ndarë këtë mendim:
Dijetarët kanë polemizuar rreth ndalesës së agjërimit të një apo dy ditëve para Ramazanit se a është kjo ndalesë vetëm nga aspekti i urrejtjes së asaj vepre apo është ndalesë e vërtetë? Mendimi i saktë, shton Uthejmini, është se ndalesa është e vërtetë (en-nehju tehrimen), sidomos në ditën, në të cilën njerëzit dyshojnë në të (se a është dita e parë e Ramazanit apo dita e fundit e Sshabanit).
Bazuar në këtë, agjërimi nga dita e 16-të e deri në ditën e 28-të të muajit Shaban është mekruh (i urryer) përveç për ata që e kanë bërë zakon agjërimin e këtyre ditëve. Po kështu edhe agjërimi i ditës së dyshimtë, apo agjërimi i një ose dy ditëve para Ramazanit, është i ndaluar-haram, përveç për ata që e kanë patur zakon([85]).
B. Agjërimi mujor i lejuar dhe i ndaluar
Pejgamberi, alejhis salatu ves selam nuk agjëronte komplet asnjë muaj përveç Ramazanit por nuk linte pa agjëruar të paktën diç prej çdo muaji. Ibni Abbasi transmeton:
Nuk ka agjëruar asnjë muaj të plotë kurrë me përjashtim të Muajit të Ramazanit. Ai agjëronte aq shumë saqë dikush edhe betohej se ai nuk han (është agjërueshëm) dhe hante (nuk agjëronte) aq shumë saqë dikush betohej e thoshte: Ai nuk është agjërueshëm. ([86])
Përveç Ramazanit, nuk agjëronte komplet asnjë muaj. ([87])
Aisheja rrëfen se:
Agjëronte aq shumë saqë thoshim: Eshtë agjërueshëm, është agjërueshëm, dhe hante (nuk agjëronte) saqë thoshim: Nuk është agjërueshëm, nuk është agjërueshëm. Nuk më ka rënë ta kem parë të agjërojë ndonjë muaj të plotë prej se ka ardhur në Medine me përjashtim të Ramazanit". ([88])
Prej haditheve, që përmendëm, përfitojmë se nuk është mirë të lihet asnjë muaj pa agjëruar diç prej tij, sikur që përfitojmë se agjërimi vullnetar nuk ka ditë të caktuara. Sunnet është të agjërosh vullnetarisht në tërë vitin me përjashtim të Ramazanit, bajrameve dhe ditëve të Teshrikut([89]).
Këtu klasifikimi i muajve nuk do të bëhet në të lejuar dhe ndaluar por do të jetë në bazë të radhitjes së tyre vjetore me dispozitat përkatëse.
1. Agjërimi në muajin Muharrem
Imam Muslimi transmeton se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka thënë:
Agjërimi më me vlere pas atij të Ramazanit është agjërimi i muajit Muharrem.
Ndërsa në lidhje me vlerën e muajit Muharrem mbi atë të Shabanit, edhe pse nuk agjëronte Pejgamberi, alejhis salatu ves selam më shumë në këtë muaj se sa në Shaban, Imam Neveviu thotë:
Ka mundësi që Pejgamberi, alejhis salatu ves selam nuk e ka ditur këtë deri në fund të jetës së tij kështu që nuk i është dhënë rasti të agjërojë shumë në këtë muaj, ose i kanë ndodhur gjëra të justifikueshme gjatë këtij muaji, si udhëtimet, sëmundje, e gjëra tjera, të cilat e kanë penguar nga agjërimi([90]).
2. Muaji Rexheb
Rreth muajit Rexheb është folur shumë. Përkitazi me të janë rrëfyer hadithe të kategorisë daif-dobët më shumë se që janë rrëfyer hadithe autentike. Sido që të jetë, vlera e këtij muaji është e pa kontestuar sidomos kur dihet fakti se ai është prej muajve të shenjtë, të cilët janë: Dhul Kade, Dhul Hixh-xheh, Muharrem dhe Rexheb.
Hanbelitët kanë thënë se veçimi i këtij muaji me agjërim është i urryer. Këtë mendim e thotë edhe Ebu Hanife porse me një sqarim të shkëlqyer, që vërehet se është kuptuar mirë prej tij ajo çka fshihet në mes rreshtave të haditheve: Agjërimi në muajt e shenjtë, në mesin e të cilëve është edhe Rexhebi, bën të praktikohet por vetëm ajo që është sunnet prej çdo muaji: tri ditë ose e hëna dhe e enjtja([91]).
Pra agjërimi në tërësi nuk ndalohet në këtë muaj por ajo që ndalohet është veçimi i ndonjë dite kinse duhet të agjërohet në këtë muaj. Mu për këtë, hadithet që ndalojnë agjërimin në tërësi në këtë muaj, janë cilësuar si shumë të dobëta nga Albani. Ibni Maxheh transmeton nga Ibni Abbasi se:
Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka ndaluar agjërimin e Muajit Rexheb. ([92])
Ka ndaluar agjërimin e tërë Rexhebit. ([93])
Uthman b. Hakiim el-Ensariu e kishte pyetur Seid b. Xhubejrin për agjërimin e muajit Rexheb meqë ishin në atë muaj? Ai i kishte thënë: E kam dëgjuar Ibni Abbasin duke thënë:
Pejgamberi, alejhis salatu ves selam aq shumë agjëronte saqë thoshim nuk do të hajë, nuk do të hajë, dhe hante aq shume saqë thoshim nuk është agjërueshëm, nuk është agjërueshëm([94]).
Ajo që duket është se qëllimi i Seidit me përgjigjen e tij ishte se as nuk ndalohet por as nuk preferohet agjërimi në këtë muaj në ditë të caktuara. Dispozita e tij është sikurse e muajve tjerë; agjërohet ajo që është sunnet për tu agjëruar([95]).
3. Agjërimi në muajin Shaban
Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Aisheja, nëna e besimtarëve, se:
Pejgamberi, alejhis salatu ves selam nuk agjëronte në asnjë muaj më shume sesa në Shaban; ai agjëronte tërë muajin.
Sipas këtij versioni shihet se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka agjëruar tërë muajin e Shabanit. Ebu Davudi transmeton nga Ummu Seleme se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam:
Gjate vitit, nuk ka agjëruar ndonjë muaj të plotë, me përjashtim të Shabanit, të cilin e lidhte me Ramazanin. ([96])
Edhe nga ky transmetim kuptojmë se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam agjëronte tërë muajin dhe e lidhte atë me Ramazanin.
Po ashtu nga Aisheja, Buhariu transmeton se ajo ka thënë:
Agjëronte Pejgamberi, alejhis salatu ves selam aq shumë saqë mendonim se nuk do të hajë asnjë ditë, dhe hante (nuk agjëronte) aq shumë saqë mendonin se nuk do të agjërojë fare. Nuk më ka rënë ta shoh të dërguarin e Allahut ta ketë plotësuar ndonjë muaj me agjërim përveç Ramazanit ndërsa nuk e kam parë te ketë agjëruar më shumë në ndonjë muaj sesa në Shaban.
Sipas këtij transmetimi shihet se Pejgamberi, alejhis salatu ves selam ka agjëruar më së shumti në muajin Shaban, por nuk e ka agjëruar të tërin. Imam Muslimi transmeton nga Ebu Seleme se ky e kishte pyetur Aishen për agjërimin e Pejgamberit, alejhis salatu ves selam ndërsa ajo kishte thënë:
Agjëronte aq shume saqë mendonim se agjëroi (të tërin), dhe hante aq sa mendonim se nuk agjëroi fare. Nuk e kam parë të këtë agjëruar më shumë në ndonjë muaj sesa në Shaban. Ai e agjëronte Shabanin të terin, ai e agjëronte këtë muaj me përjashtim të ca ditëve.
Edhe ky transmetim tregon se agjërimi i Pejgamberit, alejhis salatu ves selam ka qenë shumë në këtë muaj por nuk e ka agjëruar në tërësi. Tirmidhiu ka thënë: Ibni Mubareku ka bërë përputhjen e këtyre dy versioneve (për agjërimin në tërësi dhe për agjërimin e shumicës) duke bërë të parën si sqaruese të së dytës dhe se për qëllim me tërë muajin është shumica e tij.
Tajjibiu ka mohuar këtë zgjidhje të Ibni Mubarekut e në vend të saj ka sjellë këtë mendim: Ai, ndonjëherë ka agjëruar këtë muaj në tërësi e ndonjëherë ka agjëruar shumicën e tij, në mënyrë që të mos mendohet se është obligim sikurse Ramazani.
Eshtë thënë edhe ndryshe:
Për qëllim është se Pejgamberi, alejhis slatu ves selam, herë agjëronte nga fillimi, herë nga mesi e herë nga fundi, kështu që nuk mbetej asnjë pjesë e muajit pa e agjëruar ndonjëherë.
Sipas asaj që kanë gjykuar dijetarët, si Ibni Haxheri, mendimi i Ibni Mubarekut është më i qëlluari ngase këtë e vërteton edhe hadithi i vërtetë, i shënuar në koleksionin e Imam Muslimit dhe Nesaiut se:
Nuk ka agjëruar asnjë muaj komplet qysh prej se ka ardhur në Medine, me përjashtim të Muajit Ramazan([97]).
Imam Neveviu ka thënë në lidhje me hadithet e shumta rreth kësaj tematike: Bazuar në këto hadithe, preferohet që të mos lihet asnjë muaj pa agjëruar diç në të dhe se agjërimi fakultativ nuk është i veçuar me një kohë të caktuar, por, i tërë viti vlen për agjërim, përveç Ramazanit, Bajramit te Ramazanit dhe Bajramit te Kurbanit. ([98])
Urtësia e agjërimit të këtij muaji
Transmeton Nesaiu nga Usame b. Zejdi, i cili thotë:
I thashë: O i dërguari i Allahut! Nuk të kam parë të agjërosh në muajt tjerë siç po të shoh në Shaban. Tha: Ai është muaj, në mes Rexhebit dhe Ramazanit, që e anashkalojnë njerëzit (janë neglizhent ndaj tij); në të ngritën veprat tek Zoti i botëve andaj unë kam dëshirë që vepra ime të ngritët duke qenë unë agjërueshëm. ([99])
Në komentin e Sunneit të Nesaiut, respektivisht në Hashijetus Sendijj qëndron:
Eshtë thënë: Cfarë domethënie ka kjo kur është vërtetuar në dy koleksionet më të vërteta të haditheve se tek Allahu i Madhëruar ngritën veprat e natës para atyre të ditës dhe veprat e ditës para atyre të natës? Them: Ka mundësi që të synohen dy gjëra:
1- Veprat e njerëzve i prezantohen Allahut çdo ditë, pastaj i prezantohen veprat e ditës së xhuma në çdo të hënë dhe të enjte, pastaj i prezantohen Atij veprat e tërë vitit në muajin Shaban. Pra, prezantim pas prezantimi, dhe për çdo prezantim të veprave ka urtësi, që Allahu ia mëson kujt të dojë prej robërve të Tij, ose e veçon vetëm Veten e Tij.
2- Ndoshta për qellim është se ato gjatë ditës prezantohen detajisht ndërsa ditën e xhuma prezantohen në mënyrë të përgjithshme, ose anasjelltas.
* * * * * *
Ky është fundi i punimit tonë. Jemi munduar ta ndriçojmë agjërimin fakultativ aq sa na janë dhënë mundësitë. Meritat dhe falënderimet për çdo të qëlluar i takojnë vetëm Allahut, me emrin e të Cilit filluam dhe përfundojmë, ndërsa çdo gabim apo lëshim është prej meje dhe harresës së shkaktuar nga djalli!
Falënderimi i takon Allahut në fillim e mbarim! Përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen dhe shokët e tij!
----------------------------------------------------------------------------
[1] Transmeton Buhariu në Sahihun e tij, nr. 6502
[2] Sunenu't Tirmidhijj, pj. 2, f. 189. Albani, në Sahihun e Ibni maxhes, 1425-1426, e ka cilësuar autentik.
[3] Tuhfetu'l ahvedhijj, Komentimi i hadithit: 378.
[4] Ibid.
[5] Sahihu'l Buharijj, pj. 7, f. 87
[6] Sahihu Muslim, pj.6, f. 48
[7] Buhariu
[8] Nesaiu
[9] Fet'hu'l Bari, komentimi i hadithit 1839
[10] Sahihu'l Buharijj, pj.7, f. 91
[11] Sahihu Muslim, pj. 6, f. 44
[12] Sahihu Ibni Hibban, pj. 15, f. 164
[13] Fikhu hanefi, Abdul Hamid Mahmud Tuhmaz, Përktheu: Selim Sulejmani, Gjilan, 2006, pj. I-rë -Ibadat-, f. 499
[14] Sahihul Buhari, pj. 4, f. 76
[15] Sahihu'l Buhari, pj. 15, f. 493
[16] Sahihu'l Buhari, pj. 7, f. 95
[17] Sahihu Muslim, pj. 6, f. 66
[18] Musnedi i Imam Ahmedit, pj.21, f. 293
[19] Sahihu'l Buharijj, pj. 7, f. 96
[20] Sahihul Buhari, pj. 4, f. 76
[21] Transmeton Nesaiu në Sunenin e tij, pj. 8, f.22 ndërsa Albani nëSahihu ve daifu suneni'n Nesaijj, pj. 5, f. 466 e ka cilësuar të mirë-hasen.
[22] Nejlul evtar sherhu muntekal ahbar min ehadithi sejjidil ahjar, Muhammed b. Ali Muhammed esh-Shevkani, b. 5, Darul hadith, Kajro, Egjipt, 1998, pj. 3-4, f. 232-233
[23] Shafiu mendon se është sunnet plotësimi i ditës së agjërimit vullnetar sikurse që është sunnet edhe kompensimi i agjërimit vullnetar që prishet. Hanbelitët mendojnë po kështu. Hanfeitët mendojnë se dita e prishur e agjërimit vullnetar patjetër duhet të kompensohet. Edhe prishja por edhe mos kompensimi janë mekruh tahrimen (ndalese e urryer). Imam Maliku ka zgjedhur një mendim mesatar. Ai mendon se plotësimi i ditës me agjërim vullnetar si dhe kompensimi nëse është prishur janë farz, përveç në rastet kur prindërit apo mësuesi-hoxha e këshillon birin-studentin ta prishe atë si mëshirë dhe dhimbje për gjendjen e tij të dobët shëndetësore. Në këtë rast lejohet prishja e agjërimit dhe nuk ka nevojë fare për kompensim. Kjo që tha Maliku sigurisht se përputhet edhe me hadithin e Selmanit dhe Ebu Derdasë, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Këta mendojnë se nëse njeriu e prish agjërimin atëherë ai duhet që pjesën e mbetur të ditës të mos hajë derisa Xhumhuri thonë se kjo është më mire por nuk e kushtëzojnë. Kitabul fikhi ala el-medhahibil erbeah, Abdurrahman el-Xhuzejri, el-Mekteb eth-thekafijj, Azhar, Kajro, 2000, pj. 1, f. 427
[24] Sherhu'n Nevevijj ala Muslim, komentimi i kapitullit: Babu xhevazi savmi'n nafileti bi nijjetin min en-nehari kable'z zevali ve xhevazi fitri's saimi neflen min gajri urdhrin.
[25] Sunen Ebi Davud, pj. 6, f. 445, Sunenu't Tirmidhijj, pj.3, f. 179. Shejh Albani hadithin në Sahihu ve daifu suneni Ebi Davud dhe Sahihu ve daifu suneni't Tirmidhijj e ka cilësuar autentik.
[26] hurma me tëlyen dhe djathë, ose një lloj ushqimi-përshesh i përzier.
[27] Sahihu Muslim, pj. 6,f. 25
[28] Sahihu Muslim, pj.6, f. 26
[29] Nasburr rrajeh tahrixhu ehadithil hidajeh, Xhemaluddin Ebu Muhammed Abdullah b. Jusuf ez-Zejelijj, b. 1, Darul kutubil ilmijjeh, Bejrut, Liban, 1996, f. 455-456
[30] Sherhu'n Nevevijj ala Muslim, komentimi i kapitullit: Babu xhevazi savmi'n nafileti bi nijjetin min en-nehari kable'z zevali ve xhevazi fitri's saimi neflen min gajri udhrin
[31] Sunenu't Tirmidhijj, pj.3, f. 179
[32] Tirmidhiu
[33] Tuhfetu'l ahvedhijj, komentimi i hadithit 662
[34] Sahihu'l Buharijj, pj. 20, f. 410
[35] Fet'hu'l bari, Ibni Haxher, komentimi i hadithit 6210
[36] Ibid.
[37] Sahihu'l Buharijj, pj. 16, f. 172
[38] Sahihu Muslim, pj. 7, f. 287
[39] Hadithi është autentik. Shih: Sahihul xhamii, 540
[40] Hadithi është autentik. Shih: Sahihul xhamii, 538
[41] Hadithi është autentik. Shih: Sahihul xhamii, 539
[42] Fet'hul Bari, kom. i ha. 4781
[43] Sunen Ibni Maxheh, pj. 5, f. 290. Shejh Albani këtë hadith e ka cilësuar autentik. Shih: Sahihu ve daifu suneni Ibni Maxheh, pj. 5, f. 251
[44] Hashijetu's Sendijj ala Ibni Maxheh. KOmentimi I hadithit: 1740, 1741
[45] Fet'hul bari, kom. i ha. 4781
[46] Sahihu'l Buhari, pj. 7, f. 105
[47] Fethul Bari, h. 1851
[48] Hadithi është autentik. Shih: Sahihul xhamii: 6961
[49] Sahihu Muslim, pj.6, f. 52
[50] Sahihu Muslim, pj.6, f. 56
[51] Sunenu't Tirmidhijj, pj. 3, f. 206. Albani kete hadith e ka vlerësuar si autentik. Shih: Sahihu tahrixhil mishkah, recensimi i dytë (2056), et-Talik err-rregib (2/84) dhe el-Urva (949)
[52] Sahihu'l Buharijj, pj. 7, f. 98
[53] Sahihu Muslim, pj. 6, f. 52
[54] Sherhu'n Nevevijj, komentimi i Babu istihbabi sijami thelatheti ejjamin min kul-li shehrin ve savmi jevmi arafeh ve ashurae ve'l ithnejni ve'l hamis
[55] Sherhu'n neveveijj ala Muslim, hadithi 1977
[56] Transmeton Nesaiu ndërsa Shejh Albani në Sahihu ve daifu sunen'in Nesai, e ka cilësuar si autentik nën nr: 285
[57] Buhariu dhe Muslimi
[58] Sahihu'l Buhari, pj. 7, f. 23
[59] Buhariu dhe Muslimi
[60] Muslimi
[61] Muslimi
[62] Buhariu me nr: 2003 dhe Muslimi me nr: 2653.
[63] Sahihu Muslim, pj.6, f. 55
[64] Sahihu'l Buhari, pj. 7, f. 110
[65] Kitabul fikhi ala el-medhahibil erbeah, Abdurrahman el-Xhuzejri, pj. 1, f. 426
[66] Sahihu'l Buhari, pj. 7, f.104
[67] Sahihu'l Buhari, pj. 7, f.105
[68] Sahihu'l Buhari, pj. 7, f.105
[69] Kitabul fikhi ala el-medhahibil erbeah, Abdurrahman el-Xhuzejri, pj. 1, f. 427
[70] Buhariu dhe Muslimi
[71] http://www.islamqa.com/index.php?ref=95028&ln=ara
[72] Sahihu'l Buhari, pj. 7, f. 113
[73] Hamdi Hamid Subuh, Xhamiul ehadithis sahihahti fis sijami vel kijami vel Itikafi, b. 1, Daru Ibni Hazmi, Bejrut, Liban, 1997, f. 108
[74] Aisheja dhe Ibni Omeri kanë thënë se: Nuk është lejuar agjërimi i ditëve të Teshrikut përveç për ata që nuk kanë gjetur kurban. Sahihu'l Buhari, pj. 7, f. 120
[75] Sahihu Muslim, pj. 5, f. 492
[76] Sherhu'n nevevijj, komenti i Babu tahrimi savmi ejjami't teshrik
[77] Sunenut Tirmidhijj, hadithi 773. Albani e ka cilësuar autentik këtë transmetim. Shih: Sahihu Ebi Davud, 2090, dhe el-Irva, 4/130
[78] Hadithi është autentik. Shih: Sahihul xhamii: 6961
[79] Sahihul xhamii, 7355
[80] Sahihul xhamii, 8129
[81] Sahihul xhamii, 4537
[82] http://www.islamqa.com/index.php?ref=26850&ln=ara
[83] Sahihul xhamii, 6964
[84] Buhariu dhe Muslimi
[85] http://www.islamqa.com/index.php?ref=26850&ln=ara
[86] Sahihu'l Buhari, pj. 7, f. 81
[87] Sahihu Muslim, pj. 4, f. 104
[88] Sahihu MUslim, pj. 6, f. 32
[89] Sherhu'n Nevevijj ala Muslim, komentimi i kapitulli Babu sijami'n nebijji, sal-la Allahu alejhi ve sel-lem, fi gajri ramadane ve'stihbabi en la juhlije sheren an savmin.
[90] Sherhun Nevevijj ala Muslim, hadithi 1982
[91] Kitabul fikhi ala el-medhahibil erbeah, Abdurrahman el-Xhuzejri, pj. 1, f. 427
[92] Silsietud daifah, 404
[93] Daiful xhamii, 6070
[94] Sahihu Muslim, pj. 6, f. 37
[95] Sherhu'n Nevevijj li Muslim, komrntimi i hadithit 1960
[96] Shejh Albani thotë se hadithi është sahih
[97] Fethul Bari, Ibni Haxher El Askalani.
[98] Sahihu Muslim Bi Sherh En Nevevijj.
[99] Shejh Albani thotë se hadithi është hasen. Shih: Sahih ve daifus sunenin Nesaijj.
0 Comments